E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ardhurat, miliardat e buxhetit dyfishohen në 4 vjet



Buxheti i shtetit ka dyfishuar të ardhurat në katër vite qeverisjeje. Nga fundi i vitit 2004, kohë kur të ardhurat menaxhoheshin nga qeverisja socialiste, në fund të vitit 2009, në arkën e shtetit pritet të shkojnë rreth 150.4 miliardë lekë më shumë se katër vite më parë. Nëse u referohemi të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, ilustruar dhe me grafikët përkatës, vihet re ndryshimi i shifrës së të ardhurave që është arritur në kohën kur buxheti i shteti është menaxhuar nga demokratët. Nëse në vitin 2004 totali i të ardhurave arriti në 184.4 miliardë lekë, ato nisën të shtohen nga viti në vit, duke sjellë në arkën e shtetit çdo fund viti më shumë të ardhura sesa parashikimi. Duke arritur në vitin 2008, 290.1 miliardë lekë të ardhura totale, ku pjesa kryesore sigurisht është siguruar nga të ardhurat e tatimeve dhe doganave. Ndërkaq parashikimi i vitit 2009 sipas buxheti të shtetit është që në arkën e shtetit të grumbullohen rreth 334.8 miliardë lekë. Të ardhurat e buxhetit të shtetit janë dyfishuar në katër vite, në një kohë kur gjatë këtyre viteve janë përgjysmuar taksat. Ndërkohë që nëse do të krahasojmë të ardhurat e vitit 2000 me ato të pritshmet e vitit 2009, shohim që ato janë rritur me rreth 204 miliardë lekë më shumë. Në vitin 2000, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, u mblodhën gjithsej 130.6 miliardë lekë. Një ndikim në rritjen e të ardhurave ka pasur edhe shtimi i kompanive të huaja në vend tonë, çka do të thotë se investitorët e huaj ia besojë tashmë kapitalin e tyre Shqipërisë, e cila ofron shumë lehtësi fiskale për të bërë biznes. Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë një vend që po rrit vlerat e kapitalit të huaj të investuar në ekonominë e saj. Në këto katër vite, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një tërësi reformash për krijimin e një sistemi taksimi sa më nxitës dhe favorizues për biznesin, duke synuar kthimin e Shqipërisë në një vend tërheqës për të investuar. Tashmë Shqipëria ka një ritëm të qëndrueshëm të ekonomisë, ai është mesatarisht 6% dhe mbetet më i lartë në të gjitha vendet e rajonit edhe për vitin 2009, inflacioni në vitet e fundit është nën nivelin 3%, PBB në terma realë për frymë të popullsisë është rritur me 80% në tre vjet, i shprehur në dollarë (nga 2.336 USD/frymë në 4.202) ose me 42% i shprehur në lekë. Nga ana tjetër, qeveria ka rritur gjatë këtyre viteve pagat e pensionet, duke i dyfishuar ato në shumë sektorë. Për vitin 2009, qeveria bëri rritjen e radhës, duke nisur nga data 1 maj rriti pensionet dhe pagat. Qeveria ka siguruar se efektet e krizës nuk do të ndihen për këtë vit, pasi buxheti i shtetit është i shoqëruar edhe me fonde kontigjencash për të përballuar situatat e vështira që mund të lindin. Përveç shumës 20 miliardë lekë të reja, 2% të PBB-së që qeveria ka në kontigjenca, mendohet që të destinohet tërësisht për të garantuar stabilitetin në perspektivë dhe për të mënjanuar risqet e mundshme financiare dhe ekonomike, dhe të ardhurat që do të vijnë nga privatizimet, shuma e të cilave përllogaritet sipas shumave të kontraktuara, rreth 260 milionë euro.

Investimet u rritën në 4 vjet

Rritja e nivelit të investimeve, shërbimeve, por edhe politikat sociale kanë rritur shpenzimet e përgjithshme të buxhetit të shtetit nga viti në vit. Ekspertë të financave publike shpjegojnë se kjo rritje e shpenzimeve të përgjithshme reflekton dhe burimet në rritje të buxhetit të shtetit, si rezultat i politikave të drejta fiskale të ndërmarra gjatë këtyre viteve, si dhe të miradministrimit në rritje të të ardhurave tatimore dhe doganore.

Ndërkohë, sipas tyre, rritja e shpenzimeve të përgjithshme të buxhetit tregon qartë nivelin në rritje të investimeve dhe shërbimeve publike për ekonominë dhe qytetarët shqiptarë. Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, shpenzimet e përgjithshme të buxhetit në vitin 2009, krahasuar me vitin 2005, janë programuar në rreth 152.5 miliardë lekë ose 66 për qind më shumë. Shpenzimet korente në vitin 2009 janë rritur në rreth 283.7 miliardë lekë nga 193.9 miliardë lekë në vitin 2005, një rritje prej 46 për qind. Shpenzimet e personelit, nga 53.7 miliardë në vitin 2005 janë rritur në 59.6 miliardë në vitin 2009. Rritja e shpenzimeve të personelit reflekton qartë politikat që qeveria ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, të dukshme këto kryesisht në sistemin arsimor dhe sistemin shëndetësor.

Prodhimi vendas i energjisë u rrit me 34.1 për qind

Në 2 muajt e parë të vitit 2009 është rritur ndjeshëm niveli i energjisë së prodhuar në vend. Sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, rritja e energjisë së prodhuar në vend është mbi 30 për qind. Sipas raportit, gjatë 2 muajve të parë të vitit 2009, sektori energjetik vijoi prirjen pozitive të treguesve sikurse edhe në vitin e kaluar. Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të saj, thekson se gjatë kësaj periudhe, prodhimi vendas i energjisë u rrit me 34.1 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ekspertët vërejnë se rritja e prodhimit ndikoi në uljen e ndjeshme të importeve dhe kufizimeve, të cilat u zvogëluan respektivisht me 57.5 për qind dhe 95.5 për qind. Ndërkohë, profili i konsumit të energjisë nuk ka shënuar ndryshime të theksuara në krahasim me vitet e mëparshme. Konsumatorët familjarë mbeten përdoruesit kryesorë të energjisë me 61 për qind të tregut, të pasuar nga sektori privat dhe institucionet shtetërore, që përbëjnë 25 dhe 14 për qind respektivisht të kërkesës.

Inflacioni vjetor në 3-mujorin e parë arriti në 1.9 për qind

Inflacioni mesatar vjetor në tremujorin e parë të vitit 2009 u ul me 0.5 pikë përqindje, duke shënuar nivelin 1.9 për qind, shumë pranë kufirit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të BSH-së, ekspertët vlerësojnë se tendenca në rënie e normës vjetore të inflacionit, e vërejtur në mesin e vitit të kaluar, është shkaktuar kryesisht nga rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar gjatë asaj periudhe, nga ngadalësimi i ritmeve të kërkesës së brendshme, kushteve më të shtrënguara financiare dhe pritjet për inflacionin në rënie. Sipas tyre, mungesa e presioneve inflacioniste si nga mjedisi i jashtëm dhe ai i brendshëm reflektohet dhe në prirjen në rënie të inflacionit të mallrave të tregtueshëm dhe atij bazë, që në këtë tremujor shënuan përkatësisht 1.4 dhe 1.7 për qind. Banka Qendrore raporton se inflacioni mesatar vjetor, gjatë tre muajve të parë të vitit, ka marrë vlera pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë për stabilitetin e çmimeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›