Tahiri letër METE-s: Informacion për marrëveshjen me ACR-në

Nënkryetari i grupit të PS-së Sajmir Tahiri nëpërmjet një letre drejtuar ministrit të METE-s Edmond Haxhinasto i ka kërkuar këtij të fundit informacion në lidhje me marrëveshjen me kompaninë ACR. Në letrën e tij, Tahiri ka kërkuar informacion nëse është likujduar gjoba e vendosur nga METE ndaj firmës ACR, nëse janë përmbushur detyrimet për investime në ngarkim të kësaj kompanie dhe se sa është totali investimeve të realizuara nga koncesionari deri më sot, në zbatim të marrëveshjes koncesionare të Bulqizës.
Ai ka theksuar më tej se ndërkohë që pasuria minerare vazhdon të shfrytëzohet pa asnjë kriter, paligjshmëria dhe bandat mafioze kanë pushtuar Bulqizën dhe zonat minerare. "Të gjitha këto ndodhin nën hundën e shtetit e të strukturave shtetërore, të cilat me dhe për Bulqizën, me e pakta bëjnë sehir, për të mos thënë që janë të implikuara thellësisht në veprimtari kriminale. Sot 3 vjet më parë (dt. 09.07.2009), Ministri Ruli nënshkroi një marrëveshje me Kompaninë ACR me objekt rishpërndarjen kohore të shlyerjes së gjobës së ACR prej 1.639.163 Euro (një milion e gjashtëqind e tridhjetë e nëntë mijë e njeqind e gjashtëdhjetë e tre Euro). Në dt. 08.07.2009, ACR kërkoi nga Ministri Ruli shtyrjen e shlyerjes së gjobës, gjë që u formalizua në marrëveshjen e nënshkruar vetëm një ditë më pas ndërmjet Ministrit Ruli dhe kompanisë ACR. Edhe pse kjo marrëveshje nuk u miratua kurrë në Parlament duke vënë në dyshim serioz ligjshmërinë e veprimeve të Ministrit Ruli, sot pas egzaktësisht 3 vjetësh nga nënshkrimi i saj, kërkoj informacion lidhur me efektin ligjor dhe zbatimin e saj nga Kompania ACR dhe METE në lidhje me shlyerjen e gjobës së ACR ndaj shtetit” thekson Tahiri.