Kryeministri Berisha komenton marrëveshjen e arritur me opozitën për procesin zgjedhor
Pas takimit me Zëvendëspresidentin e Asamblesë parlamentare të OSBE-së dhe deputetin austriak Wolfgang Grossruck, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të mediave lidhur me marrëveshjen e arritur me opozitën për procesin zgjedhor.
Pyetje: Eshtë arritur një marrëveshje midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në lidhje me procesin zgjedhor. Cila nga palët ka dalë e fituar nga kjo marrëveshje?
Kryeministri Berisha: Më lejoni në rradhë të parë të bëj një vlerësim për këtë marrëveshje, ta përshëndes atë si frut produkt i kulturës së dialogut, kompromisit dhe arsyes , cka përbën një arritje të vërtetë për mbarë vendin. Dialogu dhe kompromisi janë instrumenta të fuqishme të konsolidimit të demokracisë. Falenderoj ekipet negociatore dhe ndrëmjetësit nderkombëtare per suksesin e marreveshjes.
Së dyti unë duhet të përshëndes marrëveshjen sepse ajo respektoi plotësisht dhe tërësisht, standartet, parimet dhe reformat e ndërrmarra dhe të shpalluara nga mazhoranca në qeveri.
Me lejoni të theksoj se nga kjo marrëveshje nuk ka të humbur. Mazhoranca në rastin e KQZ shmangu përmbysjen e raportit të përfaqësimit apo barazinë e paligjshme të këtij raporti. Në të vërtetë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka të njëjtën kryesi, të zgjedhur në mënyrë legjitime, ka të njëjtën procedurë vendimmarjeje. As nuk u transferua kryetari nga aty ku nuk duhej të ishte, as edhe nuk u ndryshoi vendimmarrja, por ajo që është më e rëndësishme nuk u ndryshuan balancat ekzistuese. Ka dy zhvillime. U zgjerua përfaqësimi me dy anëtarë. Njëri nga mazhoranca, tjetri nga opozita dhe u zhduk monopoli i pakicës bllokuese që mbahet prej 8 vjetësh nga Partia Socialiste. Në parim ky monopopl nuk duhet ti përkasë asnjë partie të vetme. Së dyti, mediat në rast se u rikthehen të gjitha filmimeve dhe kasetave do të gjeni në to një deklaratë konstante nga qeveria. Këto borde duhet të dalin jashtë politikës, duhet ti kalojnë shoqërisë civile. Marrëveshja sanksionon katërcipërisht këto. Bordet nuk kthehen në kohën e Lalajt dhe të Blushit, por mbeten tërësisht në duart e shoqërisë civile dhe unë mendoj se reformat dhe standarti u respektuan plotësisht. Po ti rikthehemi disa muaj më parë opozitës në atë periudhë iu ofrua përzgjedhja e përbashkët, ose përzgjedhja 3 me 2 dhe 4 me 3. E refuzoi në atë periudhë në mënyrë kategorike. E pranoi tani, por gjithnjë nga shoqëria civile dhe jo grupimi politik me një proporcion që në fakt është identik me atë që ishte ofruar.Çfarë fituam? Këto institucione morën besimin e opozitës dhe unë këtë e konsideroj të rëndësishme.
Për sa i përket listave të votimit ju e dini se u bë një përpjekje absurde për të përjashtuar nga votimi të gjithë qytetarët që kanë emrin në regjistrin e përkohshëm dhe ky fenomen do të përfshinte edhe kryeministrin e vendit. Atë listë e ka hartuar qeveria e mëparshme. Kjo nuk ndodhi sepse nuk mund të përjashtohen qytetarët nga e drejta e votimit dhe ndodh që këta qytetarë ku 80 % e tyre, nuk janë të ardhurit, por janë qytetarë të këtyre qyteteve që kanë ndërruar banim ose që janë transferuar për qëllime politike nga administrata e mëparshme. Këta do të regjistrohen në regjistrat e gjendjes civile aty ku banojnë dhe ky proces ka filluar të paktën tre javë më parë. Pra e rëndësishme është se u dëshmua nga të dy palët se nuk do të kërkohet të përjashtohen qytetarët nga votimi. Gjithashtu nuk do të pranohet të votojnë dy herë.
