Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Presidentit të Komisionit te Jashtem te Parlamentit Italian, Umberto Ranieri
Kryeministri Berisha dhe Presidenti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Italian, Umberto Ranieri, dhanë sot një konferencë të përbashkët për shtyp.
Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam një takim me zotin Ranieri, mik i shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Diskutuam me Presidentin e Komisionit të jashtëm të Parlamentit italian, të gjitha aspektet e marrëdhënieve tona, i shpreha mirënjohjen time të thellë qeverisë, popullit italian dhe Italisë për ndihmën e jashtëzakonshme që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë këtyre viteve, në rrugën e ndërtimit të demokracisë dhe të ekonomisë së tregut. Ky solidaritet dhe kjo ndihmë ka patur një rëndësi shumë të madhe, për zhvillimin e demokracisë dhe të ekonomisë së tregut në Shqipëri. Bashkëpunimi midis dy vendeve dhe marrëdhëniet janë të shkëlqyera. Bashkëpunimi shtrihet në të gjitha fushat, politike, ekonomike, juridike, forcavre të rendit, ushtarake, arsimore, kulturale , turistike, pra të gjithëanshme. Kam kënaqësinë gjithashtu që informova presidentin Ranieri për interesin në rritje të biznesit të madh italian për Shqipërinë.Kompani të madha italiane kanë projekte shumë të mëdha për Shqipërinë, në fushën e energjisë, turizmit, cimentos dhe të infrastrukturës. Cdo ditë e më i madh bëhet interesi i këtyre kompanive për Shqipërinë. Diskutuam për zhvillimet politike në Shqipëri, e sigurova presidentin Ranieri se qeveria mbetet e vendosur, për konsolidimin e standarteve politike në të gjitha fushat. Në rrespekt të plotë të pluralitetit dhe opozitës, të votës së lirë, të fjalës së lirë, pavarësisë së mediave dhe zgjerimin e hapsirave të lirisë, sikundër mbetet e hapur përzgjedhja konsensuale e kryetarit të shtetit me kushtin e vetëm që ajo të mos konceptohet si imponim.
Shfrytëzova rastin për të ftuar edhe njëherë për të vizituar Shqipërinë, kryetarin e këshillit të Ministrave, të Republikës italiane, Romano Prodi si një eveniment shumë të rëndësishëm midis dy vendeve, sikundër shpreh kënaqësisë se në qershor Ministri i Jashëm i Italisë, zoti D'alema, do të vizitojë Shqipërinë dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së panairit të Levantes, në qershor në Shqipëri.
Diskutuam për situatën në rajon me zotin Ranieri, i shpreha mirënjohjen zotit Ranieri për rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm që Italia ka luajtur në stabilitetin e Gadishullit, në zgjidhje e problemit të krizës së Kosovës, në kontributin e madh në ndërtimin e saj dhe rolin e saj shumë të rëndësishëm në grupin e kontaktit dhe Këshillin e Sigurimit në BE, për statusin final të Kosovës. Shpreha shqetësimin tim për një lloj ksenofobie që ka shpërthyer e që po qarkullon tani ndaj shqiptarëve, për për shkak të daljes të problemit të Kosovës në stadin final, si dhe shpresën time që Rusia të rishqyrtojë politikën e saj në Ballkan. Historia provoi se stabiliteti i Ballkanit nuk mund të arrihet nëpërmjet hegjemonizmit të njërit apo tjetrit vend dhe jemi të dy plotësisht dakort që bashkëpunimi rajonal, e ardhmja evropiane janë rruga më e sigurtë e zhvillimit dhe stabilitetit të rajonit. Faleminderit"
Presidenti i Komisionit te Jashtem te Parlamentit Italian, Umberto Ranieri: "Pata rastin ti konfirmoj kryeministrit Berisha, vullnetin e Italisë për të vazhduar në rrugën e bashkëpunimit dhe të mbështetjes së fortë ndaj Shqipërisë. Italia ka mbështetur dhe mbështet aspiratat e Shqipërisë në rrugën e integrimit të saj në BE dhe në Nato. Një Shqipëri anëtare e BE dhe një Shqipëri anëtare e Natos-s, do ti japin këtij vendi një stabilitet më të madh dhe se do ti japin një rol akoma më të madh stabilizues Gadishullit Ballkanik.
