E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministri Berisha

Gjatë konferencës për shtyp, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të gazetarëve të pranishëm.

Pyetje: Duke folur për investimet, një ditë më parë keni pasur akuza nga kryetari i PS-së Edi Rama, sipas të cilit qeveria nuk është treguar e vëmendshme në investimet për pushtetit vendor, madje ka dhe shpërndarje të padrejtë të këtyre investimeve...

Kryeministri Berisha: Rama u  duk dje si djali para pasqyrës. Kishte vënë promterin dhe nuk kuptohej në lexonte ai, apo promteri. Ai foli për decentralizimin, unë i them të shohë Tiranën. Ne jemi shumë të vendosur për procesin e decentralizimit. Unë nuk komentoj fjalime të bëra si para pasqyrës dhe që nuk kanë asnjë substancë.

Pyetje: Mediat ndërkombëtare raportuan se ju keni kërkuar ndihmë financiare për Kosovën, pas statusit. A ishte e gatshme Japonia për këtë?

Kryeministri: Kosova ishte një nga temat kryesore gjatë vizitës. Një numër zyrtarësh japonezë e kishin vizituar Kosovën dhe e njohin atë. Japonia është ndër donatorët më kryesorë në botë dhe unë bëra thirrje që të shqyrtojmë mundësinë e një ndihme rajonale për Kosovën. Të njëjtën gjë, ish Kryeministri Mori i paraqiti, gjatë darkës, Kryeministrit Fukuda. Jam i bindur se si direkt, ashtu edhe në konferencën e donatorëve që do të zhvillohet për Kosovën, Japonia mike do të japë kontributin e saj për paqen dhe stabilitetin në Kosovë e rajon. 

Pyetje: Për sa i përket çmimit të bukës, a do të marrë ndonjë masë qeveria për ta mbajtur nën kontroll çmimin e atë?

Kryeministri Berisha: Qeveria po e ndjek me vëmendje të plotë këtë çështje. Ajo i siguron qytetarët se do të kompensojë qindarkë për qindarkë rritjen e çmimit. Në një vend të lirë, qeveria nuk përcakton çmimet, por ajo merr përsipër të indeksojë plotësisht dhe tërësisht lëvizjen e tyre.

Së dyti, unë po flas për indeksim, që, në fakt, nuk qenë asnjëherë indeksim, por ka qenë disa herë indeksim. Nëse marrim parasysh lëvizjet që kemi bërë me pensionet, pensionet e invaliditetit, pensionet e pleqërisë, ndihmën ekonomike, pagat, të gjitha së bashku janë shumë herë më tepër se indeksim. Unë po flas për detyrimin  ligjor e moral të qeverisë, i cili qëndron në kompensimin e plotë e total të lëvizjes së çmimeve.

Së treti, duke respektuar plotësisht tregun, unë ju garantoj se qeveria do t’i japë përgjigjen e merituar ligjore spekulimit. Çdo vend i lirë i jep përgjigjen ligjore spekulimit dhe ne nuk tërhiqemi. Ndonëse na rritet fatura, ne do ta përballojmë atë, me indeksim të plotë.

Nga ana tjetër, nuk mund të na marrin kurrë përpara spekulantët, nuk do të mund ta na imponojnë të shkelim interesat e 400 mijë fermerëve shqiptarë, për të mbushur xhepat një grusht njerëzish. Ne pranojmë fitimin, çmimet dhe rregullat e tregut. Ne do ta kompensojmë në çdo qindarkë, në përputhje me indeksin e çmimeve, por, natyrisht, nuk përkulemi para spekulimit.

