Kryeministri Berisha takon Madhërinë e Tij Imperiale Akihito

Sot, në ora 11, në Pallatin Imperial të Japonisë, Perandori i Japonisë, Madhëria e tij Imperial Akihito dhe Perandoresha, Madhëria e saj Imperiale Michiko, pritën në një audiencë të veçantë, tërësisht të pazakonshme, Kryeministrin e Shqipërisë, Pr. Dr Sali Berisha dhe zonjën e tij Liri Berisha.
Audienca zgjati jashtë parashikimit kohor protokollar, sepse interesi i Perandorit dhe Perandoreshës së Japonisë për Shqipërinë, për reformat e ndërmarra nga Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij dhe progresin e vendit drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Europian, ishte shumë i madh.
Në këtë audiencë, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen Perandorit të Japonisë për këtë pritje, që përbën një nder të madh për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët. Kryeministri shprehu edhe mirënjohjen për ndihmën që qeveria dhe kombi japonez i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre 15 vjetëvë, ndihmë e cila ka përfshirë të gjitha fushat. Edhe si pasojë e kësaj ndihme, Shqipëria e cila ishte një Kore e Veriut në Evropë 15 vjet më parë, është shndërruar tashmë në një vend serioz për të merituar ftesën në NATO, si dhe ajo ecën përpara drejt integrimit në BE.
“Shqiptarët nuk e kanë harruar mesazhin tuaj miqësor që erdhi nga takimi ynë i para 15 viteve, në Bruksel. Do të ishte për ta një nder shumë i madh nëse Madheria Juaj Imperiale, ose anëtarë të tjere të familjes Suaj, do të vizitonin Shqipërinë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Nga ana e tij, Madhëria e tij Imperiale, Perandori Akihito, shprehu vlerësim të madh për zhvillimet në Shqipëri, si dhe kënaqësinë e tij për marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve. Ai shprehu gjithashtu dëshirën e tij që investimet japoneze në Shqipëri të zhvillojnë edhe më tej këto marrëdhënie bashkëpunimi midis dy vendeve.