Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Drejtorit të Njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit në Komisionin Europian Dirk Lange
Pas dorëzimit të Raportit vjetor të Progresit, Kryeministri Berisha dhe Drejtori i Njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit në Komisionit Europian, zoti Dirk Lange dhanë një konferencë të përbashkët për mediat.
Zoti Lange: Sot pata nderin t’i dorëzoja Kryeministrit, zotit Sali Berisha, Raportin e Progresit, që u miratua po sot nga Komisioni Europian dhe u prezantua në Bruksel nga komisionari zoti Olli Rehn. Raporti informon edhe për Strategjinë e Përgjithshme të Bashkimit Europian në lidhje me vendet e it Perëndimor në të ardhmen.
Komisioneri Rehn deklaroi sot se të gjitha vendet e it Perëndimor janë pjesë e Programit të Zgjerimit të BE-së, çka do të thotë se Shqipëria ka një perspektivë të qartë europiane.
Raporti i Progresit, që i dorëzova sot Kryeministrit, flet për progresin e bërë gjatë periudhës nga tetori i vitit të kaluar deri në tetorin e këtij viti, si edhe për mungesën e progresit në disa fusha. Dëshiroj të përmend disa çështje, ndërkohë për pjesën tjetër do t’ju duhet të lexoni të gjithë raportin.
Raporti përmend në mënyrë të lavdërueshme rolin e Shqipërisë në rajon në funksion të stabilitetit. Gjithashtu, përshëndetet qëndrimi i Shqipërisë në lidhje me çështjen e Kosovës.
Po ashtu, Marrëveshja e Ndërmjetme është duke ecur mirë dhe kjo ka çuar në ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga 11 vende të BE-së. Ne presim që, deri në fund të vitit të ardhshëm, MSA-ja të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare dhe atëherë do të kemi edhe hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshjeje dhe ky do të jetë një hap shumë i rëndësishëm i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Dëshiroj të theksoj edhe disa pika kritike, ku do të përmendja disa mungesa në lidhje me reformën në sistemin elektoral dhe atë gjyqësor. Funksionimi i sistemi gjyqësor është i rëndësishëm për shtetin ligjor. Gjithashtu sistemi elektoral është i rëndësishëm, sepse i mundëson popullit shqiptar të shprehë të drejtat e tij të votës. Të dyja këto janë të drejta themelore të BE-së, prandaj ne i theksojmë kaq shumë.
Dua ta përmbyll me disa fjali në lidhje me zhvillimin ekonomik të vendit. Ekspertët tanë kanë analizuar të dhënat e Shqipërisë dhe ne vëmë re një rritje prej 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ka ngritje të moderuar të inflacionit 2-3 për qind dhe shifra e papunësisë është duke u ulur, megjithëse ende në një stad të lartë. Për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit dy gjëra janë të rëndësishme: personeli i trajnuar dhe i aftësuar dhe infrastruktura e duhur për zhvillimin e vendit dhe kur them infrastrukturën dua të përmend sektorin e energjisë. Në Shqipëri, ky është një sektor i dobët dhe pengon zhvillimin e shpejtë të industrisë dhe ekonomisë.
Së fundi, dua të them se ne e shikojmë në mënyrë kritike rolin e parlamentit. Ne shikojmë se parlamenti nuk ka marrë përgjegjësi të plota për të ecur përpara me axhendën e reformave.
Faleminderit.
Kryeministri Berisha: Shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar shumë përzemërsisht Komisionin Europian për qëndrimin e tij të shkëlqyer në drejtim të zgjerimit të BE-së, për metodikën e ndjekur në hartimin dhe dorëzimin sot të këtij Raporti shumë të vlefshëm. Unë dua të siguroj Komisionin Europian se ky Raport do të jetë program pune, siç ka qenë Raporti precedent, për të gjitha dikasteret dhe agjencitë e qeverisë që unë drejtoj.
Raporti është një dokument i shkëlqyer jo se ai paraqet se qeveria ka shkëlqyer kudo, por sepse përcakton standarde dhe objektiva me të cilat çdo ministri e agjenci duhet të masë punën e vet, në mënyrë që të përballim me përgjegjësinë më të lartë projektin e integrimit të vendit në BE.
Unë nuk e kam lexuar në hollësi raportin, por shfrytëzova rastin për ta siguruar përfaqësuesit e Komisionit Europian, ambasadorin Lohan dhe zotin Lange, se qeveria mbetet plotësisht e angazhuar në thellimin dhe konsolidimin e reformave dhe lufta jonë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të njohë zhvillime të reja shumë të rëndësishme. Duke filluar që sot, nga mazhoranca, që unë kryesoj, do të votohet çdo kërkesë e prokurorisë për heqje imuniteti dhe hetim për çdo çështje korrupsioni. Unë shpresoj që edhe opozita të bashkojë votat për të votuar ligjin. Sidoqoftë për mazhorancën do të ketë vetëm një rregull, votimi në parlament për imunitetin e çdo anëtari të saj, qoftë ministër, deputet apo kushdo tjetër. Shqipëria pa imunitete, lidhur me korrupsionin, është një Shqipëri shumë më transparente. Jam i bindur se me këto hapa ne shënojmë një zhvillim të ri në luftën kundër korrupsionit.
