Koncerti-surprizë në 70-vjetorin e Vaçe Zelës
ALMA MILE
Shtëpia është e mbushur plot njerëz. Irma, e bija shpesh e ngatërron zilen e telefonit me të derës. Nuk ia merrte mendja se ndonëse jetojnë në një vend të huaj, do të kishin kaq shumë vizita. Janë të shumtë ata që duan të urojnë artisten e madhe në 70-vjetorin e lindjes. Dhe ajo është e lumtur. Nuk e fsheh dot përmallimin, teksa njerëzit i shprehin mirënjohjen për çka ajo ka dhënë për skenën dhe këngën shqiptare. Zëri i dridhet teksa nxiton të thotë se është publiku dhe skena shqiptare, që i kanë dhënë shumë asaj. Data 7 prill e vitit 1939, nuk ishte edhe aq e zezë. Në ditën kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, në Lushnje do të lindte një artiste e madhe. Ajo do të bëhej zonja e skenës shqiptare. Këngëtarja e madhe Vaçe Zela ka nesër ditëlindjen. Mbush plot 70 vjeç. Edhe pse zakoni e do që urimet të jepen në datën e caktuar, shumë dashamirës kanë nxituar që ta urojnë sa më parë. E prej ditësh shtëpia e tyre në Zvicër pret e përcjell mysafirë. “Janë ditë tepër të ngatërruara. Shtëpia është vazhdimisht me njerëz”, - thotë Irma, vajza e këngëtares. Por gëzimi ishte i paimagjinueshëm kur në shtëpinë e tyre mbërriti një grup vizitorësh nga Tirana, përfaqësues së presidencës dhe Radio Televizionit Publik Shqiptar. Ata i përcollën urimet nga të gjithë shqiptarët dhe i dorëzuan edhe disa dhurata nga ana e Presidentit Shqiptar Bamir Topi dhe bashkëshortja e tij Teuta. Një prej dhuratave ishte një mikrofon i larë në ar, i punuar posaçërisht me këtë rast. Në pllakatin e tij shkruhej “Vaçe Zelës si një grua, si një zë, si një mit. Nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e parë Teuta Topi”. Ndërsa dhurata e dytë ishte një “letër” në formë papirusi e gdhendur në dru, ku shkruhej: “Perlës së muzikës shqiptare nga të gjithë shqiptarët”. Gjithashtu e nënshkruar nga Presidenti dhe zonja e parë. Ishte një surprizë e papërshkrueshme për këngëtaren, e cila me duart që i dridhen mban në duar mikrofonin. Ndoshta do të kishte dashur që të ishte një mikrofon i vërtetë e të mund të përcillte edhe një herë zërin e saj të fuqishëm, tek gjithë shqiptarët. Por emocioni e mbyt dhe e ka të vështirë ta shprehë me fjalë gjithë çka ndjen. Por surpriza nuk ka mbaruar këtu. Ajo, e vërteta është në Tiranë. Nesër, në Pallatin e Kongreseve, nën patronazhin e Zonjës së Parë, Teuta Topi, zhvillohet një mbrëmje “Gala”, për nder të këngëtares. “Vaçe Zela, një grua, një zë, një mit”, titullohet koncerti, i pari i këtij lloji kushtuar këngëtares. Është një staf i madh në numër, që prej një viti po punon për organizimin e kësaj mbrëmjeje. Koordinatorja e këtij aktiviteti, Alma Hoti, thotë se koncerti është konceptuar si një mbrëmje, ku këngët më të mira të interpretuara nga Vaçe Zela, gërshetohen me kujtime kolegësh e miqsh. “Është një nder i jashtëzakonshëm që na bëhet. Flas edhe në emrin e Vaçes, jemi me të vërtetë shumë të gëzuar dhe të prekur”, - thotë Pjetri, bashkëshorti i këngëtares.
Për mbrëmjen “Gala” janë përzgjedhur 15 këngë, të cilat të orkestruara nga kompozitori dhe orkestruesi Adrian Hila, vijnë përmes interpretimit të këngëtarëve të njohur të skenës shqiptare, mes të cilëve janë Qemal Kërtusha, Myfarete Laze, Irma dhe Eranda Libohova, Vikena Kamenica, Sidrit Bejleri, Juliana Pasha, Endri dhe Stefi, etj. I ftuar special është këngëtari nga Kosova Naim Krasniqi. Disa nga këngët që do të këndohen janë “Valsi i lumturisë”, “Natën vonë”, “Mesnatë”, “Nënave shqiptare”, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Nuk e fshehim dashurinë”, “Flakë e borë”, etj. Në respekt të këngëtares dhe të magjisë që ajo përcillte me zërin e saj, të gjitha këngët do të këndohen live. Brenda karakterit të këngëtares, skenografia është konceptuar e thjeshtë, pa butaforia. Në qendër do të jetë një monitor gjigand, ku do të shfaqen pamje nga aktivitetet, ku ka marrë pjesë Vaçe Zela, festivale, koncerte, intervista. Këto pamje do të shoqërojnë brezin e ri të këngëtarëve, teksa sjellin në një variant të ri, këngët e interpretuara nga artistja. Ky koncert mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Radio Televizioni Publik Shqiptar, etj. Sipas koordinatores së projektit është parë një gatishmëri e plotë nga të gjitha institucionet për të kontribuuar në realizimin e kësaj mbrëmjeje. Për nder të këngëtares, viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si “Viti Vaçe Zela”.
E pazëvendësueshmja e skenës
U zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë, për t’u bërë më vonë zëri i pazëvendësueshëm i këngës shqiptare. Pavarësisht kohës kur u kënduan, këngët e saj mbeten popullore dhe ndër më të preferuarat nga publiku. Për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, u bënë vite që Vaçe Zela e ka reduktuar në mënyrë dramatike aktivitetin muzikor. Megjithatë, ajo mbetet ende e pazëvendësueshme në skenën shqiptare. Vaçe Zela ka marrë pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio dhe më vonë në Radio Televizion Shqiptar, që prej organizimit të parë të tyre, në vitin 1962 dhe deri në vitin 1980, kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë me këngën “Shoqet tona ilegale”. Prej vitesh jeton në Zvicër me familjen e saj, bashkëshortin dhe të bijën. Ajo është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti Alfred Moisiu.
Zela, 11 çmime të para në festival
Prej vitit 1962, deri në vitin 1980, ajo fitoi 11 herë çmimin e Festivalit të Këngës në RTSH. Ishte kënga “Fëmija e parë” me muzikë të Abdullah Grimcit dhe tekst të Dionis Bubanit, që do t’i jepte të parin trofe këngëtares Vaçe Zela, aso kohe 23 vjeçe. Por çmimet do të ndiqnin njëri tjetrin. Në festivalin e dytë do të fitonte me këngën “Flakë e borë”, në të tretin “Sot jam 20 vjeç”, në të pestin “Shqiponja e lirisë”, në të gjashtin “Këngë për Shkurte Vatën”. Është nderuar gjithashtu, me çmim të parë në një duet me Ramiz Kovaçin me këngën “Mësuesit hero”, për të vijuar me këngët “Mesnatë”, “Gjurmët e arta”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë” dhe “Shoqet tona ilegale” në vitin 1980.