E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton qytetin e Vlorës

Sot, Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në qytetin e Vlorës. Kryeministri u prit nga Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Prefekti i Qarkut Vlorë, si dhe deputetë të zonës. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri përuroi punimet në dy rrugë të rëndësishme në këtë qytet; rrugën Trans-Ballkanike Vlorë, një projekt i financuar nga buxheti i shtetit, me vlerë financiare 725 237 780 lekë dhe punimet në rrugën Vlorë-Orikum, e financuar gjithashtu nga buxheti i shtetit, me vlerë 984 471 482 lekë.

Pas përurimit të rrugës Trans-Ballkanike, Kryeministri bëri këto komente për mediat:

"Sot inagurojmë një seri punësh publike, me të cilat shpresojmë se Vlora dhe e tërë kjo prefekturë do të zhvillohet shumë. Kjo rrugë ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shkak të portit të Vlorës, pasi e bën këtë port të arritshëm nga sipërmarrjet e mëdha dhe transporti i mallrave. Investime të mëdha, të parashikuara për t'u realizuar në Vlorë kanë patur pengesë aksesin tek porti, gjë që zgjidhet përfundimisht me rrugën Trans-Ballkanike.

Kam kënaqësinë t'ju informoj ju, kryetarin e bashkisë, prefektin dhe gjithë qytetarët e Vlorës se është siguruar financimi i plotë për tenderin e rrugës Fier-Vlorë dhe në vjeshtën e vonë të këtij viti fillojnë punimet.

Po ashtu, në Vlorë janë të gatshme investimet në port, ujësjellës dhe në përpunimin e ujërave të zeza, sikundër do t'i jepet zgjidhja përfundimtare firmës për ndërtimin e Termocentralit. Unë kam kënaqësinë të informoj se të gjitha studimet e nxjerrin këtë termocenral absolutisht jo ndotës për mjedisin. Për të qenë realist, problemi i vetëm mbetet çmimi i naftës, por për shkak të luhatjeve të mëdha që ka ky çmim, nuk do të thotë se ne nuk do ta ndërtojmë. Mendoj se krijimi i një burimi i të fuqishëm energjie për Vlorën është një ndihmë e jashtëzakonshme për qytetin.

Ne do të përpiqemi që çdo qytet i madh, krahas hidrocentraleve, të kenë edhe burime alternative energjie, në mënyrë që të mund të zhvillohen, sepse pa energji nuk ka zhvillim.

Projekte të tjera, lidhur me Sazanin dhe me zonat përreth, janë në shqyrtim. Këto janë projekte shumë serioze. Unë kam besim se me këto investime që bëhen në ujë, drita, rrugë, Vlora do të marrë një zhvillim shumë të madh në vitet që vijnë. Këtu një grup banorësh duket se janë dëmtuar nga shpronësimi i bërë për ndërtimin e rrugës. Ata kanë të drejtë. Por problemi është se ky vend i një mijë e një padrejtësive nuk mund të drejtohet përnjëherë. Unë i garantoj ata se bashkia dhe prefektura, do t'i shqyrtojë një për një kërkesat e tyre dhe do të përpiqen t'i zgjidhin. Por ky është një proces i tërë. Sigurisht problemi i tyre nuk mund të injorohet.

Zoti kryetar i Bashkisë, unë ju garantoj se kjo rrugë është një përparësi e madhe e qeverisë dhe ajo do të kompletohet me të gjitha anekset dhe nevojat e saj. Ndoshta jo të gjithë e kanë të qartë se sa e rëndësishme është kjo rrugë për Vlorën. Ka kompani shumë të mëdha të cilat kanë frenuar investimet për shkak të mungesës së kësaj rruge, sepse hyrja në port është shumë e vështirë. Ndaj duhet ta shpejtojmë atë dhe ta bëjmë me të gjitha parametrat e nevojshme, në mënyrë që Vlora të funksionojë si epiqendra e turizmit, si port kryesor në Adriatik, si një qytet prodhues i fuqishëm.

