E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit në Shkodër

Gjatë vizitës në qytetin e Shkodrës, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp, ku ndër të tjera, komentoi për mediat:

"Së pari, dëshiroj t'u përcjell qytetarëve të Shkodrës, nëpërmjet valëve dhe ekraneve tuaja, përshëndetjet më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë.

Sot ne çelëm serinë e inagurimeve në këtë qytet, i cili vuajti më shumë se çdo qytet tjetër i vendit pasojat e kleptokracisë. Shqipëria është vendi i njëmijë e një halleve, Shkodra është më shumë se kaq.

Jam sot këtu për të garantuar qytetarët e Shkodrës dhe qytetarët e Shqipërisë se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të zgjidhur problemet madhore të jetës së tyre të përditshme. Në këtë kontekst, ne jemi të përqëndruar në infrastrukturë, në ujësjellësa, në shkolla, spitale, në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve. Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje që Shkodrën dhe Shqipërinë ta nxjerrim sa më shpejt të jetë e mundur nga balta dhe pluhuri.

Unë kam kënaqësinë të shpall këtu projektin e qeverisë për mbarë qytetet e vendit, asfaltim dhe gjelbërim. Duke ardhur nga unaza që përuruam në qendër të qytetit, unë vëzhgova dhjetëra rrugica që degëzonin arteriet kryesore, por vetëm njëra prej tyre ishte e asfaltuar. Që të gjitha të tjerat ishin baltë dhe pellgje. Sot jemi në vitin 2006, por ju siguroj se edhe në vitin 1986 këto rrugë mund të kenë qenë më të mira. Ne nuk pajtohemi me këtë situatë.

Në projektin tonë ne kemi shpalluar asfaltimin e gjashtë mijë kilometrave rrugë dytësore. Këto rrugë janë rrugë dytësore në qytete, rrugë në zonat rurale dhe rrugë turistike

Vitin që vjen do të orientojmë buxhetin më me përparësi, jo vetëm në arteriet kryesore që janë jetike për vendin, por po kaq përqëndrim do të kemi në rrugë dytësore; në qytete në asfaltim e gjelbërim, në zonat rurale në mënyrë që të hapen drejt tregut me lehtësinë më të madhe dhe në zonat turistike për rindërtimin e plotë të rrugëve në mënyrë që shqiptarët dhe të tjerët të mund të përfitojnë nga pasuritë e mëdha natyrore të vendit.

Shkodra vitin e ardhshëm nis hapjen drejt investimeve të mëdha. Po përfundon projekti i rrugës Shkodër-Hani i Hotit. Në fakt edhe segmenti i unazës që përuruam sot është pjesë e saj. Po ashtu, Ura e Bunës do të fillojë ndërtimin e saj, sikundër do të bëjmë çdo përpjekje për projektin e madh. Shkodra duhet të ketë portin e saj për thellimin dhe nxitjen e punës.

Drejtim kryesor, siç e dini tashmë, është "Shkodra një euro", "Shqipëria një euro". Qeveria do të bëjë çdo përpjekje që investitorët shqiptarë dhe ata të huaj të mund të investojnë paratë e tyre në zhvillimin e Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë me lehtësi dhe shpejtësi.

Edhe njëherë dua të theksoj se Shqipëria dhe Shkodra janë qyteti i njëmijë e një halleve, por këto halle janë të zhgjidhshme dhe ne jemi shumë të vendosur dhe të përkushtuar për t'i zgjidhur ato.

Sot, së bashku me miqtë austriakë themeluam këtu shkollën e parë austriake, si monument i miqësisë, bashkëpunimit dhe i lidhjes tradicionale që Shkodra ka patur me epiqendrën e këtij vendi mik.

Pyetje: A shpresoni në përmirësimin e situatës politike në vend?

Kryeministri Berisha: Në rast se vendoset për zgjidhje në përputhje me shtetin ligjor, nuk ka asnjë pengesë. Në rast se Kushtetuta vendoset nën karrige, këto janë të papranueshme.

Pyetje: Prokurori i Përgjithshëm, në një vizitë jashtë shtetit, është përpjekur që të tregojë pozicionin e tij në raport me konfliktin me mazhorancën. Cili është komenti juaj për këtë?

