E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit në Vlorë

Gjatë vizitës në qytetin e Vlorës, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp, në të cilën bëri këto komente:

"Së pari dëshiroj të përshëndes shumë përzemërsisht të gjithë qytetarët e Vlorës. Dua të shpreh krenarinë dhe mirënjohjen për mikëpritjen e madhe që ata dëshmuan ndaj turizmit, të cilën Shqipëria nuk e ka patur kurrë në këto përmasa. Dua të shpreh gjithashtu bindjen se me këtë qëndrim të qytetëruar, të bazuar në traditën më të shkëlqyer të shqiptarëve, mikëpritjen, ata i kanë bërë një shërbim të madh Vlorës dhe mbarë Shqipërisë.

Këtë vit sezoni mund të karakterizohet si sezoni i bum-it turistik , i bum-it të punëve publike. Sot këtu ne çelëm siparin e një seriali inagurimesh të cilat do t'u dëshmojnë qytetarëve të Vlorës se në katër vjet kjo qeveri do të investojë në këtë rreth, në këtë prefekturë, më shumë se sa është investuar në 20 vitet e fundit. Ne kemi të garantuar brenda 8 muajve një financim që kap vlerën e më shumë se një çerek miliardë dollarë për Vlorën dhe për prefekturën e saj.

Unë ju garantoj se në vitet që vijnë do të bëjmë çdo përpjekje për të shumëfishuar këtë dhe të gjitha këto bëjnë fjalë jo për investime private, por për investime publike.

Sot ne inaguruam rrugën Trans-Ballkanike, një rrugë jashtëzakonisht e rëndësishme jo vetëm për Vlorën, por për vendin në tërësi, aq sa është i rëndësishëm dhe porti i Vlorës për këtë qytet dhe për mbarë vendin. Ne kemi siguruar financimin e plotë për autostradën Fier-Vlorë. Janë kualifikuar 9 kompani ndër më prestigjozet në Europë. Brenda 50 ditëve do të shpallet fituesi dhe fillon ndërtimi i rrugës. Ky është një investim që shkon në 100 milion euro. Është garantuar financimi i ujësjellësit të Vlorës me një investim prej 22 milion eurosh. Është garantuar financimi i portit të Vlorës, zgjerimit të tij me një vlerë prej 22 milion eurosh, një projekt në zonën e Bregut i Bankës Botërore që shtrihet nga Vlora deri në Kanalin e Cukës prej 36 milionë eurosh dhe me mundësi dyfishimi, për të krijuar të gjitha lehtësitë e nevojshme për krijimin e infrastrukturës turistike.

Këto pra janë disa nga punët publike që ka ndërrmarrë qeveria. Ne sapo inaguruam rrugën e Orikumit, 70 % e së cilës është investuar nga shtatori i vitit të kaluar deri në shtatorin e këtij viti. Qeveria ka një vendim të prerë. Të mbetet në linjën e saj të shërbimit dhe të shërbesave. Ne jemë të vetëdijshëm se problemet janë të mëdha në këtë vend, por rrugët janë të domosdoshme për zgjidhjen e tyre. Ndaj ne jemi të vendosur që në katër vjet të asfaltojmë tre herë më shumë se në dyzet vjet, ne jemi të vendosur që në katër vjet të ndërtojmë autostrada më shumë se nga koha e luftës e deri më sot. Ne do të përpiqemi që taksat e qytetarëve shqiptarë t'i shndërrojmë në rrugë, ura, drita, shkolla, spitale. Këto janë ato çka ne zotohemi para qytearëve të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë.

Pyetje: Cili është komenti juaj lidhur me çështjen e bashkëpunimit me opozitën? Ata kanë vendosur tashmë kushtet e tyre.