Pyetje: Zoti Kryeministër, më lejoni të flas për një nga reformat më të rëndësishme pas asaj në drejtësi, reformën zgjedhore, ku ju jeni angazhuar edhe në Bruksel. Por, ndërsa për reformën në drejtësi duket se ka një ecuri procesi midis forcave politike, reforma zgjedhore ka mbetur në vend. Tashmë po afrohet edhe samiti i Bukureshti. Sa kohë ka që kjo reformë të nisë, cilat janë vështirësitë dhe a do të pasohet kjo me një takim tuajin me kryetarin e PS-së, zotin Edi Rama, duke qenë në retrospektivë, siç ka pasur një takim tuajin me zotin Nano për reformën zgjedhore në vitin 2003?

Kryeministri Berisha: Së pari, më lejoni të theksoj se unë jam shumë optimist për reformën zgjedhore. Së dyti, unë kam dhe do të kem mirëkuptim për kërkesat e opozitës.

Unë jam optimist për këtë reformë, sepse të dy partitë e mëdha dhe partitë e tjera janë të vendosura për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm. Opozita pretendon kartat e identitetit dhe ka 100 për qind të drejtë në pretendimin e saj, sikundër ky është edhe pretendimi ynë, si edhe pasaportat, listat elektronike, antidushkun. Ne, të gjithë jemi të bashkuar në këto kërkesa. Ndaj jam plotësisht dakord të ulem edhe me zotin Rama. Në këtë çështje, opozita ka qenë, është dhe do të mbetet një ndër zërat më kryesorët.

Unë e shoh me shumë optimizëm reformën dhe finalizimin e saj. Unë nuk kam dëgjuar as edhe një kërkesë të formuluar jashtë standardit nga forca politike kryesore e opozitës apo forca të tjera, kështu që ulem me sensin e mirëkuptimit me to. Unë nuk di të kemi dallime substanciale me njëri tjetrin, por, edhe nëse ka, unë jam i përgatitur për kompromis, pasi zgjedhjet janë si të mazhorancës dhe të opozitës.

Pyetje: Gjatë kohës së qëndrimit tuaj në Japoni, ka pasur një deklaratë të ish ministrit Mustafaj ..

Kryeministri Berisha: Unë nuk komentoj deklaratat e deputetëve të mi. Ata janë të lirë të bëjnë çdo lloj deklarate. Unë nuk bëj komentatorin dhe nuk do të bëj kurrë censorin e tyre. Unë jam njeri i fjalës së lirë.

Pyetje: Zoti Kryeministër, prej 16 ditësh transmetimet e televizionit A1 janë ndërprerë, për shkak se KESH-i për më shumë se dy muajsh i ka ndërprerë energjinë elektrike, pavarësisht vendimit të ERE-s për ta rikthyer atë. Jeni në dijeni të këtij problemi dhe çfarë zgjidhjeje mund të jepej?

Kryeministri Berisha: Personalisht nuk jam për ndërprerjen e asnjë sinjali, por unë nuk mund të zgjidh marrëdhëniet kontraktuale të mediave me institucionet e tjera. Kontrata janë kontrata. Në rast se është bërë një veprim arbitrar, vendi ka instancat e veta, të cilat e shqyrtojnë. Nuk kam dijeni për hollësi të tjera dhe mendoj se janë instanca të tjera ato që duhet të shqyrtojnë marrëdhëniet kontraktuale, të cilat nuk janë marrëdhënie të kryeministrit.

Pyetje: Zoti Berisha, duke u rikthyer tek reforma zgjedhore, cili do të jetë sistemi që do të propozojë Partia Demokratike, duke qenë se deri tani nuk ka ndonjë propozim nga PD-ja?

Kryeministri Berisha: Sistemi zgjedhor duhet të jetë një sistem për të cilin të biem dakord. Natyrisht nuk është se PD-ja nuk ka propozim, sikundër ajo është e gatshme të dëgjoje edhe propozimet e tjera. Reformën zgjedhore e konsideroj një reformë që, në vlerësimin tim, do të kalojë pa asnjë tension, pasi janë përcaktuar disa kushte nga të gjitha palët dhe që janë në interesin e tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›