Kryeministri Berisha: Do të penalizohen zyrat e administratës që nuk zbatojnë vendimin për çertifikatat

Gjatë vizitës së tij në zyrat e gjendjes civile të minibashkisë nr. 8 dhe nr. 9 në Tiranë, Kryeministri Berisha deklaroi se Këshilli i Ministrave do të miratojë një vendim që do të detyrojë zyrat e administratës të kompensojnë çmimin e certifikatave në rastet kur u mbajnë çertifikatat qytetarëve.
Duke iu referuar vendimit të mëparshëm të miratuar nga Këshilli i Ministrave, që detyronte mbajtjen e certifikatave vetëm në raste të veçanta, Kryeministri vlerësoi se ky vendim nuk është respektuar plotësisht, pasi ka ende zyra të administratës, të cilat nuk i fotokopjojnë çertifikatat, por ua mbajnë qytetarëve ato origjinale.
Kryeministri informoi se vendimi që do të miratohet do të detyrojë ato zyra të administratës që u mbajnë certifikatat qytetarëve, t`ua paguajnë ato me çmimin që kanë.
“Unë prapë shikoj njerëz që vuajnë për çertifikata. Ne bëmë një vendim, por ky vendim nuk është respektuar ndaj dhe qytetarët dynden sepse kudo që shkojnë ua mbajnë çertifikatat. Tani do bëjmë një vendim tjetër që kushdo që t`ua mbajë certifikatat, t`ua paguajë atyre sepse shteti duhet të ketë fotokopje dhe jo në çdo proces duhet t`u mbahen certifikatat. Zyrat e administratës që do të mbajnë certifikatat do të detyrohen ta pagujnë vetë çmimin e tyre”, deklaroi Kryeministri.