E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Ministres së Integrimit dhe Zëdhënëse e qeverisë, zonjës Majlinda Bregu

Ministria e Integrimit dhe njëkohësisht Zëdhënëse e qeverisë, zonja Majlinda Bregu dha sot një konferencë për shtyp, lidhur me raport progresin  e Komisonit Evropian për Shqipërinë:

Në deklaratën e saj zonja Bregu u shpreh:

“Sot në datë 6 nëntor, Komisioni Evropian publikoi strategjinë vjetore për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian, progres raportin për vendet kandidate dhe kandidate potenciale, si dhe paraqiti dokumentin e ri të Partneritetit Evropian, ku listohen prioritetet afatshkurtra dhe afatmesme për periudhën 2008-2009.
Raport progresi vjetor për Shqipërinë që mbulon periudhën nga 1 tetori 2006  deri në 30 shtator 2007, përshkruan shkurtimisht marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE-së, analizon gjendjen në Shqipëri për sa i përket kritereve politike dhe ekonomike për anëtarësim, shqyrton kapacitetet e Shqipërisë për përafrimin gradual të legjislacionit dhe politikave të saj me ato të acquis, në përputhje me përparësitë e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit dhe të dokumentit të Partneritetit Evropian, të cilat janë baza  për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE.

Raporti, i cili ndjek thuajse të njëjtën strukturë vit pas viti, bazohet kryesisht në progres – raportet e analizuara nga Komisioni të cilat Ministria e Integrimit i dorëzon Brukselit çdo tre muaj dhe kryesisht në kriterin politik, ekonomik dhe plotësimin e standardeve.

Si rregull, ligjet apo masat që janë në fazat e përgatitjes ose që presin miratimin e parlamentit, nuk marren parasysh në përgatitjen e një progres raporti. Kjo përqasje garanton trajtim të barabartë mes të gjitha raporteve në vite dhe lejon një vlerësim objektiv të progresit të arritur.

Duke u nisur nga përmbajtja e raportit të sivjetshëm, në cilësinë e Ministres së Integrimit dhe zëdhënëses së qeverisë, gjej rastin të përshëndes Komisionin Evropian për vlerësimin realist të situatës në Shqipëri, për  përmbushjen e  kriterit politik, ekonomik dhe standardeve evropiane.

Ky raport vlerëson gjithashtu dhe ruajtjen e stabilitetit të institucioneve që garantojë demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut si dhe mbrojtjen e respektimin e minoriteteve në Shqipëri.

Parlamenti thuhet në raport vazhdon të përmbushë rolin e tij si fokus për shkëmbimet politike dhe presidenti i ri është zgjedhur në respekt të plotë me Kushtetutën, megjithatë theksohet në këtë raport, ka pasur pak progres për sa i përket  klimës  së konsensusit konstruktiv midis partive politike në implementimin e reformave.

Raporti citon në kapitullin e qeverisë, se Ministria e Integrimit Evropian është ristrukturuar për të bërë më efektiv implementimin e MSA-së dhe se gjithë procesi i orientuar i monitorimit dhe koordinimit te procesit te integrimit   ka qenë i hapur dhe transparent.
Vërehet se është punuar me regjistrin civil dhe sistemin kombëtar të adresave, kartat elektronike të identifikimit dhe pasaportat biometrike. Kjo do të ndihmojë në hartimin e listave të sakta të votuesve, identifikimin e tyre, si dhe kontrollin kufitar. Gjithsesi tërhiqet vëmendja se regjistri civil dhe sistemi i adresave nuk koordinohet mjaftueshëm me zhvillimin e kartave elektronike të identifikimit dhe pasaportat biometrike.

Në raport vlerësohet se Shqipëria ka bërë progres në forcimin e strukturave qeverisëse të angazhuara me procesin e Integrimit, por është i nevojshëm forcimi i mëtejshëm i kapaciteteve, koordinimi dhe plani strategjik.

