E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rrit grantin për qeverisjen vendore nga 7.1 miliardë lekë në 18-20 miliardë lekë


 
Kryeministri Berisha deklaroi sot se procesi i decentralizimit të pushtetit është një kusht përcaktues për demokracinë dhe për një qeverisje të mirë në shërbim të qytetarëve.     
 
Kryeministri vlerësoi se me qëllim përshpejtimin e këtij procesi, qeveria ka rritur nga 7.1 miliardë lekë që ishte në vitin 2005,  në 18 miliardë lekë në vitin 2007, grantin për qeverisjen vendore.    
 
“Decentralizimi është një proces jashtëzakonisht jetik për përmirësimin e qeverisjes. Në qoftë se nuk bëhet decentralizimi nuk mund të ketë qeverisje të përshtatshme për qytetarët”, tha Kryeministri Berisha.
 
 
Gjithashtu Kryeministri theksoi se do t`i delegohen qeverisjes vendore të gjitha funksionet që i takojnë me qëllim përmirësimin e qeverisjes dhe shërbimit ndaj publikut.    
 
Kryeministri vlerësoi se ecuria e deritanishme në procesin e decentralizimit ka sjellë rezultate të prekshme veçanërisht në administrimin e taksës së biznesit të vogël. 
 
“Decentralizimi i taksave për biznesin e vogël solli rezultate shumë pozitive. Numri i bizneseve të vogla të regjistruara  është rritur të paktën mesatarisht 15-20 për qind dhe kjo është luftë kundër informalitetit dhe lufta kundër informalitetit do të thotë më pak korrupsion”, tha Kryeministri Berisha.  
 
Gjatë bashkëbisedimit me dy kryetarët e minibashkisë nr. 8 Armond Halebi dhe të minibashkisë nr. 9 Arben Tafaj, Kryeministri vlerësoi se procesi i decentralizimit në qytetin e Tiranës përbën një objektiv kryesor.
 
Duke u ndalur në marrëdhëniet mes qeverisë qendrore dhe qeverisë vendore, Kryeministri theksoi se bashkëpunimi mes tyre është i shkëlqyer.
 
“Unë dua t`ju garantoj se është një qëllim madhor i imi që të vendos një partneritet të shkëlqyer me qeverinë vendore të këtij vendi. Ju e shihni sa me shpejtësi po ecim drejt decentralizimit. Unë i besoj shumë procesit të decentralizimit dhe e konsideroj atë si  kusht përcaktues për demokracinë dhe për një qeverisje më të mirë të këtij vendi”, deklaroi Kryeministri. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›