Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë u bën thirrje mediave të mbështesin aksionin e saj shoqëror
Ipeshkvinjtë e Kishës Katolike në Shqipëri janë mbledhur në Tiranë me datë 09-10 nëntor në Asamblenë e rregullt të Konferencës Ipeshkvnore, për të shqyrtuar, diskutuar dhe programuar punën baritore të besimtarëve dhe ate të përgjithshme në Shqipëri. Në Asamble morën pjesë: Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Dioqezës Tiranë-Durrës, Kryetar i Konferencës Ipeshkvore; Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv i Dioqezës Shkodër-Pultit, Zv/Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore; Imzot Luçian Avgustini, Ipeshkëv i Sapës, Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore; Imzot Cristoforo Palmieri, Ipeshkëv i Rrëshenit; Imzot Hil Kabashi, Administrator i Shqipërisë së Jugut; Imzot Ottavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës; Imzot George Frendo, Ipeshkëv ndihmës i Ipeshkvisë Tiranë-Durrës.
Në seancën e parë mori pjesë edhe Nunci Apostolik në Shqipëri, Shkelqësia e Tij Imzot Ramiro Moliner Ingles, i cili solli përshendetjet e Papës Benedikti XVI. Në fjalën e tij ai theksoi edhe angazhimin e Kishës Katolike në Shqipëri.
Gjatë dy ditëve të punës u prekën shumë pika, prej të cilave veçojmë: - Viti i meshtarisë i shpallur për gjithë botën nga Papa Benedikti XVI. Pas një analize të situatës në Shqipëri u programuan aktivitetet e ndryshme, kombëtare dhe ndërkombëtare, lidhur mbi këtë vit jubilar. - Një vend të veçantë zuri Enciklika “Caritas in veritate”. Pasi u bë një paraqitje e shkurtër e këtij dokumenti papnor u shyrtua situata në vendin tonë, veçanërisht në lidhje me varfërinë, papunësinë, respektin për jetën e të tjera tema të karakterit social dhe etik.
Në Konferencë u vendos të organizohet një simpozium lidhur mbi këtë dokument ku të shqyrtohet dhe diskutohet situata në vendin tonë. - Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së bijës sonë, të Lumes Nëne Tereza e Kalkutës, Ipeshkvinjtë diskutuan lidhur mbi kremtimin e këtij jubileu. U ngrit një komision “ad hoc”, i cili do të punojë për organizimin e një programi të larmishëm për këtë jubile. - Vlen të përmendet edhe diskutimi rreth disa çështjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë në lidhje me Shtetin, siç janë: kthimi apo kompensimi i pronave të Kishës Katolike; ligji për financim nga buxheti i shtetit i bashkësive fetare, i miratuar në maj të këtij viti.
Është paraqitur gjithashtu edhe puna e komisioneve të ndryshme që janë pranë kësaj Konference me të gjitha aktivitet e zhvilluara në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. - Duhet theksuar puna e Caritasit Shqiptar i cili është angazhuar në mënyrë të veçantë në situatën e emergjencës së termetit në Dibër. - Në fund Konferenca Ipeshkvnore ka zgjedhur Zëdhënësin dhe Përgjegjësin e Zyrës së shtypit të Konferencës në personin e Don Gjergj Metës. Për herë të parë kjo Konferencë do të ketë një zyrë shtypi që do të thotë një marrëdhënie me mediat e institucionalizuar duke konkretizuar edhe fjalët e Papës Benedikti XVI i cili në Enciklikën e tij të fundit “Caritas in Veritate” thotë se «…Mediat mund të përbëjnë një ndihmë të vlefshme për forcimin e bashkimit të familjes njerëzore dhe të ethos-it të shoqerisë, kur ata bëhen instrumenta të promovimit të pjesmarrjes universale në kërkimin e përbashkët të asaj çka është e drejtë».