E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve të shkollës austriake "Peter Mahringer", në Shkodër

Kryeministri Berisha, gjatë vizitës në qytetin e Shkodrës, mori pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e shkollës publike austriake "Peter Mahringer". Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit të Austrisë, zonja Elisabet Gehrer, Ministri i Arsimit Genc Pollo, përfaqësues të qeverisë austriake, përfaqësues të Urdhërit Franceskan në Shkodër, drejtues të pushtetit vendor, etj.

Në shenjë simbolike, Kryeministri Berisha zbuloi pllakën simbol të themelimit të kësaj shkolle.

Shkolla publike austriake "Peter Mahringer" është një shkollë 5-vjeçare dygjuhëshe, e profilizuar për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit, ku përparësi do t'i jepet edhe mësimit të gjuhës angleze. Diploma e kësaj shkolle njihet në të gjitha vendet e Bashkimit Europian.

Në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, Kryeministri ndër të tjera u shpreh:

"Sot ne inagurojmë, sëbashku me Ministren Gehrer, shkollën publike austriake në Shkodër, si monument dhe simbol i respektit, dashurisë dhe miqësisë që lidh Shkodrën dhe Shqipërinë, me Austrinë dhe kombin mik austriak.

Vite më parë, në një takim me një mik të shquar gjerman, në një bisedë të lirë, ai më tha se kemi patur fat që land-i ynë i përkiste perandorisë romake dhe Roma solli kaq qytetërim. Por unë kam takuar shumë shqiptarë, të cilët më kanë thënë gjatë viteve se nuk patëm fat të qëndronim më gjatë si pjesë e perandorisë austro-hungareze, kjo sepse ata numëronin punët e mëdha që u bënë në Shqipëri gjatë asaj periudhe. Në këtë kontekst, Shkodra ka patur marrrëdhëniet më të veçanta me epiqendrën e perandorisë. E vërteta është se përfaqësia e saj është ndër më të hershmet në qytetin e Shkodrës.

Për çdo shqiptar është e qartë se në kancelarinë austriake ishte kuptimi më i drejtë i problemit shqiptar. Austria ishte një nga vendet më të para që u angazhua në ndihmë e Shqipërisë, pas rënies së perdes së hekurt. Partia Popullore austriake dhe kryetari i saj, miku i madh i kombit shqiptar, do të ishin ndër të parët që do të mbështesnin forcat demokratike në Shqipëri në përmbysjen e diktaturës komuniste dhe vendosjen e sistemit demokratik. Ishin ndër të parët që do të mbështesnin përpjekjet e shqiptarëve për t'u shkëputur nga varfëria dhe mjerimi që trashëguan. Unë gjej rastin të shpreh mirënjohjen më të thellë, në emër të qytetarëve shqiptarë, për të gjithë ndihmën e tyre bujare, ndjenjat e tyre miqësore.

Dua të theksoj se Shkodra është një qytet që mbart në shekuj soft-in perëndimor të kombit shqiptar. Por sërish Shkodra është qyteti i njëmijë e një halleve, sepse përjetoi më brutalisht se çdo qytet tjetër pasojat e diktaturës dhe të socializmit të dytë, pasojat e kleptokracisë.

Por Shkodra, në sajë të bujarisë, respektit dhe të dashurisë së taksapaguesve austriakë dhe qeverisë austriake, është qyteti që ka furnizim 24 orë me ujë. Universiteti i saj ka lidhjet më të shkëlqyera me Universitetin e Gracës. Investimet austriake në infrastrukturën e këtij qyteti janë ndër më kryesorët.

Unë gjej rastin për të falënderuar me shumë mirënjohje qeverinë austtriake, për të falënderuar kancelarin Shussel për këtë dhuratë të mrekullueshme që ata i bëjnë Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë me këtë shkollë, shkollë e cila do t'u mundësojë djemve dhe vajzave të Shkodrës dhe të të gjithë rajonit, të mësojnë dhe të shkollohen në njërën nga fushat më të avancuara, më të përparuara të dijes njerëzore. Shkolla shënon një hap të rëndësishëm të Shkodrës, por dhe të Shqipërisë, drejt Europës. Ajo u jep nxënësve të saj të diplomuar diploma të barazvlefshme në të gjithë hapësirën eBashkimit Europian.

E nderuar zonja Gehrer!. Ne inagurojmë këtë shkollë sot edhe duke nderuar një mik të përbashkët, mikun tonë të çmuar Peter Mahringer, i cili për ju ishte për vite të tëra një bashkëpunëtor shumë i çmuar, kur se për mua dhe për shqiptarët ai ishte një misionar i vërtetë i miqësisë, bashkëpunimit, dashurisë ndërmjet shqiptarëve dhe austriakëve. Ndaj këtu kemi edhe një arsye të jemi krenarë me nderimin e mikut tonë të përbashkët Peter Mahringer.

Unë dua t'ju rrëfej nxënësve që ndjekin këtë shkollë, se emri i shkollës është një emër shumë i meritur. Mahringer mishëronte në vetvete tiparet më të arrira të një misionari i cili edhe deri në muajt e fundit të jetës nuk pushoi së punuari për miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve, dy popujve tanë, midis Shkodrës, Shqipërisë dhe Austrisë.

Dua të shpreh nderimin tim të thellë për Urdhërin Françenskan në Shkodër, për mundësinë që ai krijoi. Françeskanët, në historinë e këtij kombi, janë simbol i përkushtimit të madh dhe i realizimit. Kam bindjen se shkolla dhe nxënësit e saj do të mishërojnë parimet e larta mbi të cilat është ndërtuar ky Urdhër.

Edhe njëherë, falemiderit shumë juve zonja Gehrer, qeverisë suaj, kombit mik austriak për këtë dhuratë të mrekullueshme që i bëni Shkodrës dhe Shqipërisë".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›