E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferenca e Kryetarëve/Diskutimi për komisionin hetimor, pasi PS të ndërtojë kërkesën sipas ligjit

14-12-2010 / Gazeta 55

Edhe pse ka zgjatur më shumë se 2 orë konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare, mazhoranca dhe opozita nuk kanë gjetur konsensusin për datën kur do të votohet në parlament komisioni hetimor për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. PS ka kërkuar që në seancën e së enjtes në datën 16 dhjetor të ngrihet komisioni, ndërkohë që PD-ja ka kërkuar më shumë për t’u shqyrtuar në komisionin e ligjeve duke propozuar datën 23 qershor si seanca e votimit të projekt-vendimit për hetimin e zgjedhjeve.
Në vazhdim të mbledhjes së datës 06. 12. 2010, u ri-mblodh dje Konferenca e Kryetarëve, për të rimarrë në shqyrtim kërkesën e Grupit Parlamentar të PS mbi: “Ngritjen e një komisioni hetimor, për hetimin e shkeljeve të ligjit në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë Qershor 2009”. Në mbledhjen e kaluar, atë të datës 06. 12. 2010, Konferenca e Kryetarëve i kishte kërkuar  grupit nismëtar, plotësimin  e kërkesës lidhur me përbërjen e këtij komisioni. Ndonëse në mbledhjen e sotme grupi nismëtar nuk kishte bërë asnjë plotësim lidhur me përbërjen, Konferenca e Kryetarëve debatoi gjatë rreth kërkesës.
Në mbledhje u evidentua fakti se formulimi i pikës 3 të kërkesës në lidhje me përbërjen e këtij komisioni, vjen në kundërshtim me ligjin e Komisioneve Hetimore.
Raporti midis mazhorancës dhe opozitës në komisionin hetimor dhe përbërjen e tij është kriter formal-juridik, pa plotësimin e të cilit kërkesa nuk mund të vihet në lëvizje. Për këtë shkak, kërkesa iu kthye grupit nismëtar për plotësim dhe korrigjim. Përfaqësuesit e mazhorancës shprehën gatishmërinë për të asistuar grupin nismëtar për formulimin e kësaj pike në përputhje me ligjin, me qëllim që ti hapet rruga sa më shpejt  ngritjes së Komisionit Hetimor. Më tej, konferenca diskutoi për datën e shqyrtimit në Seancë Plenare të kësaj nisme. Lidhur me këtë çështje mendimet në Konferencë u ndanë për datat 17. 12. 2010 dhe  23. 12. 2010. Për këtë arsye i takon Kuvendit të Shqipërisë të caktojë datën e shqyrtimit në seancë. Konferenca e Kryetarëve do të ri-mblidhet sapo grupi nismëtar të plotësojë dhe korrigjojë kërkesën fillestare.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›