E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton qytetin e Shkodrës

Sot, Kryeministri Berisha vizitoi qytetin e Shkodrës, ku fillimisht përuroi nisjen e punimeve në unazën e qytetit, e cila ndërtohet për herë të parë. Ky është një projekt i financuar nga buxhetit i shtetit.

Në përurimin e kësaj rruge, Kryeministri Berisha u shpreh për të pranishmit:

"Nisim sot me inagurimin e fillimit të punimeve në unazën e qytetit të Shkodrës. Në nisim një seri inagurimesh të shumëpritura për këtë qytet, i cili mban thesaret më të çmuara shpirtërore dhe kulturore të kombit. Unaza është një investim prej rreth 5 milion euro, por krahas unazës, një rikonstruksioni të plotë do ti nënshtrohet hyrja e Shkodrës, Piaca e saj, një arkitekturë e mrekullueshme, por që aktualisht është në rrënim. Kjo do të rikonstruktohet e tëra së bashku me një seri rrugësh dhe kanalizimesh.

Shkodra nis në këtë mënyrë ringjalljen e saj. Sepse unë nuk mund të mund të mos citoj një nga personalitetet e shquara të kulturës së këtij qyteti, që 2 vjet më parë, do ta shpallte qytetin e tij në mënyrë figurative "qytet i vdekur". Shkodra nuk vdes kurrë, ajo është e përjetësisë, por e vërteta është se qëndrimi ndaj saj ishte një qëndrim i regjimit kleptokratik, kryekëput antikombëtar, kryekëput çnjerëzor.

Në rast se Shqipëria është vendi i një mijë e një halleve, më shumë se Shqipëria është Shkodra vendi i një mijë e një halleve. Kam ardhur këtu për tu zotuar solemnisht përpara qytetarëve të Shkodrës se taksat e qytetarëve të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë nuk do të përfundojnë më në vila, hotele, konto të pista bankare të qeveritarëve, por do të shndërrohen në rrugë, në shkolla, në spitale etj. Pra do të shndërrohen në shërbimet më të domosdoshme për jetën e qytetarëve.

Edhe njëherë shfrytëzoj rastin për ti përshëndetur shumë përzemërsisht të gjithë qytetarët e këtij qyteti dhe për ti siguruar ata se qeveria është e vendosur të bëjë cdo përpjekje për të tejkaluar me shpejtësi pasojat e një ndëshkimi të paimagjinueshëm që iu bë qytetit në 8 vite, nga regjimi kleptokratik."

Më pas, Kryeministri dha një konferencë për shtyp dhe mori pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e shkollës austriako-shqiptare"Peter Mahringer".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›