Po ashtu, duhet të parashikojmë parkun industrial të Vlorës. Ne e larguam parkun energjitik nga Vlora dhe ky është një realitet i padiskutueshëm. Por ne nuk duhet të heqim dorë kurrsesi në ndërtimin e një parku të fuqishëm industrial, ku Vlora do të jetë një qytet turistik, prodhues që do të punësojë jo vetëm qytetarët e saj. Ndaj jemi në tratativa me një kompani nga më seriozet në botë për ndërtimin e parqeve industriale. Unë ju siguroj se një nga qytetet ku do ta adresojmë këtë kompani do të jetë Vlora. Autoritetet lokale në bashkëpunim me kompaninë do të përcaktojnë edhe vendin ku do të ndërtohet ky park".

Ndërsa pas përurimit të rrugës Vlorë-Orikum, Kryeministri Berisha u shpreh për mediat:

"Sot inaguruam një projekt i cili kap një shumë prej 10 milionë euro, një rrugë jashtëzakonisht e rëndësishme për turizmin e kësaj zone. Kjo rrugë shndërron Orikumin në një qendër të fuqishme të turizmit, në një portë të fuqishme të tij.

Me këtë rast dua të përgëzoj kompaninë për punën e shkëlqyer që ka bërë, një punë vërtetë e standardeve kombëtare. Dua të theksoj se janë punët shumë të arrira të kompanive shqiptare ato që inkurajuan qeverinë tonë për të hequr ato pengesa që i diskriminonin ato. Ne kemi kënaqësinë që këto kompani sot janë duke ndërtuar rrugë ndër më kryesore të vendit dhe që do të vazhdojnë të ndërtojnë edhe më tej. Kjo është një rrugë me të gjitha standardet. Kjo i jep Orikumit një pushtim nga turizmi.

Gjithashtu, Moraturiumi 3-vjecar ka dhënë sinjalin që Shqipëria është një vend i sigurt. Ai ka bërë që vetëm këtë vit, në shkallë vendi, të ketë një bum real turistik, sepse turistët duan mbi të gjitha sigurinë. Unë shpreh kënaqësinë që në Vlorë është rregjistruar vetëm mikpritje ndaj turizmit. Kjo përbën një nder shumë të madh për qytetin dhe vendin në tërësi. Klima e sigurisë dhe mikpritja shqiptare po japin bum-in turistik të merituar".

Gjatë qëndrimit në qytetin e Vlorës, Kryeministri Berisha u takua edhe me drejtues dhe përfaqësues të Dhomës së Tregëtisë së qytetit të Vlorës, me të cilët bashkëbisedoi për veprimtarinë dhe problematikat me të cilat ata ndeshen.

Kryeministri i siguroi se qeveria është e përkushtuar totalisht për të krijuar kushte sa më të mira për biznesin në vend, në mënyrë që sipërmarrësit të zgjerojnë dhe forcojnë veprimtarinë tuaj. Në këtë drejtim, Kryeministri përmendi nismën "Shqipëria një euro". Kjo nismë, theksoi zoti Berisha, "duhet të mishërohet, të konretizohet dhe të jetësohet me shpejtësi". Për këtë, ai ftoi edhe biznesmenët e Vlorës të japin mendimet dhe sugjerimet e tyre, sikurse do të zhvillohen dhe debate dhe diskutime të gjera me biznesin në këtë funksion.

Kryeministri u kërkoi gjithashtu përfaqësuesve të Dhomës së Tregëtisë në Vlorë që të bashkëpunojnë me bashkinë e qytetit në realizimin e Parkut Industrial. Për këtë park, kryeministri bëri të ditur se qeveria do të kontaktojë një nga kompanitë më serioze në botë në këtë fushë. Zoti Berisha theksoi se qeveria do t'ia dorëzojë këtë një kompanie, me kushtet përkatëse, ndërsa menaxhimin do t'ia besojë kompanive private.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›