E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Jemi të gatshëm të votojmë në parlament çdo kërkesë për heqje imuniteti

Kryeministri Berisha tha sot, gjatë Konferencës së Parlamentarëve të Vendeve të Europës Juglindore, se qeveria do të heqë çdo imunitet që do të kërkohet nga organet e drejtësisë, duke lënë si alternativë të vetme heqjen e imunitetit ose zgjedhje. Në këtë kontekst, Kryeministri ftoi opozitën që, së bashku me mazhorancën, të votojë projektligjin për kufizimin e imunitetit.

“Konfondimi i imunitetit dhe përdorimi i tij për qëllime të tjera ka pasoja shumë të rënda për një vend. Ekziston një ligj në parlamentin shqiptar për kufizimin imunitetit dhe ftoj opozitën, me respektin më të madh, që ta votojmë së bashku. Unë nuk di se cili do të jetë vendimi i saj, por dua t’ju siguroj se mazhoranca, duke filluar nga dita e sotme, do t’i përgjigjet prokurorisë me heqje imuniteti ndaj çdo parlamentari a ministri që ajo të kërkojë dhe do të ketë vetëm një alternativë: ose subjekti lë imunitetin, ose zgjedhje,” u shpreh Kryeministri.

Duke nënvizuar se nxjerrja e administratës jashtë konfliktit të interesit ka vlerë të madhe dhe rezultatet në këtë drejtim kanë qenë të qarta, Kryeministri theksoi se sërish, shteti nuk është çliruar nga pengesat në luftën kundër korrupsionit. Ai vlerësoi se kufizimi i imunitetit është i një rëndësie të jashtëzakonshme. “Në rast se themi se duhet të luftojmë korrupsionin duke u nisur nga vetja jonë, ne nuk duhet të pranojmë imunitet për sa i përket korrupsionit,” u shpreh Kryeministri Berisha.  

Duke iu  referuar demokracive më të konsoliduara, Kryeministri tha se ligji në këto vende vepron me lirësinë më të madhe ndaj personave me imunitet, duke e konsideruar këtë të një rëndësie përcaktuese.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›