Kryeministri Berisha: Ju i dini konkluzionet e raportit të Komisionit parlamentar dhe vendimin e Parlamentit për këtë.

Pyetje: Cili është komenti juaj në lidhje me akuzat e socialistëve për pasuritë e vajzës suaj?

Kryeministri Berisha: Edhe njëherë mund t'ju them se, jo mbi bazën e kërkesës ligjore, por mbi bazen e kërkesës sime personale, fëmijët e mi, të cilët nuk jetojnë me mua, kane deklaruar çdo pasuri që disponojnë dhe kjo është bërë me qëllimin e vetëm që shqiptarët të kenë të qartë pasuritë e tyre. Ata do të deklarojnë çdo vit, për sa kohë që unë do të jem në politikë, burimin e të ardhurave të tyre.

Konkretisht vajza ime, nga pedagoge në universitetin e Tiranës, me aplikim është bërë punonjëse e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ajo ka kryer aty si zyrtare, funksione të ndryshme, së bashku me bashkëshortin e saj. Ata kanë patur një rrogë, e cila së bashku me dietën ditore, ka qenë mbi 9 mijë dollarë në muaj. Të gjitha këto pasuri që u kanë tepruar nga kursimet i kanë shndërruar me kontrata më të rregullta, të deklaruar në pasuri të paluajtshme. Mendoj se kanë bërë transparencën e shkëlqyer që duhet ta bënin.

Më lejoni të theksoj diçka, ata janë të vetmit fëmijë të politikanëve shqiptarë që kanë mbushur formularin, ndonëse janë veprimtari tërësore private. Asnjeri prej tyre nuk është në administratën shtetërore.

Pyetje. Z. Kryeministër është hedhur ideja që zgjedhjet vendore të zhvillohen diku nga pranvera. A jeni dakort ju me këtë?

Kryeministri: Asnjë afat jokushtetues nuk mund të pranohet. Kushtetuta e ka të qartë se çfarë janë 3 vjet. Zgjedhësit shqiptarë i kanë sjellë në karrige kryetarët e bashkive dhe këshilltarët e tyre në të gjithë Shqipërinë për tre vjet. Eshtë vetëm sovrani që mund të zgjasë mandatin, në rast se nuk ekziston luftë. Edhe në luftë nuk është parashikuar për ta. Është parashikuar vetëm për Parlamentin. Imagjiononi ju në rast se do t'i shkonte mendja parlamentit, të thoshte se po e zgjasim e po shtyjmë më tutje mandatin. Këto janë praktika antikushtetuese. Ndaj dhe unë theksova se, në kuadrin e shtetit ligjor gjendet çdo zgjidhje. Mos harroni që Shqipëria është një vend që ka firmosur MSA-në me Europën. Shqipëria nuk mund të lozë me ligjet e saj, as me Kushtetutën.

Pyetje: Vetëm në pak orë jemi njohur me dy qëndrime të kunderta të socialistëve. Dje në Vlorë ju u falenderuat për rindërtime ne këtë zonë, kurse nga Tirana akuzoheni se ndërtimi i rrugës Trans-ballkanike behet për qëllime perfitimi.Cili është komenti juaj?

Kryeministri: Nuk preferoj të hyj në përplasjet e tyre të brendëshme. Unë kam ndër mend të inaguroj rrugë, shkolla, spitale. Jam i vetëdijshëm se sado që të inaguroj hallet e njerezve janë shumë të mëdha. Por kam një kënaqësi dhe krenari sepse, në sytë e tyre, i shndërroj taksat e qytetarëve në shërbime për ta. Ky është qëndrimi im.

Pyetje:Ç'do të bëhet për prishjen e guroreve përgjatë liqenit në Shkodër?

Kryeministri Berisha:Çështja që ju shtroni është thelbësore, është një çështje e shtetit ligjor. Por ju duhet të jeni të sigurtë se kjo qeveri ka vendimin më të prerë dhe përkushtimin më të madh ndaj zbatimit të ligjit. Në raport me ligjin, për shkak të regjimit kleptokratik, Shqipërinë e gjetëm vendin e 1001 padrejtësive dhe dhunimeve të ligjit. Ne do të rivendosim ligjin në çdo gjë dhe në të gjithë vendin. Ky është objektivi ynë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›