E Diel, 1 Nëntor 2026

Volfart takon Ramën: Çështjet e mbetura të zgjidhen politikisht. Mund të rikompozohet KQZ

Share

(E PERDITESUAR)- Kreu i PS-së, Edi Rama, është takuar gjatë paradites së sotme me kreun e OSBE-së në Tiranë, Eugent Volfart. Takimi është mbajtur pa praninë e mediave, por mendohet se temë e diskutimit ka qenë reforma zgjedhore.

Aktualisht kanë mbetur vetëm dy ditë në dispozicion dhe tre çështjet kryesorë të reformës, struktura e KQZ-së, procesi ankimor dhe sistemi elektronik i numërimit të votave, nuk janë zgjidhur.

Për këtë bllokim ka pasur akuza të dyanshme nga opozita dhe mazhoranca, ndërkohë që edhe roli i OSBE-së dhe sidomos Volfart, është kritikuar ashpër nga një sërë eksponentësh politikë, për mbajtjen e anës ndaj mazhorancës.

Pas takimit Volfart përsëriti se duhet vullnet politik për mbylljen e çështjeve të mbetura pezull të reformës zgjedhore, kur kanë mbetur edhe tre ditë. Ai tha se komisioni i reformës zgjedhore ka bërë një punë të mirë. Volfart tha se KQZ duhet të jetë një institucion që të gëzojë besim të plotë. Sipas tij për këtë arsye duhet gjetur një zgjidhje për këtë institucion. Qëllimi i takimit të sotëm me zotin Edi Rama ishte në vazhdën e bisedimeve tona të rregullta për axhendën e reformave. U përqendruam te reforma e Kodit Zgjedhor, ku po bëhen përpjekje të rëndësishme. Reforma e Kodit Zgjedhor duhet të përmbyllet. Disa çështje të rëndësishme janë ende të hapura dhe presin zgjidhje në ditët e ardhshme. Kjo vlen veçanërisht në lidhje me transparencën. Përgjatë gjithë procesit duhet ofruar transparencë maksimale, në mënyrë që zgjedhësit të kenë besim se vota e tyre numërohet në mënyrë korrekte dhe se vota e tyre ka vlerë. Është gjithashtu shumë e rëndësishme që të ekzistojë një besim i plotë në organin e quajtur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme, e cila ka nevojë për zgjidhje. Nëse më lejoni, unë do të bëj thirrje për një zgjidhje me sytë nga e ardhmja, që ofron shkallën maksimale të besimit të qytetarëve të këtij vendi te sistemi. Është e rëndësishme që të shkohet drejt një zgjidhjeje largpamëse, për të garantuar që ky proces të kryhet teknikisht në mënyrë korrekte në të ardhmen. Është, gjithashtu, shumë e rëndësishme që kjo zgjidhje të gjendet mes partive të përfaqësuara në parlament. Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, sikurse e kam thënë edhe më parë, ka bërë një punë shumë të mirë themelore dhe tashmë mbeten çështjet e fundit, ku përfshihet edhe KQZ-ja dhe çështja e transparencës, tha Volfart.

I pyetur nëse kjo nënkupton edhe rikompozimin e KQZ, Volfart tha: Fola për një zgjidhje që sheh përpara, e cila mund ta përfshijë edhe atë element. U takon palëve të dalin me një zgjidhje të përbashkët. Mandati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbaron para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme. Ky është momenti për një zgjidhje që sheh nga e ardhmja, që mund të përfshijë edhe atë element.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›