Fitoi kushtetutshmëria si një konditë sinekuanon për shtetin ligjor dhe demokracinë. U bënë përpjekje absurde për të zgjatur përtej mandatit tre vjecar mandatet e të zgjedhurve lokalë. Qeveria nuk humbiste asgjë nga kjo zgjatje, por a mund të pranonte qeveria absurditete të cilat kushtetuta i hedh poshtë në mënyrë kategorike? Sepse po qe se zgjasin mandatet sipas shijes, atëherë do të kishim qeveritarë që nuk do të donin ti lëshonin kurrë karriget. Nuk u lejua dhunimi i Kushtetutës, u vendos që të zgjedhurit të kësaj periudhe që qeverisin tani, nuk ishte fjala për ish kryetarin e Bashkisë, por për të gjithë së bashku do të jetë afati tre vjecar, por këtu dua të theksoj se të dy partitë me vendimin që morën për të amenduar kushtetutën mbajtën një zotim të dy viteve më parë të dhënë Këshillit të Europës se mandati i të zgjedhurve lokalë do të rikthehet aty ku ishte para miratimit të kësaj kushtetute dhe kjo është një gjë shumë e mirë, sikundër e konsideroj realisht një hap të rëndësishëm për parapërcaktimin e dy sezoneve pranverë dhe vjeshtë sic e kanë dhe shumë vende të tjera, si sezone në të cilat mund të zhvillohen dhe duhet të zhvillohen zgjedhjet politike dhe ato vendore.
Pyetje: Sipas kushtetutës këto zgjedhje do të mbahen në dimër. A është gati qeveria teknikisht?
Kryeministri: Unë ju grantoj se qeveria është e gatshme nga nëntori e tutje deri më datën 20 janar , kur të dojë opozita, ne jemi të gatshëm ti zhvillojmë me standartet më të mira të njohura deri më sot. Është lënë që data 20 tetor të jetë data e fundit e pastrimit të regjistrit të përkohsshëm dhe ne nuk kemi asnjë vështirësi në rast se opozita dëshiron që këto zgjedhje të zhvillohen ditën e flamurit, nuk paraqet asnjë problem. Ne jemi të gatshëm të pranojmë cdo datë deri në datën 20 janar.
Pyetje: Zoti Berisha si e shpjegoni faktin që në këto negociata ju nuk keni humbur fare nga pushteti i mazhorancës dhe madje opozita ka humbur nga pushteti i pakicës bllokuese ?
Unë nuk gjykoj se opozita ka humbur. Opozita erdhi në bord të institucioneve të cilat ashtu duhet të jenë. Unë nuk shoh asnjë lloj humbje se u respektua kushtetutshmëria e vendit. Për mua si kryeministër nuk do të ishte ndonjë problem në rast se një vit rresht do të merreshim me reformat dhe me zgjedhjet. Ato janë një detyrim. Asnjeri nuk ka humbur nga kjo marrëveshje, por ka fituar vendi shoqëria sepse zgjeruar baza e KQZ, por po ta kishim hartuar ne kushtetutën mund ta kishim bërë me 9 apo 12. Kjo është një cështje tjetër. Ne kështu e gjetëm me 7 shkoi me 9. U ruajtën balancat. Për sa i përket pakicës bllokuese, ka qenë një insistim i forumeve ndërkombëtare të zgjedhjeve që KQZ të fragmentohet, në mënyrë që të mos jetë një parti e vetme ajo që të mund ta bllokojë. Ne e kemi pranuar edhe tre vjet më parë këtë kërkesë, pra parimin e fragmentimit të KQZ. I rrit pavarësinë atij duke hequr pakicën bllokuese.
Pyetje: Me këtë marrëveshje u dëshmua qartë që mazhoranca mund të bëjë marrëveshje dhe me opozitën e drejtuar nga Edi Rama dhe jo vetëm me atë të drejtuar nga Fatos Nano. E mendoni të besueshëm si partner zotin Rama?
Kryeministri Berisha: Nuk ke gjetur në asnjë rast dhe nuk ke për të gjetur ndonjëherë qeverinë dhe mazhorancën të mbyllur për dialog dhe kompromis. Rivalitetet e lidërve të së majtës nuk janë çështje të miat. Unë jam një njeri që respektoj realitetet. Të miat përpiqem ti ndryshoj, të tyret ata i ndryshojnë vetë.
Pyetje: Besoni se nga kjo marrëveshje opozita do futet në zgjedhje? Është kjo një garanci?
Kryeministri Berisha: Opozita firmosi një marrëveshje me të cilën unë e them realisht se ajo nuk ka humbur, por kanë fituar të gjitha palët.Por në qoftë se opozita ka deklaruar para shqiptarëve se të gjitha problemet që unë kisha për zgjedhjet u zgjidhën, unë nuk mendoj që ajo tu adresohet praktikave kundërproduktive për të. E siguroj opozitën për zbatimin rigoroz të asaj çka është në duart tona dhe siguroj opozitën se do të bëhet çdo përpjekje për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Pastaj vendimmarrjen e ka vetë opozita.