Kryeministri Berisha: Partia Demokratike është parti e tolerancës, e mirëkuptimit, e vlerave demokratike. Nuk pranojmë në mënyrë kategorike asnjë kusht që cënon standardet dhe pranojmë çdo kusht që nuk prek dhe nuk cënon standardet europiane që ne i kemi të përcaktuara si linja drejtuese, në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Nga ana tjetër, kjo qeveri është dhe do të jete e hapur tërësisht për dialog me opozitën. Unë kam bindjen se dialogu është procesi më i qyterëruar dhe demokratik për një shoqëri. Kështu që ne mbetemi të hapur për dialog. Është një ekip që po negocion dhe nuk më takon mua që ‘ti parakaloj ata. Le t'i lemë ata të negociojnë dhe t'i njoftojnë shqiptarët për rezultatet e negociatave.

Pyetje:Çmund të na thoni për zgjedhjet vendore dhe veçanërisht për zonën e Vlorës?

Kryeministri Berisha: Nëse është e mundur këtë pyetje ma bëni para se të fillojë fushata zgjedhore. Unë jam këtu për inagurime. Unë mbetem tradicionalisht njeri i lidhur me fjalën time. U kishim premtuar qytetarëve të Vlorës, rrugën Trans-Ballkanike dhe e inaguruam atë. U premtuam autostraden Fier-Vlorë. Po të lexoni atë çka unë kam shpallur në parlament në janar të vitit 2006, kjo autostradë nuk ka qenë për t'u financuar sivje, por ne e afruam, e futëm në axhendë. Kur të vijnë zgjedhjet do të bëjme premtime të tjera dhe do t'i ndjekim ato. Por tani për tani jemi në axhendën e atyre premtimeve për të cilat unë dua që qytetarët e Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë ta shohin fjalën e dhënë si fjalë të mbajtur.

Pyetje: Vihet re se dhe ato investime që janë bërë në Vlorë janë më tepët të investuara nga Bashkia e Vlorës. Madje edhe ne buxhetin shtese nuk vihen re ndonje ndryshim ne kete drejtim. Cmund të thoni për këtë?

Kryeministri Berisha: Të dhënat janë pak më ndryshe. Vetëm shiriti që sapo premë në dalje të Vlorës është 7 milion euro. Është investim i qeverisë sonë. Ndërkohë që 3 milion euro ka qenë investimi i qeverisë së mëparshme. Pra ka një diferencë midis këtyre statistikave. Financimi i rrugës Trans-ballkanike nuk i takon buxhetit shtesë, por i takon buxhetit të janarit. Për Rrugën Fier-Vlorë, që të jem i sinqertë nuk isha i sigurtë që do të gjendej financimi, por ne e gjetëm financimin dhe vendosëm ta nisim këtë rrugë.Dhe ne kete rrugë nuk është vetëm financim i Vlorës, ka një investim kooperacion italian prej 2 milion euro, i qeverisë hollandeze, etj.

Pyetje: Cdo të bëhet me banorët, shtëpitë e të cilëve preken nga ndërtimi i rrugës Trans-Ballkanike?

Kryeministri Berisha: Ne e gjetëm këtë vend si vendi i 1000 padrejtësive. Asgjë më shumë se kleptokracia nuk deformon kërkesat e këtyre banorëve Mos mendoni se më tërheqin vetëm shirirtat e kuq. Jo, janë hallet e njerëzve të parat për mua. Këtë e them me sinqeritet, sepse ai që është pa shtëpi është një njeri. Do të ngrihet një ekip qeveritar që së bashku me autoritet lokale të vijnë e t'i shqyrtojnë këto probleme. Nëqoftëse është bërë ndonjë dëm i paligjshëm do të kompensohet qindarkë për qindarkë, në rast se nuk është bërë asgje e paligjshme, përsëri njerëzit nuk do t'i lëmë në rrugë, por do të gjejmë një zgjidhje.

Pyetje: Kur do të bëhet realitet porti i Vlorës?

