E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncesioni i kolaudimeve, prokuroria pushon hetimet

Akuza: Pretendimet e kompanisë që u rendit e dyta në tender, janë të pasakta

Njësia Task Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka pushuar hetimet për koncesionin e qeverisë për kontrollin teknik të automjeteve, i cili njihet si kolaudimi. Zhvillimi i procedurave për koncesionin ishte kryer në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar dhe fituese është shpallur një shoqëri zvicerane e quajtur “SGS”, ndërsa një firmë që është skualifikuar nga gara ka denoncuar abuzimet që pretendon në organin e akuzës. Kallëzimi është regjistruar në njësinë e përbashkët hetimore kundër krimit ekonomiko-financiar dhe menjëherë kanë filluar verifikimet dhe hetimet për këtë denoncim. Mësohet se hetuesit e çështjes kanë marrë të gjitha dokumentacionet nga Ministria e Transporteve, për t’i krahasuar më pas me pretendimet e firmës që është skualifikuar. Pas verifikimeve të materialeve ka rezultuar se ato nuk përmbanin vepër penale dhe si rrjedhim hetimet për këtë çështje janë pushuar.

Për të arritur një konkluzion të tillë, hetuesit e çështjes kanë marrë në pyetje të gjithë personat që kanë vlerësuar ofertat për koncesionin e Kontrollit Teknik të Automjeteve. Në pyetje janë marrë të gjithë zyrtarët që kanë qenë në komision, ndërsa hetimet janë shtrirë në të gjithë Ministrinë e Transporteve.

Rreth muajit shtator të vitit të kaluar, kompania zvicerane “SGS” fitoi tenderin për koncesionin e Kontrollit Teknik të Automjeteve. “Marrja nën administrim i këtij shërbimi për 10 vjet nga investitori privat synon përmirësimin e shërbimit për qytetarët, ndërkohë që çmimet nuk do të ndryshojnë”, do të deklaronte Ministria e Transporteve. Sipas saj, shërbimi do të vazhdojë normalisht kundrejt tarifave aktuale, ndërsa kontrata e koncesionit parashikon realizimin e një investimi prej 561 milionë lekësh nga kompania “SGS”. Mësohet se në garë për përfitimin e këtij koncesioni ishte edhe kompania franceze “SAS-SAKAR”, e cila pas shqyrtimit të detajuar të dokumentacionit ligjor, rezultoi se nuk përmbushte kriteret ligjore të përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit për t’u kualifikuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›