Natyrisht që Shqipëria tani po punon për të përmbushur të gjitha kushtet e parashikuara nga BE dhe natyrisht nevojitet një sintoni dhe një angazhim i të gjitha forcave politike pa asnjë dallim, pikërisht për të përmbushur këto kushte, për të forcuar demokracinë e brendëshme dhe për të realizuar të gjitha reformat ekonomike dhe politike të parashikuara nga Marrëveshja e nënshkruar me BE.
Biseduam gjithashtu edhe për nevojën e rritjes së rolit të Italisë dhe të bashkëpunimit me Italinë në sektorin e ndërtimit të veprave infrastrukturore, folëm për rritjen e bashkëpunimit në sektorin energjitik, për ndërtimin e linjave të interkonjeksionit, të rëndësisë primare për ndërtimin e rrugëve. Në fushën e arsimit kujtuam se janë 10 mijë studentët shqiptarë që sot studiojnë në Itali dhe që po përfaqësojnë dhe po përgatitetn që të jenë brezi i ardhshëm i drejtuesve të këtij vendi. Theksuam që sfidat që Shqipëria ka sot përballë duhet që të përballohen me angazhimin e bashkuar të të gjitha forcave politike, në konsensusin e të gjitha forcave që janë sot të pranishme në Parlamentin shqiptar. Dialektika e alternativës, ndeshja politike, nuk duhen kurrë të vënë në diskutim disa parime që janë në bazë të një shteti demokratik. Si shenjë respekti ndaj opozitës,njohja e rolit të saj, respekti i ndarjes së pushteteve dhe në vecanti roli i shtypit, i organeve të informimit dhe pavarësia e sistemit gjyqësor. Dhe pikërisht në këtë drejtim po punohet dhe sic e tha dhe kryeministri Berisha për sa i përket zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm të Shqipërisë me një konsensus sa më të gjerë të mundshshëm me qëllim që Kryetari I Shtetit të jetë garantuesi I ekuilibrit të këtyre pushteteve.
Dhe kjo është ajo që shpreson, pra pritshmëria e BE, kundrejt klasës politike shqiptare. Edhe ne në Itali jemi të bindur se stabiliteti I Ballkanit nuk varet nga homogjenitë e një vendi të caktuar, por nga demokratizimi i të gjithë shteteve të Ballkanit, nga një bashkëpunim i tyre dhe nga perspektiva e përbashkët e integrimit evropian. Dhe në këtë konteks shpresojmë që zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës të bëhet sipas orientimeve të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Siç e tha dhe Kryeminisri Berisha, i cili ndau këtë mendim, Italia dhe Shqipëria kanë fate të lidhura ngushtë me njëri – tjetrin. Pra Italia do të vazhdojë të luajë rolin e saj mbështettës ndaj Shqipërisë dhe vlerëson lart të gjitha hapat e para drejt integrimit të Shqipërisë në BE.
Dhe një nga këto hapa i cili është përmbushur, por që duhet mbajtur gjithmonë parasysh është lufta kundër krimit, trafiqeve të paligjshme, trafikut të drogës dhe lufta pa demagogji, kundër korrupsionit."
Pyetje: Zoti Ranieri, krahas këshillave dhe mbështetjes që ju dhatë për Shqipërinë, Kur do të ratifikojë Italia marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit për Shqipërinë, pasi shumë vende e kanë bërë këtë tashmë?
Zoti Ranieri: Sic mund ta mbani mend, Italia është një nga vendet e para që mbështeti fuqishëm fillimin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, në mos gabohem në vitin 2000. Kujtoj këtu angazhimin e fuqishëm të Kryetarit të atëhershëm të Bashkimit Europian Romano Prodi dhe të qeverisë italiane. Qeveria italiane do të aprovojë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes në këto javë të Majit dhe pastaj ky projektligj do t'i kalojë për ratifikim parlamentit dhe shpresoj të konkludohet sa me shpejt te jete e mundur.