Kryeministri Berisha: Lidhur me portin e Vlorës, ne gjetëm vetëm llafe dhe jo projekte. Sapo të përfundojë projekti, ju garantoj se financat janë gati, projekti është cështje e studios që po e bën këtë projekt dhe ata sigurisht e duan një kohë. Brenda dy-tri muajve ata duhet të dorëzojnë projektin, i cili bëhet me tender ndërkombëtar. Kështu që financat janë gati sapo të jetë gati projekti.

Pyetje: Opozita po akuzon se qeveria po favorizon deputet në zonat e saj për ndërtimet në Vlorë, si rasti i deputetit Kollozi.Çmund të na thoni për këtë?

Kryeministri Berisha: Ju thoni se qeveria po bën më shumë për zonat e veta. Kjo është absolutisht jashtë çdo lloj të vërtete. Dua të informoj opinionin publik se në të gjithë Shqipërinë këtë vit në projekte aktuale, prefektura e Vlorës ka investime 2 here më shumë se çdo prefekturë tjetër e vendit, përvec Tiranës. Tirana ka kapacitetin e brendshëm të Bashkisë që megjithatë kryetari i Bashkisë me moton e tij "puno dhe vidh", "vidh dhe puno" i ka katranosur. Por investime publike në Vlorë ka dy herë më shumë se cdo bashki. Kjo nuk është bërë për të diskrimkinuar të tjerët, por është bërë për shkak të potencialeve të madha qe ka Vlora. Kjo është e vërteta. Këto janë potenciale të mëdha kombëtare dhe duhen shfrytëzuar. Ne nuk bëjmë dallime politike.

Meqenëse thuhet se favorizoj deputetet tanë, unë ju ftoj që në javët që vijnë të vini në Sarandë, ku do të shihni se sa shirita do të priten dhe aty.

Pyetje: Si e komentoni faktin që në Tiranë vihet re një konflikt i institucioneve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, ndërkohë që në Vlorë nuk ka ndodhur një gje e tillë.

Kryeministri Berisha: Sepse në Tiranë ka ndodhur edvinizimi i pushtetit vendor i cili është doktrina e krijimit të pushtetit paralel të paligjshëm, e cila për hir të së vërtetës do marrë një përgjigje ligjore nëse vazhdon. Ai ka tetë muaj që nuk dorëzon listën e pronarëve tek varrezat, në mënyrë që të rrisë çmimin e lejeve të varreve. Por edvinizimi është një fenomen kalimtar.

Pyetje: Cili është komenti juaj për akuzat lidhur me pasuritë e vajzës suaj? Po lidhur me akuzat qe i bëhen deputetit Kollozi?

Kryeministri Berisha: Vajza ime ka deklaruar çdo qindarke dhe cdo pasuri të saj. A është ajo e varfër? Jo! Nuk është. Dhe të tillë nuk mund ta bëj se duan kundërshtarët e mi. Gjatë viteve të tëra, së bashku me bashkëshortin e saj, kanë qenë zyrtarë në institucione të ndryshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ne Kosovë. Ata janë paguar konform rregullave te asaj organizate. Kanë shndërruar në pasuri të paluajtshme të gjitha të ardhurat e krijuara nga puna dhe shperblimet në këtë organizatë, të cilat për hir të së vërtetës kanë qenë të konsiderueshme.

Dua të theksoj se gazeta "Zeri i Popullit" ka botuar të plotë dhe integrale deklaratën e vajzës sime, e cila sipas Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive, nuk ka patur detyrimin ligjor për ta bërë këtë, por ka respektuar një kërkesë prindërore, ku unë u kam kërkuar të dy fëmijve të mi të deklarojnë pasurinë që kanë, në mënyrë që shqiptarët të dinë se si shkon gjendja e tyre ekonomike, gjatë kohës që babai i tyre është në drejtim të qeverisë dhe kjo është normale. Kjo është e tëra. Por nëse marrin dhe lexojnë kredinë duke i shumëzuar muajt me shlyerjet, atëherë ky është një problem i tyre. Por deklarata është shume e qartë.

