E Diel, 1 Nëntor 2026

Kundërshtarët e Ramës rezolutë: PS, të hënën në parlament

TIRANE- Deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe u kërkojnë kolegëve të tyre socialistë që javën që vjen të ndërpresin bojkotin dhe të hyjnë në Parlament. Marko Bello, Kastriot Islami, Arben Malaj, por edhe Andis Harasani e Ben Blushi, që ndodhen jashtë Shqipërisë, pritet t’u çojnë kolegëve të grupit të tyre parlamentar një ftesë zyrtare, në formë rezolute.

5 deputetët nuk kanë vendosur të hyjnë ende në Kuvend, por ky është thjesht një propozim për gjithë grupin parlamentar, edhe pse nuk dihet nëse është edhe një shenjë paralajmërimi para se të ketë një vendim përfundimtar nga ky grup për të thyer bojkotin. “I kërkojmë të gjithë deputetëve të opozitës të rishikojnë vendimin për bojkotin e Kuvendit, për të qenë prezent në seancën kuvendore të datës 16 nëntor 2009 (me rastin e marrjes se vendimit të KE-së lidhur me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian), me synimin për ta bërë grupin kuvendor të opozitës pjesëmarrëse në këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët”, - thuhet në dokumentin që do t’u dorëzohet edhe dorazi deputetëve të PS-së.

Me anë të kësaj ftese me shkrim, 5 deputetët propozojnë që në këtë situatë PS-ja të demonstrojë si opozitë aktuale që, “ashtu si në të kaluarën, por edhe në të tashmen e në të ardhmen në drejtimin e vendit ka vendosur sistematikisht dhe vendos interesat madhore të Shqipërisë e të shqiptarëve mbi gjithçka, duke synuar njëkohësisht të arrijë pa kompromis e me konsensus standardet europiane dhe të plotësojë të gjithë detyrimet që rezultojnë nga ky proces përmes pjesëmarrjes së saj aktive dhe veprimeve konstruktive institucionale”. Në një prononcim televiziv, dy deputetët e kësaj lëvizjeje, Arben Malaj e Marko Bello kanë ftuar edhe zyrtarisht kolegët deputetë të PS-së që për të mirën e vendit dhe liberalizimin e vizave të hyjnë në Kuvend.

(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›