Kryeministri Berisha takohet me përfaqësues të Institutit Ndërkombëtar Republikan IRI
Kryeministri Berisha u takua sot, me një grup përfaqësuesish të Institutit Ndërkombëtar Republikan IRI të kryesuar nga Ian Senkyr, të cilët ndodhen në Shqipëri, në kuadër të një seminari trajnimi për të rinjtë me ide të djathta të cilët përgatiten për të qenë lidershipi evropian i së ardhmes.
Duke falënderuar kryeministrin Berisha për takimin e rezervuar, Përfaqësuesit e Institutit Ndërkombëtar Republikan, u shprehën se si aleat dhe miq të Shqipërisë, ata ndihen të impresionuar nga ndryshimet dhe progreset e mëdha të bëra nga Shqipëria, në shumë fusha të zhvillimit, si në ekonomi dhe në kulturën politike.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha dhe përfaqësuesit e IRI u ndalën në rëndësinë që ka ndihma dhe mbështetja e organizatave të këtij niveli, për përzgjedhjen, trajnimin e të rinjve, të cilët do të jenë lidershipi i së ardhmes dhe përçues të idealeve të demokracisë dhe lirisë në mbarë botën.
Kryeministri Berisha iu përgjigj interesit të të rinjve, të cilët vinin nga vende të ndryshme të Europës si nga Rumania, Maqedonia, mali I Zi, Bosnja, Polonia, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia, Hungaria, Bullgaria, Shqipëria etj, mbi ecurinë e reformave në vend dhe mbi hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe politik të tij.
Kryeministri Berisha i njohu me sukseset në sektorin ekonomik dhe reformën fiskale, të cilat e kanë shndërruar Shqipërinë, në vendin me barrën fiskale të ulët më të ulët në Evropë si dhe me luftën e pandërprerë, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dukuri të renda këto që ishin kthyer në sistem pak vite më parë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha i njohu ata me hapat që po ndërmerr qeveria shqiptare për të krijuar një klimë të favorshme për investitorët e huaj, si dhe për të shfrytëzuar në maksimum potencialet e vendit në turizëm, pasuri hidrike, minerale, tekstile, agrikulturë, etj.
Kryeministri Berisha u shpreh se reforma në arsim, reformimi i sistemit universitar, dyfishimi i numrit të studentëve dhe i buxhetit në arsim, si dhe motoja “Shqipëria në moshën digjitale” janë të tjerë hapa të rëndësishëm drejt Shqipërisë evropiane.
Kryeministri Berisha e falënderoi stafin e Institutit Ndërkombëtar Republikan për ndihmesë dhe mbështetjen që i kanë dhënë demokracisë në Shqipëri që në vitet 1991, me trajnimin e parlamentarëve dhe politikbërësve të rinj, me ndihmesën në reformën konstitucionale dhe me shumë projekte në ndihmë të sistemit zgjedhor në Shqipëri.
Instituti Ndërkombëtar Republikan është organizatë, e cila jep kontributin e saj për evoluimin e lirisë dhe demokracisë në botë duke zhvilluar projekte në partitë politike të spektrit te djathtë, në institucionet civile, gjatë zgjedhjeve, për një qeverisje të mirë dhe shtet ligjor.