E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Lufta kundër korrupsionit, faktor themelor për prosperitetin e shoqërisë

- Kryeministri përshëndet Konferencën e Parlamentarëve të Europës Juglindore kundër Korrupsionit

“I nderuari zoti Uilliams, Kryetar i Organizatës Globale të Luftës Kundër Korrupsionit, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht. Sapo jam kthyer nga vendi juaj i mrekullueshëm, ku pata një takim me Kryeministrin Harper, të cilin dëshiroj ta falënderoj shumë përzemërsish për takimin e ngrohtë e miqësor që më rezervoi, Kryetarin e Parlamentit dhe të gjitha autoritetet me të cilët u takova në Otava. Sot është një rast i këndshëm për mua, t’i përcjell falënderimet më të përzemërta përfaqësuesve të vendit tuaj.

Të nderuar zotërinj deputetë të parlamenteve të vendeve të it,

Shkëlqesi ambasadorë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Së pari, dua t’ju përshëndes përzemërsisht për praninë tuaj sot, në Tiranë, por edhe për temën që ju trajtoni, një nga problemet dhe çështjet më madhore të vendeve dhe kombeve tona. Në vitet ’60, Xhon Foster Kenedi do t’u thoshte amerikanëve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të vendosura të luftojnë kundër tre armiqve kryesor të njeriut: tiranisë, sëmundjeve dhe varfërisë. E vërteta është se varfëria në vendet jo diktatoriale ka një shkaktar dhe një faktor dhe ky është korrupsioni. Lufta kundër varfërisë është, para së gjithash, luftë kundër korrupsionit. Në kuptimin më të plotë, korrupsioni përbën një kancer që nuk gërryen vetëm trupin e një shoqërie, por, para së gjithash, shpirtin e saj dhe shpirti i një shoqërie është liria. Asgjë nuk rrënon liritë e qytetarëve të një vendi më shumë se korrupsioni. Duke cenuar liritë, rrënohet individi e shoqëria, identiteti e individit dhe kombit në tërësi, rrënohet e ardhmja.

Në këtë kontekst, lufta kundër korrupsionit është dhe mbetet për qeverinë time përparësi e të gjitha përparësive. Dy vjet më parë, ne përcaktuam disa parime në këtë luftë. Së pari, të fillonim luftën kundër korrupsionit nga vetja jonë dhe kjo, jo vetëm për faktin se, siç mësojnë librat e shenjtë, tentimi është baza e të gjitha mëkateve, por edhe se zyrat ku janë pushtetarët janë zyrat që mund të shndërrohen në fole, strehëza të korrupsionit. Ndaj dhe ne, mbi këtë parim, vendosëm disa standarde në zyrat tona. Këto standarde mbrojnë paratë publike nga shpërdorimi.

Ne ia dolëm të kemi rezultate shumë inkurajuese. Natyrisht, lufta kundër korrupsionit me tolerancë zero është dhe duhet të jetë një luftë polivalente, e cila duhet të bazohet në ligje që sjellin transparencën më të madhe, si antidodi absolut i tij. Ne e nxorëm qeverinë  jashtë konfliktit të interesit. Kushdo që gjendet me konflikt interesi në administratën tonë ka vetëm një alternativë, të largohet nga administrata. Unë mendoj se kjo është shumë e dobishme. Më lejoni t’ju jap një shembull domethënës. Dy vjet më parë, gjatë fushatës elektorale, vizitova disa fermerë në jug të Shqipërisë, të cilët më informuan se kishin në magazinë 20 kuintal misër që po u kalbej dhe kjo për shkak se një zyrtar i lartë kontrollonte tregun e misrit dhe sillte misër o.m.gj. me çmim shumë më të lirë, sesa ata prodhonin  misrin e tyre. Qeveria jashtë konfliktit të interesit do të thotë prerje e monopoleve në treg dhe krijim hapësirash të reja.

Natyrisht, nxjerrja e administratës jashtë konfliktit të interesit ka vlerë të madhe, por, sërish, nuk kemi arritur të çlirojmë shtetin nga pengesat në luftën kundër korrupsionit. Kufizimi i imunitetit është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Në rast se themi se duhet të luftojmë korrupsionin duke u nisur nga vetja jonë, ne nuk duhet të pranojmë imunitet për sa i përket korrupsionit. Këtë e konsideroj të një rëndësie përcaktuese. Po t’ju referohemi demokracive më të konsoliduara, nuk ekziston imuniteti për shkak të korrupsionit. Ligji në këto vende vepron me lirësinë më të madhe ndaj personave me imunitet. Konfondimi i imunitetit dhe përdorimi i tij për qëllime të tjera ka pasoja shumë të rënda për një vend. Ndaj dhe unë jam këtu për t’ju njohur me një vendim të fundit. Ekziston një ligj në parlamentin shqiptar për kufizimin imunitetit dhe ftoj opozitën, me respektin më të madh, që ta votojmë së bashku. Unë nuk di se cili do të jetë vendimi i saj, por dua t’ju siguroj se mazhoranca, duke filluar nga dita e sotme, do t’i përgjigjet prokurorisë me heqje imuniteti ndaj çdo parlamentari a ministri që ajo të kërkojë dhe do të ketë vetëm një alternativë: ose subjekti lë imunitetin, ose zgjedhje.

