E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e 9-të e BSH, Sequi: Të ulet borxhi publik

TIRANË- Pas FMN-së dhe Bankës Botërore edhe Bashkimi Europian i bën apel qeverisë që të tregojë kujdes me borxhin publik, tregues që ka arritur në rreth 60% të Produktit të Brendshëm Bruto. Gjatë konferencës së 9 ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë, ambasadori i BE-së në Tiranë Etore Sequi deklaroi se ulja e borxhit dhe reforma strukturore janë dy drejtimet që do të ndihmojnë zhvillimin e ekonomisë vendase.

“Edukimi financiar mund të luajë një rol të rëndësishëm për zhvillimin e sistemit financiar të Shqipërisë dhe për të ndërtuar besimin publik në sistemin financiar. BE shpreson se përmirësimi i edukimit financiar ofron përfitime konkrete për individët dhe shoqërinë në përgjithësi. Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian, qëllimi i BE është që të sigurojë stabilitet financiar, siguri për sektorin privat që operon në vend dhe mbrojtjen e konsumatorëve e investitorëve. Duke pasur parasysh opinionin e KE për 2010 mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim, legjislacioni shqiptar në fushën e shërbimeve financiare është pothuajse në një linjë me standardet europiane, duke shtruar një themel të fortë për aleancat e ardhshme. Forcimi i mbikëqyrjes në fushën makroekonomike mbetet jetike për Shqipërinë, zbatimi i rregullave fiskale, reduktimi i borxhi publik dhe zbatimi i reformave strukturore janë komponentë kryesorë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, që do të stimulonte rritjen dhe do të rriste të ardhurat, ndërsa ka kapacitete të mjaftueshme në sistemin bankar, përpjekje të mëtejshme nevojiten në sektorin financiar jobankar”, u shpreh Sequi.

Ndërkaq ministri i Financave Ridvan Bode dhe Guvernatori Fullani vunë theksin tek informimi publik, c’ka do të ndihmonte qytetarët në zgjedhjet që bëjnë. Duke marrë si shembull krizën që tronditi globin kryefinancieri Bode kërkoi rritjen e transparencës dhe informimit të publikut për financat.

“Informimi publik është i domosdoshëm dhe formimi i qytetarëve dhe zhvillimet në tregjet financiare po ashtu, pasi shpeshherë ne ndodhemi përballë manipulimeve me dashje rreth zhvillimeve në tregjet financiare dhe këto manipulime vijnë nga interesa tregtare, të kompanive që veprojnë në tregje deri në interesa të mirëfillta politike, ku përfaqësues të politikës dalin dhe bëjnë thirrje, japin konkluzione për sistemin financiar në tërësi, apo për banka të vecanta, duke krijuar situata paniku e dezinformimi të dëmshme për ekonominë e vendit”, tha Bode.

Ndërsa Guvernatori Fullani u shpreh se “Banka e Shqipërisë gjykon të nevojshme hartimin dhe zbatimin e një strategjie kombëtare për edukimin bashkëkohor financiar. BSH është e gatshme t’i bashkohet cdo nisme të nivelit kombëtar, e cila do të synonte të promovonte përhapjen dhe depërtimin e dijes në mbarë vendin”,theksoi ai.

Gjatë konferencës kanë referuar përfaqësues të sistemit bankar dhe akademikë, të cilët kanë vlerësuar se rritja e kulturës financiare të qytetarëve ndihmon në rritjen e mirqënies ekonomike.
(m.a/News24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Konferenca e 9-të e BSH, Sequi: Të ulet borxhi publik

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›