Per sa i perket deputetit Kollozi, unë jam i informuar se ai ka paraqitur në Tiranë dokumentat ligjore zyrtare që, para zhvillimit të tenderit, kompania ka qenë e shitur. Kjo është e vetërteta. Le të faktojë cdokusht tjetër të kundërtën dhe unë do të qëndroj në anën e së drejtës.

Pyetje: Si qëndron çështja e çertifikatave zoti kryeministër?

Kryeministri Berisha: Për shkak të anullimit të tenderit u krijua një boshllëk dhe mungesë e certifikatave në disa rrethe. Në mënyrën më të rëndomtë ajo praktikë që e ka ndjekura ministria eshte ndjekur me dhjetra here perpara,. Ka një vendim të Këshillit të Ministrave që i imponon çertifikatës Kodin e Gjendjes Civile, vendim që në emergjenca është tejklaluar disa herë, u tejkalua edhe kësaj here. Por ata u treguan shpirtkazëm. Lanë njerëzit në 40 gradë në rradhë të gjata për të dëshmuar se është se kjo nuk është një qeverisje e shërbesave në këtë rast .

Dje kanë filluar të ndahen të gjitha certifikatat. Ndërkohë, nje ekip i ngarkuar nga kryeministri me në krye zv/kryeministrin po shqyrton mundësinë që të zhdukë në maksimum certifikatomaninë, që është një gjobë reale ndaj qytetareve shqiptarë. Për cdo gje atyre u kërkojne certifikat, për cdo veprim ata duhet të nxjerrin nje ceritifikatë dhe kjo ka qene një praktike zhvatjeje. Kjo praktikë do të marrë fund. Po bëhet studimi dhe do ndryshojë kuadri ligjor dhe shqiptarët do të shpetojnë nga certifikakat qe ju kerkojne.

Pyetje: Z kryeministër, të gjitha investimet që ju thoni se do i realizoni në Vlore do t'i beni me këtë bashki apo me bashkinë që do të vijë, meqënëse dhe ketu në konferencë nuk shohim ndonjë një perfaqësues të bashkisë?.

Kryeministri Berisha: Besoj se keni ndjekur inagurimet që bëmë, ku ishte prezent edhe kryetari i Bashkisë. Une i pergezoj ata. Kam një respekt të palëkundur per qeverisjen vendore. Ka një rëndësi të jashtëzakonshme që ne të përcaktojme metodat transparente dhe në prani të këtyre metodave, qeveritatët vendorë janë të shkëlqyer në realizimin e investimeve sepse ata janë afër halleve të qytetareve. Unë dje isha në Kavajë, inagurova dhe atje rrugë. Të gjitha këto rrugë ishin baltë. Kështu është Tirana, Vlora, e gjithë Shqipëria. Por ne duhet t'i nxjerrim nga balta. Por ne pa qeverisjen vendore nuk mund ti nxjerrim. Qeverisja vendore është ajo që do ta bëjë këtë. Ne do ta ndihmojmë, do të japim grantet. Ne i kemi lënë asaj të administrojnë taksat e biznesit të vogël, por Shqipëria do të jete vend i zhvilluar vetëm kur të dalë nga balta dhe pluhuri.

Pyetje: A parashikohen nxitje të investitoreve shqiptarë, veçanërisht të atyre vlonjatë?

Kryeministri Berisha: Po bëhen përpjekjet më serioze për të përmirësuar klimën e biznesit. Biznesi dhe ndihma ndaj tij është një qëllim madhor i qeverisë. Ne po punojme me nismën "Shqipëria një euro". Tani unë pres që të takohem edhe me biznesmenet të Vlorës në Dhomën e Tregtisë dhe t'i degjoj ata për shqetësimet dhe të marr mendimet e tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›