Për vitin 2010, rritja ekonomike parashikohet në 4,1 për qind

Bode: “Rritja ekonomike pozitive ishte një lajm po ashtu pozitiv për ekonominë shqiptare në opinionin ndërkombëtar dhe aq më tepër me ritme të tilla kaq të larta duke shënuar nivelin më të lartë të rritjes ekonomike në Europë dhe në rajon”
Rritja e ritmit të rritjes ekonomike gjatë viteve në vijim u konfirmua edhe nga ministri i Financave, Ridvan Bode. Kreu i dikasterit të Financave u shpreh dje se Shqipëria përgatitet për një rritje vjetore ekonomike deri në shifrat 4.1 për qind. Gjatë konferencës “Axhenda e re e rritjes ekonomike për Shqipërinë”, organizuar nga Ministria e Financave dhe Banka Botërore, Bode tha se gjatë dekadës së fundit, e veçanërisht gjatë 3 – 4 viteve të fundit, vendi ynë ka shënuar rezultate mjaft pozitive sa i takon performancës dhe zhvillimit të tij ekonomik.
“Një rritje ekonomike me mesatarisht mbi 6 për qind në vit, (nga më të lartat në Europë); thuajse trefishimi i të ardhurave për frymë në harkun e disa viteve dhe klasifikimi i vendit nga një vend i varfër në një vend me të ardhura mesatare; rezultate të tjera pozitive ekonomike të konfirmuara tashmë nga institucione të ndryshme ndërkombëtare mes të cilave dhe BB-ja, për rezultate pozitive në ambientin makroekonomik të vendit të stabilizuar, për një sasi reformash strukturore, reforma që kanë të bëjnë me përmirësimin e ambientit për biznesin, janë një dëshmi e fortë jo vetëm për progresin ekonomik të bërë gjatë viteve të shkuara, por krijojnë gjithashtu një mundësi dhe japin një perspektivë pozitive optimiste edhe për të ardhmen e vendit tonë. Kjo dinamikë e progresit ekonomik manifeston një trend të qartë të Shqipërisë drejt konvergimit në nivelet e mirëqenies të vendeve të zhvilluara dhe të unionit ku ne aspirojmë të integrohemi në procesin e integrimit evropian. Axhenda e rritjes ekonomike të Shqipërisë dhe zhvillimit ekonomik të vendit, sigurisht që u afektua nga zhvillimet në ekonominë rajonale dhe atë botërore e filluar me krizën e sistemit financiar dhe pastaj me krizën ekonomike globale, ndikuan në ritmet e zhvillimit të rritjes ekonomike duke kaluar nga rritje prej 8 për qind në vitin 2008 në 3.3 për qind në vitin 2009 dhe pritet që për vitin 2010 të shkojnë në 4.1 për qind, u shpreh ministri i Financave Ridvan Bode, duke shtuar se, mbetemi me dinamizmin më të madh ekonomik edhe përgjatë periudhës së krizës”.
Trendi ekonomik, i konsoliduar për vitet në vijim, falë kursit të reformave
Ai foli për një trend ekonomik të konsoliduar edhe për vitet në vijim. Sipas tij, dinamizmi ekonomik i Shqipërisë do vazhdojë të ruajë ekuilibra pozitivë, falë kursin të reformave të shëndetshme që ka aplikuar qeveria.
“Zhvillimet e dekadës së fundit dëshmojnë qartë se tashmë vendi është në një trend të mbarë ekonomik, ekonomia ka një dinamizëm të saj pozitiv. Duhet thënë se dinamizmi dhe rritja e ekonomisë shqiptare pikërisht ka përballë suksesin, modelin tonë ekonomik i cili bazohet në një qëndrim tërësisht liberal ndaj biznesit dhe në një politikë mbështetëse në raport me të. Dhe kjo na bën të besojmë se edhe në të ardhmen e nesërme ekonomia shqiptare do të vijojë të performojë siç performoi përgjatë krizës në mënyrën më pozitive. Qeveria mendon se si bazë për të garantuar një rritje ekonomike të qëndrueshme ka shërbyer dhe do të shërbejë stabiliteti makroekonomik i vendit, angazhimi i saj thelbësor edhe për gjatë periudhës së krizës dhe presioneve të krizës globale në ekonominë shqiptare për të mos de-natyruar treguesit kryesorë që përbëjnë bazën e ekonomisë shqiptare të tilla si niveli i borxhit publik, i deficitit, i inflacionit, i papunësisë, i kursit të këmbimit, i raporteve të ekonomisë shqiptare me ekonominë rajonale dhe atë ndërkombëtare. Të gjitha këto kanë qenë dhe mbeten në vëmendje të qeverisë shqiptare për të krijuar shtratin mbi të cilin duhet të ndërtohen strategjitë e biznesit në planin mikroekonomik”, deklaroi ministri Bode.
Të suksesshme politikat qeveritare ndaj biznesit
Sukses të veçantë, cilësoi Bode, modelin e zhvillimit të ekonomisë së vendit, përmes politikave mbështetëse ndaj biznesit.
“Mendoj që politika e taksave të ulëta të drejtpërdrejta mbi biznesin, e dëshmuar gjatë viteve të fundit, afrimi i raporteve mes taksave të drejtpërdrejta dhe atyre jo të drejtpërdrejta drejt ekonomive më dinamike të botës, përbën ritmin më të mirë të politikave tona fiskale”, tha ministri.
Duke konfirmuar kursin reformator në ekonomi, ai shtoi se qeveria do vijojë me reformat për liberalizimin dhe rregullimin. Në këtë sens, qeveria në harkun e tre-katër viteve të fundit ka mundësuar mënjanimin e një numri të madh të licencave dhe patentave.
“Përmirësimi i shërbimeve në raport me biznesin përmes modernizimit të tij në disa sportele unike për kryerjen e një numri të madh procedurash, ulja e kostos për hyrjen dhe daljen nga tregu, uljen e kostos për përfitimin e lejeve dhe licencave përbën një nga elementët të cilët kanë mundësuar dhe kanë lehtësuar biznesin në ndërtimin e strategjive investuese dhe rishpërndarjen e aktiviteteve të tyre në një kohë sa më të shkurtër”, tha më tej kreu i Financave. Për sa i takon sektorit bankar, përbën rreth 90 për qind të sistemit tonë financiar, ministri Bode theksoi se “do të vijojë të jetë partneri kryesor në krijimin e kushteve më lehtësuese në strategjitë investuese të kompanive”.
Misioni i BB, kontribut i rëndësishëm për ekonominë
Gjithashtu ai vlerësoi misionin e Bankës Botërore, prezencën në Shqipëri, këtë organizëm prestigjioz ndërkombëtar për kontributin që jep në kohën e duhur rreth zhvillimeve ekonomike në Shqipëri. “Raporti, memorandumi ekonomik për Shqipërinë rreth Axhendës së re të rritjes ekonomike na krijon edhe një herë mundësinë për të analizuar zhvillimet në ekonominë shqiptare për gjatë viteve të fundit dhe njëkohësisht për të përvijuar tërësinë e reformave dhe masave, politikave dhe instrumenteve të cilat do të ishin të nevojshme për të mbështetur ekonominë shqiptare në sfidat e saj për rritje të lartë ekonomike dhe për një pozicion gjithnjë e më evident në ekonominë rajonale dhe atë globale”, tha ministri i Financave.