Reforma në sistemin gjyqësor përbën një problem serioz për vendin. Ju jeni dëshmitarë se Raporti i Komisionit Europian, por edhe raporte të tjera, theksojnë problemet e gjyqësorit në Shqipëri. Sistemi gjyqësor është pushtet i pavarur dhe kështu duhet të jetë, por me performancën e tij prek jetën e çdo qytetari shqiptar. Nëse ai performon mirë, e prek për mirë jetën e tij, por në rast se nuk vepron mbi bazë ligjore, i errëson rrugën. Ndaj jam plotësisht dakord me kërkesën e Komisionit Europian për të proceduar me reformën e gjyqësorit, sikundër jam edhe optimist se ne do të procedojmë me këtë reformë.
Gjithashtu, jam i bindur se do të procedojmë edhe me reformën elektorale. Diskutimet politike janë diskutime politike, por ato nuk kanë penguar forcat politike shqiptare që të gjykojnë dhe vendosin së bashku për interesa më të mëdha.
Në takim, e informova Zotin Lange për regjistrin elektronik të gjendjes civile dhe kartat e identitetit. Komisioni Europian është financues kryesor.
Po ashtu e njoha me përpjekjet tona për të zgjidhur problemet e energjisë. Gjatë 2-3 javëve të ardhshme, është plotësisht e mundur që ne të ndërmarrin disa vendime të rëndësishme në rrugën e balancimit të energjisë në vendin tonë. Ne do t’u drejtohemi mjeteve më të shpejta, njësive të lëvizshme, që mund t’i japin një përgjigje më të shpejtë dhe më të kushtueshme këtij problemi, por çmimi më i madh i energjisë është kur ajo mungon.
Duke falënderuar edhe një herë Komisionin Europian për të gjithë ndihmën shumë të çmuar, dua të siguroj se në tetorin e vitit tjetër, shumë prej sugjerimeve dhe kërkesave të këtij Raporti do të zbatohen në mënyrë që ne të jemi më afër BE-së.
Gjithashtu shpreh kënaqësinë e madhe për vlerësimin që i bëhet zbatimit të Marrëveshjes së Ndërmjetme dhe e siguroj se ky zbatim do të ecë gjatë këtij viti, me të njëjtin seriozitet. Ne nuk kemi pasur pasoja negative nga zbatimi i saj. Edhe pse doganat u hoqën, eksportet tona u rritën me 28 për qind këtë vit, krahasuar me një vit më parë. Natyrisht edhe BE-ja nuk ka pësuar ndonjë dëm nga ne.
Pyetje: Nesër ne do të kemi shumë diskutime si nga mazhoranca dhe opozita nëse raporti i KE-së ishte apo jo pozitiv apo negativ. Ju që jeni më objektiv e keni bërë këtë raport mund ta vlerësoni atë nga 1 tek 10?
Zoti Lange: Për këtë ju duhet të shihni sesi e kemi hartuar këtë Raport. Nuk është një person, ai që ulet në tryezë, harton raportin dhe flet për një situatë të veçantë. Kemi marrë informacione nga burime të ndryshme dhe këto janë analizuar nga kolegët dhe ekspertët tanë. Nuk do të ishte e drejtë ta vlerësonim Raportin nga një shkallë nga 1-shi tek 10-ta, sepse disa aspekte janë pozitive dhe disa negative. Pra, do të ishte e padrejtë të bënin një vlerësim të tillë. Kur flasim për raportin, unë thashë se ne shikojmë progres në disa fusha dhe i përmenda ato dhe në disa fusha të tjera progresi nuk është i mjaftueshëm dhe inkurajojmë Shqipërinë që të bëjë progresin e duhur në këto fusha.
Kryeministri Berisha: Nuk është e drejtë t’ia lësh opozitës anën negative dhe qeverisë anën pozitive. Të dy palët janë pjesëmarrës dhe kanë dhënë kontributin e tyre. Është normale që opozita të ketë sensin më kritik, por jam i bindur se fakti që MSA-ja ecën me seriozitet është dëshmia më e qartë e vlerësimit. Natyrisht, çështjet e ngritura qëndrojnë plotësisht. Por mendoj se nuk ka arsye që ta bësh Raportin e Komisionit Europian çështje midis qeverisë dhe opozitës.