Për sa i përket luftës antikorrupsion, në raport vlerësohet roli i qeverisë në këtë drejtim, por shtohet se korrupsioni mbetet një fenomen i përhapur dhe problem për Shqipërinë.Ne raport vlerësohen  masat e marra e te propozuara nga qeveria, si strategjia e re antikorrupsion, 2007-2013, implementimi i rekomandimeve te GRECO ( Grupi i shteteve  kundër korrupsionit i Këshillit  te Evropës), vleresohet  ligji  i ri për prokurimet publike,  si dhe  miratimin  e legjislacionit  kundër mitmarrjes. 

Raporti rivlerëson maksimalisht rolin e Shqipërisë si faktor bashkëpunimi, paqeje dhe stabiliteti në rajon si në iniciativat rajonale ashtu dhe në marrëdhëniet dypalëshe.

Në kuadër të administratës publike, Raporti vlerëson maksimalisht rritjen e pagave dhe  strategjinë  e përftimit te kapaciteteve njerëzore të mirëshkolluara jashtë vendit. Mbi të gjitha administrata publike po fiton stabilitet dhe profesionalizem gjë që kerkon edhe rritjen e kapaciteteve te DAP.

Raporti vlerëson ligjin e ri për organizimin dhe funksionimin e policisë së shtetit i cili është konsideruar në përputhje të plotë me standardet e BE, sikurse punën e  policisë së shtetit dhe angazhimin e saj në luftën kundër krimit trafiqeve, drogave dhe menaxhimin e kontrollit  të kufijve. Përpjekjet kundër krimit të organizuar, vërehet në raport, janë penguar nga korrupsioni në të gjitha nivelet e zbatimit te ligjit.

Ne raport theksohet se nevoja për reforma në sistemin gjyqësor, vazhdon të mbetet në qendër të kërkesave nga BE.

Kjo për arsyen se procedurat gjyqësore në përgjithësi konsiderohen të ngadalta dhe me mungesë transparence. Masat e qeverisë për të luftuar korrupsionin në gjyqësor thuhet ne raport,çuan ne një konflikt të gjygjësorit me ekzekutivin.

Raporti vlerëson maksimalisht ratifikimin e instrumentave ligjore të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Mbetet per t’u konsideruar lart zbatimi i ketij kuadri ligjor.

Raporti vlereson progresin e dukshëm në rregjistrimin e pasurive dhe procese të tjera që lidhen me të, si kthimin dhe kompensimin e pronave. Përshpejtimi i ritmeve të punës të komisionit të kthimit e kompensimit të pronave është evidentuar ne raport, sikurse dhe ecuria ndonëse në fillesa e procesit të legalizimeve (FQ 15)

Megjithë vleresimet pozitive të raportit për aspektet që i permenda më sipër kerkohet bashkepunim i metejshem  konstruktiv ndermjet forcave  politike për të cuar përpara reformat si ajo zgjedhore,  si  dhe për të mos vonuar reformën e sistemit të drejtësisë.

Për sa i përket kriterit ekonomik, në raport vleresohet rritja ekonomike e qendrueshme prej 5 %,  si dhe mbajtja e normës së inflacioninit në kuotat 2-3 %.

Hyrja në fuqi e CEFTA-s, ulja e nivelit te papunësisë, stabiliteti në çmime, qëndrueshmeria e lekut, politika monetare të besueshme,  përmirësimi i zbatimit të buxhetit, reduktimi i evazionit fiskal, rritja e performancës në mbledhjen e tatim taksave etj, vlerësohen si elemente të konsolidimit të ekonomisë funksionale të tregut në Shqipëri.

Progres solid është evidentuar zbatimi i reformave të financave publike; Politika makro e përshtatshme; Progresi në procesin e privatizimit si dhe në rregjistrimin e bizneseve, krijimi i one stop shop, jane elemente të këtij progresi;Rritja e sistemit te kreditimit, konsolidojnë mëtejshëm ekonomine e vendit. Politikat e rritjes së pensioneve dhe pagave minimale gjithashtu vleresohen shumë pozitivisht, duke patur parasysh impaktin social që ato mbartin.

