E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si mjerë peshkatari që ka frikë nga lumi

Kur falet e liga, dënohet e mira

Projektligji për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, njohur si "ligji antimafia", ka shkaktuar, siç duket zemërim në selinë ylberiste. Deputetet e papunë të PS nxituan nëpërmjet Gjikës (dhe nurit) të shprehen: "E thënë ndryshe çdo qytetar që mund të ketë vënë pasuri mund të jenë subjekt i masave të këtij ligji, që do të thotë pasuria e tij mund të sekuestrohohet dhe ai duhet të japë llogari se si e ka krijuar këtë pasuri, dhe njëkohësisht ligji i jep kompetenca të gjera policisë e prokurorisë pavarësisht nga përfshirja ose jo e personit në aktivitetet kriminale që parashikon ligji" - tha ai gjatë një deklarate për media. Ishte një tronditje që ka plasur në selinë ku rrinë të papunë deputet apo si? Përgjigjen e kësaj do ta merrni në fund.
Eca në këmbë një copë herë në qytetin tim dje në muzg. Fryma e krimit në këtë qytet jugor ka pasur pushtet të madh dhe gjurmët e tij shfaqen dendur sot në rrugët e tij. Që pas viti 97 kur në këtë qytet shpërthyen trazirat kur zjarri përshkëndijoi këtë qytet krimi nisi të lulëzonte dhe të shfrytëzonte potencialet e tij kriminale. Ngryseshin të varfër gdhiheshin milionerë. Ali Asllani, poeti dhe ish-kryetari i bashkisë në këtë qytet, që ka vdekur 50 vjet më parë ka shkruar hani, pini e rrëmbeni, mbushni xhepa mbushni arka të papunë ju gjeti dreka milioner ju gjeti darka. Në këto xixëllima stolish të rrugëve që xixëllojnë krimi ka hedhur rrënjët e tij. Ai është këtu tek këto pallate me pronarë anonimë. Nuk kanë gjezdisur fare nëpër botë sepse nuk kishin nevojë për emigracionin. Janë pasuruar thjeshtë nga përftimi me punët e shtetit sepse qeverisjet socialiste nuk nxorën dhe nuk dërguan në burg asnjë shtetarë.
Nuk kanë qene në emigracion. Nuk kanë pasur pasuri. Nuk kanë pasur të ardhura. Mirëpo pyetja shtrohet thjesht si u pasuruan, ky besoj është edhe thelbi i projektligjit.
Ndiqni rrëfimin tronditës të të penduarit të bandës së Durrësit. Si viheshin gjobat, si ngriheshin pallatet, motelet etj. Si atje ka funksionuar edhe në qytetin tim, krimi dhe mafia. Nuk kemi urrejtje përse disa u pasuruan të tjerët jo, por ajo pyetje që shtrohet është se në këtë pasurim mafia ka pjesën e saj dhe në këtë qytet mafia u stacionua për shumë vite. Duhet të ketë qene vjeshtë e vitit 94, kur dr Berisha inauguroi universitetin e Vlorës. Erdhën me biçikleta pedagogët e parë. Sot kanë pallate, dyqane biznese dhe makina luksi. Nuk kalon dot tek gjykata e qytetit. Makinat e e markave të fundit të vrasin sytë. Kush prej tyre e provoi emigracionin atje ne perëndim kur vilej ulliri dhe duhani. Pushimet e tyre në vendet ekzotike apo ndjekja e netëve të bardha në Rusi u janë bërë të mërzitshme.
Nuk kam parë drejtues të shkojë në punë si puna jonë, me bukë me vete. Ca qeshën kur e nxjerrin bukën vetë. Ja ku është lokali na thanë. Po paratë, i pyetëm, ku janë? Bëni si shokët tuaj! Në të vërtetë paraardhësit groposën shumë para dhe ndonjë gjemb në këmbë nuk ju mbeti. Pehlivanë të parasë dhe muhabetit mashtrimit dhe rrëmetit. Njërin prej tyre e kishin parë sërish tek dyert e ministrisë. Shpresonte mos deti ishte bërë kos dhe luga i mbetej në brezë.     
Ishte bërë hazër. Vërtetë kapitalizmi ka në planë të parë paranë. Por atë të ndershmen. Kapitalizmi në qytetin tonë u konsideroi dhe ende vazhdon të konsiderohet si loja e mashtrimit të madh. Gënjeshtra është një plagë, dhe në u shëroftë të le nishan thotë populli. Gënjeshtra nuk ka as dorë, as këmbë, as bisht, as rrënjë. Ikën OJQ që përpinë miliona. Në të vërtetë bënë mirë. Nuk i sollën, asgjë qytetit. Gjeneronin paranë pa i kthyer këtij qyteti asgjë. Përveç gënjeshtrës e kishin bërë atë dhe këtë ndryshim që në të vërtet rezultonte në ca copa letre format A4, gjithë puna e tyre. Ka, që dhe gomarin mashkull e bëjnë me barrë thonë në qytetin tonë por nuk besoj se kjo kjo është shumica. Realiteti nuk lë shumë vend për të treguar se mafia ka pasur shumë punë në këtë qytet dhe ka gjeneruar para krimi. Cila është e keqja nëse bëhet transparenca? Cila frikë i tremb ishët që kanë filluar vrullshëm shpifjet. Nga e drejta dhe vërteta as kush nuk e pëson. Po atëherë përse tremben? Kur falet e liga, dënohet e mira. Dhe do të krahasoja këtë me shprehjen si mjerë peshkatari, që ka frikë nga lumi?

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›