E Diel, 1 Nëntor 2026

BE, shqiptarët së shpejti pa viza në BE



Bashkimi Evropian i përmbahet qëndrimit të saj për liberalizimin e shpejtë të vizave me Shqipërinë. Përgjatë përfundimeve lidhur me ecjen e procedurës për plotësimin e “road map”, raporti thekson se Shqipëria është në rrugën e drejtë për plotësimin e kushteve. Është vlerësuar lufta kundër trafiqeve, sigurimin e kufinjve si dhe përshendetet fillimi i pajisjes së qytetarëve me dokumenta identifikimi të sigurisë së lartë dhe pasaporta biometrike.

Mendohet që për vendet e Ballkanit të ketë sërish edhe një monitorim që mund të zhvillohet gjatë muajit qershor ose më vonë për të përcaktuar qartë progresin e mëtejshëm të këtyre vendeve mes tyre dhe Shqipërisë lidhur me plotësimin e të gjitha kushteve që janë vënë vitin e kaluar nga vendet e BE-së. Edhe pse disa vende evropiane si Gjermania, Spanja e Belgjika e kanë konsideruar të parakohshëm heqjen e vizave Shengen me Ballkanin, vende të tjera si Italia, Franca por edhe zyrtarët më të lartë të Komisionit Evropian si Barroso kanë kërkuar liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit.

BE miraton “kartën blu” për emigrantët

Bashkimi Evropian do të aplikojë “kartën blu”, ashtu siç aplikojnë prej vitesh Shtetet e Bashkuara të Amerikës “kartën e gjelbër” (Green Card). Dje këshilli i BE-së arriti të miratojë këtë projekt të nisur prej vitesh, që u jep mundësi shumë vendeve të tjera jashtë BE-së, që të fitojmë mundësi punësimi në vendet e BE-së. Por duket se “Blue Card” nuk është aq blu sa ka emrin, pasi ka dhe anën e saj të kushteve që janë shumë të rrepta. Sipas informacioneve që jepen në faqen zyrtare të ueb-it të BE-së, për këtë projekt bëhet e ditur se mund të përfitojnë nga ky projekt vetëm vendet që kanë marrëveshje asociim-stabilizimi me BE-në dhe prioritet janë ato vende që kanë aplikuar si vend kandidat, ku përfshihet dhe Shqipëria. Ndërkaq emigrimi i ligjshëm nuk do të jetë aq fitimprurës për masën e emigrantëve që duan të punojnë në punë të pakualifikuara, gjë që përbën dhe pjesën dërmuese të emigrantëve. Me këtë kartë, qeveritë evropiane u japin prioritet emigrantëve që plotësojnë disa kritere që kryesisht kanë të bëjnë me kualifikimin në shkollë dhe në punë. Qeveritë evropiane e kanë cilësuar “Kartën Blu”, një leje pune për imigrantët që përmbushin kriteret kryesore dhe një sërë masash penale për ndëshkimin e punonjësve pa dokumente në BE. "Jam shumë i kënaqur që Evropa ka vendosur të zbatojë dy elementë të rëndësishëm të politikës së saj të përbashkët për imigracionin”, - deklaroi Jacques Barrot, komisioneri evropian për drejtësi dhe siguri. Sipas tij, këto dy masa bëjnë pjesë në “paktin e imigracionit dhe azilit”, miratuar në muajin dhjetor të vitit 2008, objektivi i së cilës është organizimi i imigracionit legal dhe lufta kundër imigracionit klandestin. “Karta blu”, që do të jetë e gatshme brenda dy viteve në vendet evropiane do të konkurrojë me “kartën e gjelbër” amerikane, duke e bërë kështu BE-në më tërheqëse për të diplomuarit në vendet e treta dhe për t'u mundësuar gjithashtu shteteve t'u përgjigjen punonjësve të tyre në nivele të larta. Kjo kartë do të ketë një kohëzgjatje deri në katër vjet dhe nuk do të jetë kurrë ekuivalente me kartën e gjelbër, sepse kjo leje pune do të jetë vetëm për shtetet ku do të dorëzohet. Sanksionet penale parashikojnë të sensibilizojnë ndërmarrjet të luftojnë kundër imigracionit klandestin. Ndërmarrjet, por gjithashtu dhe drejtuesit e tyre do të jenë të përfshirë nga sanksionet administrative si rimbursimi i ndihmave publike, përjashtimi nga tregjet publike për pesë vjet ose mbyllja e ndërmarrjeve. Pakti për imigracionin dhe azilin favorizon imigracionin dhe lehtëson riatdhesimin e imigrantëve të padëshirueshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›