Beteja kundër korrupsionit është betejë vendimtare. Betejë që ka të bëjë, më shumë se çdo gjë tjetër, me shtetin ligjor e liritë e qytetarëve shqiptarë. Lufta kundër korrupsionit është një betejë polivalente. Në këtë betejë nuk duhet të ketë kurrë vend për vetëkënaqësi. Korrupsion është një kancer që progreson çdo minutë, në rast se nuk e lufton atë në çdo minutë. Ndaj çdo procedurë është e domosdoshme të shqyrtohet duke vendosur si kriter të parë antikorrupsionin. Ne po bëjmë dixhitalizimin e procedurave, e-procurement, e-taxes, në kuadrin e Pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit. Së bashku me USAID-in kemi vendosur tre procedura të reja: e-procurement, e-taxes, “one stop shop”. Do të ecim drejt “One stop shop” për licencat dhe lejet. Ne kemi zhvlerësuar procedurat, një numër i madh i tyre janë reduktuar në 1 euro. Unë ju garantoj se në ato miliona euro më pak që futen në buxhetin e shtetit, duke reduktuar një seri tarifash e procedurash në 1 euro, si qëllim i parë ka qenë shmangia e ryshfetit dhe e korrupsionit për këto procedura.

Qeveria është e vendosur të privatizojë të gjitha shërbimet dhe kjo jep një mundësi edhe më të madhe në luftën kundër korrupsionit. Dhënia e shërbimeve sektorit privat jo vetëm përmirëson cilësinë e tyre, por i bën ato transparente, i nxjerr jashtë skemave të korrupsionit të administratës. Masa të tjera, si ligji për mbrojtjen e informatorëve të korrupsionit është i domosdoshëm. Dua t’ju informoj se ky ligj është shndërruar në një nga faktorët më të fuqishëm të goditjes së korrupsionit. Gjatë këtyre dy viteve, organet e luftës kundër korrupsionit kanë vendosur para ligjit mbi 50 zyrtarë, 96 për qind e të cilëve janë meritë e informatorëve të korrupsionit, e pjesëmarrjes  dhe e denoncimeve që ata kanë bërë. Ata njëkohësisht shpërblehen me 6 për qind të vlerës që i kanë sjellë buxhetit të shtetit.

Natyrisht, lufta kundër korrupsionit është iluzion, në rast se zyrtarët e të gjitha niveleve, të përfshirë në korrupsion, nuk përballen me ligjin. Asgjë nuk e dëmton më shumë këtë luftë, sesa mosfunksionimi i shtetit ligjor. Unë kam besim se rezultatet e arritura deri tani në vendin tim përbëjnë vetëm një stacion të rëndësishëm për të arritur në nivele shumë më të larta në këtë luftë. Ne kemi pasur rezultate shumë të qarta: janë ulur me 40 për qind shpenzimet operative të administratës qendrore dhe agjencive qeveritare, me 30 për qind shpenzimet operative të institucioneve të tjera shtetërore, janë rritur me 8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të ardhurat në buxhetin e shtetit, ndonëse janë bërë uljet më drastike të taksave, ekonomia shqiptare po ecën drejt formalizimit të sigurt dhe po del në dritën e diellit. Ekonomia shqiptare ka qenë jashtëzakonisht informale dhe kjo për shkak të korrupsionit, por informaliteti po vjen drejt niveleve të zakonshme. Por rezultate më të mëdha janë të nevojshme. Mbi 50 zyrtarë janë përballur me ligjin. Arresti nuk është qëllim në vetvete, por vendosja para ligjit e zyrtarëve, të cilët kontratën që kanë me qytetarët, kombin dhe vendin  e tyre e përdorin për të mbushur xhepat me paratë e tyre në mënyrë të paligjshme, është jetike.

Ne jemi vende që kemi përjetuar diktatura dhe kemi dalë prej tyre, jemi vende që po ndërtojmë lirinë dhe demokracinë dhe kjo, për ne, është një oportunitet i paimagjinueshëm shumë vite më parë. Ne jemi vende, të cilat duhet të përballemi me vendosmërinë më të madhe kundër armikut numër një të kombeve tona, që i varfëron ato dhe që është korrupsioni.

Faleminderit.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›