E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca Islamike miraton rezolutës e Shqipërisë për Kosovën



Nga Damasku vjen lajmi surprizë për shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë, 52 vendet islamike, në bllok, do të njohin pavarësinë e Kosovës. Në këtë mënyrë bien pretendimet e Serbisë pasi vendet anëtare të Konferencës Islamike, votuan dje me konsensus dhe pa asnjë ndryshim rezolutën që mbështet njohjen e Kosovës shtet, e iniciuar kjo nga Tirana zyrtare pas përpjekjesh të gjata diplomatike dhe e mbështetur nga Arabia Saudite dhe Turqia. Zëri i Kosovës në samitin e djeshëm të Damaskut ishte kryediplomati shqiptar Lulzim Basha, në krye të një delegacioni të gjerë. Kjo rezolutë u bën thirrje vendeve anëtare të konferencës, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, të ndërmarrin një hap të tillë. Rezoluta, e votuar nga të gjitha vendet e OKI-së, edhe nga ata që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, demonstron se Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm dhe njohja ndërkombëtare e saj, një proces i pandërprerë. Republika e Kosovës është njohur nga 60 shtete, 13 nga të cilat vende të kësaj organizate, dhe të tjera pritet ta njohin së shpejti. Basha konfirmoi se rezoluta nuk ka pësuar ndryshime, duke hedhur poshtë pretendimet serbe se është arritur të hiqet kërkesa për njohje të pavarësisë. Duke falënderuar shtetet anëtare të OKI-së, që tashmë e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, ministri Basha u bëri thirrje shteteve të tjera të ndërmarrin të njëjtin hap, pra të njohin Republikën e Kosovës, pasi përveç se një akt solidariteti me popullin e saj, do të jetë edhe një ndihmesë për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, çka do t’u ofrojë të gjitha vendeve të Ballkanit perspektiva të vërteta për zhvillimin dhe begatinë e tyre të mëtejshme. Miratimi i një rezolute në mbështetje të Kosovës dhe dialogu diplomatik për përshpejtimin e procesit të njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës, ishte objektivi kryesor i delegacionit të Shqipërisë në këtë aktivitet. Në këtë kontekst, ministri Basha zhvilloi një sërë takimesh me drejtues të OKI-së, me homologët e tij etj., midis të cilave veçohen ato me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Konferencës Islamike, prof. Ekmeleddin Ihsanoglu, me ministrat e punëve të jashtme dhe kryetarë delegacionesh si të Turqisë, të Bahrejnit, Jemenit, Marokut, Sirisë, Filipineve, Libanit, Bangladeshit, Kazakistanit, Egjiptit, Azerbajxhanit, Burkino Fasos, Irakut, Xhibutit, Guinesë etj. Në të gjitha takimet, ku vendin kryesor e zuri Kosova, ministri Basha theksoi gjithashtu edhe vullnetin e palës shqiptare për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, duke i dhënë përparësi asaj ekonomike dhe tregtare. U shkëmbyen gjithashtu mendime për situatën në rajonet respektive. Gjatë fjalës së mbajtur nga ministri Basha në seancën plenare të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OKI-së, çështja e Kosovës zuri vendin themelor. Ministri Basha theksoi se që nga 17 shkurti 2008, Kosova është bërë dëshmitare e zhvillimeve rrënjësore drejt progresit. Ajo, tashmë, është e lirë dhe e pavarur. Liria e saj ka krijuar një klimë të re që rrezaton paqe dhe stabilitet në fushën e sigurisë, të ekonomisë, të marrëdhënieve ndëretnike etj., jo vetëm në Kosovë, por edhe në krejt rajonin tonë. Në vazhdim, ministri Basha evidentoi progresin që ka njohur Kosova në të gjitha fushat. Institucionet demokratike dhe sundimi i ligjit janë në rrugën e forcimit dhe konsolidimit. Funksionalizimi i EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës është një garanci shtesë për vazhdimin e kësaj rruge. Republika e Kosovës ka tashmë Kushtetutën e saj moderne, që bazohet në parimet e lirisë dhe të demokracisë, duke ofruar mbrojtje të gjerë për të gjitha komunitetet pakicë. Kuvendi i Kosovës ka miratuar një numër të konsiderueshëm ligjesh që kanë të bëjnë me të drejtat e komuniteteve pakicë, përfshirë ruajtjen e zhvillimin e vlerave të tyre kulturore dhe fetare. Siguria rajonale është forcuar dhe Kosova e pavarur, aktualisht, është element shumë i rëndësishëm i arkitekturës së sigurisë ballkanike dhe më gjerë, asaj evropiane. Kjo është arsyeja që Republika e Kosovës, deri tani, është njohur nga 60 shtete, është pranuar anëtare e FMN-së dhe është bërë pjesëtare aktive në një numër nismash të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal. Së shpejti, priten njohje të reja, ashtu si institucione te tjera, ekonomiko-financiare, rajonale dhe ndërkombëtare, priten ta pranojnë në gjirin e vet shtetin e ri të Kosovës. Akti i njohjes është i frymëzuar nga bindja e thellë se me Kosovën e pavarur garantohet paqja dhe stabiliteti në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Çfarë përmban rezoluta

Rezoluta e Shqipërisë për Kosovën nxjerr në pah qartë se që nga shpallja e pavarësisë, më datë 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë progres në ndërtimin e institucioneve demokratike; ka krijuar kuadrin e nevojshëm ligjor dhe institucional bashkëkohor; ka kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Më tej, kjo rezolutë, e cila është e para e miratuar nga OKI-ja që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u bën thirrje vendeve anëtare të Organizatës dhe bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi, që të vazhdojnë të mbështesin forcimin e Kosovës dhe ekonomisë së saj. Rezoluta ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të OKI-së që në sesionet e radhës të ministrave të jashtëm të Organizatës të raportojë për dinamikën e zhvillimeve në Kosovë, duke e vendosur kështu Kosovën në axhendën e përhershme të Organizatës së Konferencës Islamike. Miratimi i kësaj rezolute dëshmon për një klimë krejt të re në marrëdhëniet e OKI-së me Kosovën, e cila vjen pas njohjes mjaft të rëndësishme të saj nga Arabia Saudite para disa javëve dhe njohjeve nga Bahrejni, Gana dhe Unioni i Komoreve. Ajo ecën e sigurt dhe e vendosur përpara drejt konsolidimit të shtetit, zhvillimit ekonomik, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe integrimit në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Samiti i Damaskut, Berisha: Akt historik ndaj Kosovës

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, përshëndeti dje rezolutën për Kosovën, të miratuar sot në takimin e Damaskut nga ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike (OKI), si një akt historik në mbështetjen e OKI-së dhe të 62 vendeve anëtare të saj, për pavarësinë e Kosovës, për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Sipas zëdhënëses Juela Meçani, Kryeministri Berisha falënderon përzemërsisht qeveritë e vendeve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike dhe drejtuesit e kësaj organizate për votimin e kësaj rezolute, si një akt miqësor ndaj një populli mik, ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kombit shqiptar në tërësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›