E Diel, 1 Nëntor 2026

language: SQ">Kryeministri Berisha mirëpriti sot, një delegacion të Parlamentit të Kosovës të kryesuar nga Kryetari i ketij Parlamenti të Kosovës, zoti Jak

Kryeministri Berisha mirëpriti sot, një delegacion të Parlamentit të Kosovës të kryesuar nga Kryetari i ketij Parlamenti të Kosovës,  zoti Jakup Krasniqi.

Duke u uruar parlamentarëve  kosovarë mirëseardhjen, kryeministri u shpreh se kjo vizitë kryhet vetëm pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një akt madhor në historinë e kombit shqiptar, ndoshta liria e vërtetë për kombin tonë.

Kryetari i Parlamentit te Kosovës, zoti Krasniqi e falënderoi Kryeministrin Berisha për gjithcka ai ka bërë për Kosovën dhe u shpreh se kjo pavarësi e koordinuar erdhi edhe pas një kontributi tejet të çmuar të Shqipërisë dhe politikës së saj dhe se së bashku me shqiptarët është realizuar pjesa më e madhe e rrugës së përbashkët drejt pavarësisë.

Gjithashtu Zoti Krasniqi u ndal në përpjekjet që parlamenti i Kosovës po ndërmerr, për të kaluar në parlament me procedura të përshpejtuara ligjet e Paketës Ahtisaari, si dhe shtoi se klasa politike kosovare është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë si lidership dhe si institucione për të zhvilluar Kosovën dhe për ta integruar atë, në familjen e madhe Europiane dhe Euroatlantike.

Gjithashtu, zoti Krasniqi e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen që qeveria e tij, po jep në bashkëpunimin mes dy kabineteve qeveritare dhe sinkronizimin e mjaft projekteve në ekonomi, në lëvizjen e lirë të njerëzve, si dhe me ecurinë me shpejtësi të ndërtimit të rrugëve jetike për zhvillimin e Kosovës dhe tërë rajonit si rruga Durrës-Morinë, ajo e Arbrit dhe rruga e luginës së Drinit, Fierzë-Koman.

Gjatë ketij takimi Kryeministri Berisha rishprehu mirënjohjen e thellë që ushqejnë të gjithë shqiptarët në Shqipëri, për qëndresën dhe përpjekjet e kosovarëve, për lirinë dhe pavarësinë e kombit.

“Ishin kryengritjet e Kosovës, që i sollën pavarësinë, Shqipërisë me gjakun e derdhur atje. Në një kohë kur në Shqipëri kishte diktaturë të egër, kosovarët krijuan një parti demokratike dhe kundër diktaturës, me në krye një burrë si Ibrahim Rugova që e udhëhoqi Kosovën me idetë paqësore të Gandit. Më pas, erdhi qëndresa e madhe me heronj si Adem Jashari, i cili i fali lirisë, jetën e tij dhe të 54 anëtarëve, të familjes së tij. Pavarësia e Kosovës vjen si një investim mbinjerëzor i qytetarëve të saj”- tha më tej, Kryeministri Berisha.

Gjithashtu, kryeministri theksoi se përpjekjet e klasës politike kosovare krijuan një mori vlerash shumë të mëdha kombëtare, duke i kthyer dinjitetin dhe nderin kombit.

Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha dhe Kryeparlamentari i Kosovës, zoti Krasniqi u ndalën në nevojën për mature dhe vetëpërmbajtje në procesin e njohjes së Kosovës, si dhe në nevojën e bashkëpunimit me serbët, për një vizion drejt së ardhmes së përbashkët, integruese, europiane.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›