Kryeministri Berisha: Nga kjo vizitë, Shqipëria ka tek Japonia një mik te madh dhe shumë të çmuar
Pas kthimit nga vizita zyrtare disaditore në Japoni, sot Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp.
Në hapje të saj Kryeministri Berisha falënderoi autoritetet më të larta japoneze për pritjen e ngrohtë që i rezervuan si dhe për mbështetjen e Japonisë ndaj Shqipërisë dhe progresit të saj.
Në deklaratën e tij, Kryeministri u shpreh:
“Dëshiroj t’i shpreh falënderimet më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë Madhërisë së Tij Imperiale, Perandorit Akihito, Madhërisë së Saj Imperiale, Perandoreshës Michiko për audiencën që më rezervuan mua dhe Lilit, në pallatin perandorak, duke dëshmuar me këtë pritje një respekt të veçantë për Shqipërinë, shqiptarët dhe arritjet e tyre. Shqiptarët kanë tek Madhëria e Tij Imperiale, Perandori Akihito, Madhëria e Saj Imperiale, Perandoresha Michiko, miq të mëdhenj, të cilët u interesuan gjërësisht për zhvillin dhe arritjet e vendit tonë dhe të cilët duan dhe respektojnë shumë Shqipërinë.
Unë, gjithashtu, dua të falënderoj me shumë përzemërsi dhe mirënjohje të thellë Kryeministrin e Japonisë Fukuda për pritjen e shkëlqyer dhe shumë miqësore që më rezervoi dhe darkën zyrtare shumë miqësore që ofroi për mua dhe delegacionin që unë kryesoja. Dua t’i shpreh Kryeministrit Fukuda falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë për vlerësimin e madh për reformat e qeverisë shqiptare dhe për ndihmën tejet të çmuar që Japonia i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat gjatë këtyre 15 viteve. Sikundër i shpreh falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë për ndihmën e re shumë të madhe që ofroi, kredinë, pothuajse pa interes, prej 110 milion dollarë për një nga projektet më të mëdha të vendit, rrjetin e kanalizimeve dhe ujërave të zeza të Tiranës, për angazhimin e tij për të shqyrtuar me përparësi një seri projektesh të tjera të mëdha në fushën energjetike, të infrastrukturës, arsimit dhe shëndetësisë, si dhe për mbështetjen që qeveria e tij i jep përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe NATO dhe kontributin e madh që Kryeministri Fukuda dhe Japonia japin për paqen dhe stabilitetin në botë në tërësi dhe në rajonin tonë në veçanti.
Në diskutimet tona një vend të rëndësishëm zuri inkurajimi i investimeve japoneze në Shqipëri. Kryeministri Fukuda më siguroi se ai dhe qeveria e tij, agjencitë respektive japoneze do të inkurajojnë kompanitë e mëdha japoneze për të investuar në Shqipëri.
Dua të falënderoj me mirënjohje Kryetarin e Parlamentit Japonez Kono, Kryetarin e Senatit Japonez Satsuki, për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, për ndjenjat e respektit që ata shprehën për kombin dhe vendin tim, një falënderim të veçantë dua t’i bëj ministrit të Ekonomisë Amari, ministrit të Financave Nukaga, Kryetarit të Organizatës për Tregtinë e Jashtme të Japoneze Hayashi, Guvernatorit të Bankës për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Japonisë Tanami, Presidentes së Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), zonjës Sadako Ogata. Të gjithë këta zyrtarë të lartë të qeverisë japoneze u angazhuan, respektivisht në fushat e tyre, për të intensifikuar bashkëpunimin me vendin tonë, për të dërguar në Shqipëri ekipet e mbledhjes së fakteve dhe për të gjetur fushat në të cilat ndihma e tyre do të mund të jetë më eficente.
Unë ftova Kryeministrin Fukuda të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën Kryeministri Fukuda e pranoi me kënaqësi. Sikundër ftova edhe zyrtarë të tjerë të lartë të këtij vendi të madh, ftesë që ata e pranuan me kënaqësi.
Në bisedimet e mia me Kryeministrin Fukuda, por edhe me zyrtarë të tjerë, Kryetarin e Parlamentit, Kryetarin e Senatit një vend të veçantë, natyrisht, zuri Kosova, ku unë gjeta mirëkuptimin e plotë për qëndrimin e Shqipërisë dhe se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë kërkon zbatimin projektit të presidentit Ahtisaari.
Një falënderim shumë të veçantë dua t’i shpreh Kryetarit të Nderit të Ligës Parlamentare Shqiptaro-Japoneze, ish Kryeministrit të Japonisë Mori, për ndjenjat jashtëzakonisht miqësore të tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, për të gjithë mikpritjen që ai më rezervoi gjatë qëndrimit në Japoni, mikpritje që nuk do ta harroj.
Dua të falënderoj gjithashtu Konsullin e Nderit Tobita, i cili, së bashku me ambasadorin e Japonisë në Romë Nagamura dhe të Ngarkuarin tonë me Punë atje Kërçiku kishin bërë një punë të shkëlqyer në organizimin e përsosur të kësaj vizite.
Unë pata një akses shumë të gjerë në median japoneze. Përveç një serie intervistash në median më të madhe japoneze, të shkruar dhe elektronike, unë pata rastin të bëj një ekspoze të hollësishme të zhvillimeve në Shqipëri si në Klubin e Shtypit të mediave japoneze, ashtu dhe në Klubin Shtypit të mediave ndërkombëtare në Tokio.
Një dimension jashtëzakonisht i rëndësishëm i vizitës sime ishte takimi me korporatat japoneze. Gjatë qëndrimit tim, zhvillova, në hotel Imperial, një takim me biznesmenë japonezë, në një sallë të tejmbushur. Unë paraqita Shqipërinë siç është, një vend i vogël në hartën e Ballkanit, por një vend i vendosur në një treg gjigant, siç është tregu evropian, me një krah pune më të favorshmin në Europë, me një bregdet prej 400 kilometrash për t’u zhvilluar, me rezerva të pasura, të 3-at apo 4-at në botë, në krom, edhe më i pasur në nikel, një vend që ka mbi 20 miliard kilovat/orë energji për të shfrytëzuar në lumenjtë e tij. Pra, një vend i vogël që i ofron çdo biznesmeni mundësi shumë të mëdha. Biznesi japonez tregoi një interes shumë të madh për potencialet e Shqipërisë, shprehën një vlerësim jashtëzakonisht të lartë për reformat, taksën e sheshtë 10 për qind, për sistemin fiskal, për “One Stop Shop” dhe një seri arritjesh të tjera të vendit.
U ktheva me bindjen se nga kjo vizitë Shqipëria ka tek Japonia një mik te madh dhe shumë të çmuar dhe se dy vend tona janë më afër njëri-tjetrit, kanë një kuptim më të gjerë për njëri-tjetrin. U ktheva me premtimin konkret për një mbështetje akoma më të madhe për Shqipërinë si nga Perandori Akihito, nga Kryeministri Fukuda dhe nga të gjithë zyrtarët e tjerë të lartë, me të cilët unë bisedova gjatë qëndrimit tim disaditor në Tokio.
Faleminderit.”