E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Funksionimi i shtetit ligjor, themelor në luftën kundër korrupsionit

Kryeministri Berisha tha se lufta kundër korrupsionit ka pasur rezultate të qarta dhe, në dy vjet, 50 zyrtarë janë përballur me ligjin. Në këtë luftë, funksionimi i shtetit ligjor është themelor.   

“Në këto dy vjet, mbi 50 zyrtarë janë përballur me ligjin. Arresti nuk është qëllim në vetvete, por vendosja para ligjit e zyrtarëve, të cilët kontratën që kanë me qytetarët dhe vendin  e tyre e përdorin për të mbushur xhepat me paratë e tyre në mënyrë të paligjshme, është jetike,” u shpreh Kryeministri, duke folur në Konferencën e parlamentarëve të Europës Juglindore kundër Korrupsionit.

Duke theksuar se rezultatet e arritura deri tani përbëjnë vetëm një stacion të rëndësishëm për të arritur në nivele shumë më të larta, Kryeministri u shpreh se “lufta kundër korrupsionit është iluzion, në rast se zyrtarët e të gjitha niveleve, të përfshirë në korrupsion, nuk përballen me ligjin. Asgjë nuk e dëmton më shumë këtë luftë, sesa mosfunksionimi i shtetit ligjor.”

Kryeministri vlerësoi se rezultatet në luftën kundër korrupsionit kanë qenë të qarta, duke përmendur uljen me 40 për qind shpenzimet operative të administratës qendrore dhe agjencive qeveritare; me 30 për qind shpenzimet operative të institucioneve të tjera shtetërore, rritjen me 8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të të ardhurave në buxhetin e shtetit, ndonëse janë bërë uljet më drastike të taksave. Ekonomia shqiptare, tha Kryeministri, ka qenë jashtëzakonisht informale dhe kjo për shkak të korrupsionit, por informaliteti po vjen drejt niveleve të zakonshme.

Kryeministri veçoi gjithashtu nxjerrjen e administratës jashtë konfliktit të interesit, duke theksuar se kushdo zyrtar që gjendet me konflikt interesi ka vetëm një alternativë, të largohet nga administrata. Qeveria jashtë konfliktit të interesit, nënvizoi më tej Kryeministri, do të thotë prerje e monopoleve në treg dhe krijim hapësirash të reja.

“Ne ia dolëm të kemi rezultate shumë inkurajuese. Natyrisht, lufta kundër korrupsionit me tolerancë zero është dhe duhet të jetë një luftë polivalente, e cila duhet të bazohet në ligje që sjellin transparencën më të madhe, si antidodi absolut i tij,” u shpreh Kryeministri. Në këtë kontekst, lufta kundër korrupsionit është dhe mbetet për qeverinë shqiptare përparësi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›