Rritja domethënëse e buxhetit për arsimin, rritja e investimeve publike, politika liberale  ndaj biznesit, rrisin ndjeshem aftësine e ekonomisë së Shqiperisë  për të përballuar konkurrencën e tregut evropian. 

Sigurisht raporti rekomandon ndërhyrje emergjente në kontribut të përmiresimit të situatës energjitike si dhe përshpejtimin e privatizimit të sektorit të shpërndarjes së KESH-it, duke evidentuar nga ana tjetër progresin në fushën e tregut të brendshëm të energjise.

Në standardet evropiane Shqipëria ka bërë progres te dukshëm  në përafrimin e politikave dhe legjislacionit në fushat e tregut të brendshëm dhe politikat sektoriale.

Progres është arritur në fusha kyçe për zbatimin rigoroz të Marrëveshjes së Përkohshme, e cila është vlerësuar në këtë progres raport si mjaft pozitive,  ne fusha si infrastruktura e cilësisë së mallrave, dogana, tatime, konkurrencë dhe ndihmë shtetërore, prokurim publik dhe pronësi intelektuale.

Progres është arritur në politika sektoriale si në arsim, industri, politikat sociale dhe punësim.

Progres konsiderohen dhe në hapat e ndërmarra në fushën e menaxhimit të integruar te kufijve.

Megjithatë më tepër përpjekje duhen bërë në politikat e energjetikës, bujqësisë, mjedisit dhe transportit.

Është bërë progres në fushën e politikave audiovizuale, por nga ana tjetër në progres-raport kërkohet garanci ligjore për të ruajtur lirinë e shprehjes dhe respeketimin e pavarësisë së gazetarëve nga pronarët e medieve. 

Së fundmi, më lejoni të ndaj me ju faktin se ky raport shënon një moment të qartë të perpektivës së pakthyeshme të anëtarësimit të Shqiperisë në BE.

Mbi të gjitha dua të theksoj se tonet realiste të këtij raporti janë dëshmi e vlerësimit të përpjekjeve tona të përbashkëta në rrugën drejt integrimit. Rekomandimet e këtij raporti përkojnë plotesisht me vazhdimësinë e planit qeverisës të mazhorancës dhe dëshirën e të gjitha forcave politike për të qenë pjesë e këtij procesi.  

Pyetje: Zonja Bregu, kur do të jetë e gatshme Shqipëria të kandidojë si vend anëtar në BE?

Ministria Bregu: Në fakt, disa herë ky mesazh është përsëritur dhe si përgjigje e pyetjeve , apo e kuriozitetit që bëhet jo vetëm nga gazetarët, por shpeshherë edhe nga përfaqsues të tjerë të opinionit publik. Për ne, procesi i integrimit në BE nuk është një proces datash, por është një proces, i cili duhet konsideruar thelbësisht një proces përgatitjesh. Shqipëria do të jetë pjesë e BE-se,  në momentin që ajo do të jetë gati dhe do të ketë plotësuar të gjitha detyrimet e mundshme për të qenë vend anëtar i BE. Kjo nuk do të thotë se nuk ka një plan, i cili duhet ndjekur hap pas hapi për të përmbushur këtë ëndërr të shqiptarëve. Sigurisht që ne presim që brenda vitit 2008 të mbyllet procesi i aplikimit të MSA dhe në momentin që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi, në një dialog i cili nuk është ndërprerë asnjëherë , por është i vazhdueshëm me Komisionin Evropian, do të kemi mundësinë të shqyrtojmë dhe të paraqesim dhe kërkesën tonë për anëtarësim, duke kërkuar që të kalojmë në një fazë tjetër, nga një vend si kandidat potencial, në një vend kandidat.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›