Kryeministri: Desha të shtoj dy fjalë këtu. Presidenti Ranieri përsonalisht është angazhuar për përshpejtimin e procesit të ratifikimit nga parlamenti Italian të marrëveshjeve dhe për këtë ne i jemi shumë mirënjohës. Por duhet të theksoj gjithashtu se edhe në mesazhin që erdhi nga Riga, Presidenti Prodi ka një kontribut shumë të rëndësishëm dhe ne I jemi shumë mirënjohës për këto.
Pyetje: Zoti Berisha,përmendët pak më përpara përpjekjet për konsensus në zgjedhjen e Presidentit. Dicka më konkrete, si do të arrihet ky konsensus me këto marrëdhënie delikate me të ?
Kryeministri Berisha: Deri tani janë tre opsione. Opsioni i parë, disa personalitete, të cilat kanë shprehur gadishmërinë dhe vullnetin e tyre për të kandiduar si president Republike. Mediat , shoqria civile kanë qene të angazhuara në promovimin e tyre. Unë mendoj se kjo ka qenë një garë e dobishme. Opsioni i lidhur me të është se ne jemi të vendosur për president konsensual, në rast se opozita është e vendosur. Ne kemi një trashëgimi në këtë drejtim dhe ky ka qenë në të shkuarën, pesë vjet më parë, një process krejtësisht transparent. Të dy palët u ulën me shpirtin e konsensusit. Në listën e emrave të paraqitura nga qeveria e atëhershme, unë pranova njerin prej tyre. Për arsye të ndryshme kandidati i qeverisë nuk pranoi. Dhe qeveria njohu të drejtën time për të propozuar dhe unë u përpoqa të paraqisja emra, ndër të cilët ishte i pranueshëm më shumë se të tjerët , presidenti aktual i Republikës. Unë mendoj se kjo është një formë konsensusi. Formë tjetër konsensusi është të paraqesim emrat në parlament dhe ai që merr më shumë vota. Mendoj se ideja se presidenti duhet të jetë ose i këtij kampi, ose zgjedhje të reja, nuk është një ide që i shërben konsensusit.
Pyetje: Kryetari I PS-se, Edi Rama ka deklaruar se zgjedhje të parakohshme janë pashmangshme, jo për shkak për krizës presidenciale, por për shkak të mospasjes së votave të mjaftueshme për mazhorancën në paralament. A do të pranonit votëbesimin?
Kryeministri: Së pari duhet të përgëzoj opozitën që shfrytëzon prerogativat kushtetuese për mocion ndaj kryeministrit. Është gjëja më normale. Dhe këtu do të jetë parlamenti që do të faktojë nëse qeveria i ka apo nuk i ka votat. Një gjë eshtë e sigurtë, pavarësisht nga problematika e vendit, Shqipëria është një demokraci funksionuese. I ka të gjitha rregullat dhe prerogativat ligjore, kushtetuese, për të funksionuar dhe do të funksionojë.
Pyetje: Po votat e brishta të koalicionit që janë vënë re në disa vendime për refiormat, a mundtë bëhen shkak për zgjdhje të parakohshme
Kryeministri: Deri më sot janë votuar të gjitha reformat
Gazetari: Një pjesë e tyre janë shtyrë
Kryeministri: Jo, nuk janë shtyrë, se nëse quan shtytje debatin në parlament,kjo është gjëja më normale. Është paralamenti ai që ka autoritetin e plotë për të shqyrtuar të gjitha projektet që dërgon qeveria.Dhe unë e kam mirëpritur dhe mirëpres rolin aktiv të tij. Por ligjet e reformat që ka gërguar qeveria në parlament janë votuar dhe reformat ecin me një shpejtësi më të madhe se më parë.