E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha drejton mbledhjen e Shtabit të Emergjencës në qytetin e Korçës

- Kryetarët e Komunave të shfrytëzojnë fondin dhe të hapin rrugët e fshatrave.

- Duhet të rrimë të angazhuar përsëri  totalisht dhe qëllimi i parë është të shpëtojmë dhe të evitojmë humbjet e jetëve njerëzore, qëllimi i dytë, të bëjmë gjithçka për të mbrojtur pasuritë e tjera.

Kryeministri Berisha ishte sot në qytetin e Korçës, ku drejtoi mbledhjen e Shtabit të Emergjencës, të ngritur për situatën e  krijuar nga moti i keq në zonën  juglindore të vendit. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin Ministri i Financave Ridvan Bode, Prefekti i Qarkut Andrea  Mano, deputetë të zonës, si dhe kryetarët e komunave të këtij qarku dhe përfaqësues të tjerë vendorë.  

Gjatë kësaj mbledhje, Kryeministri diskutoi me anëtarët e Shtabit mbi situatën konkrete dhe problematikat kryesore të krijuara nga sasia e madhe e dëborës në këto zona, duke theksuar se primare është shpëtimi i jetëve njerëzore dhe pastaj mbrojtja e pasurisë.

Kryeministri siguroi mbështetjen maksimale dhe vëmendjen më të veçantë të qeverisë, si me fonde ashtu edhe me mjete të tjera të nevojshme për përballimin e situatës dhe kërkoi një mobilizim total dhe bashkëpunim të të gjitha strukturave përkatëse.  “Ky dimër ishte i veçantë në historikun e dimrave, i tillë nuk është regjistruar që nga ’85 dhe e vërteta është se ka qenë jashtëzakonisht agresiv,  duke zhbërë,  punën e një viti më parë nga reshjet që vazhdonin pa ndërprerë, këtu në Korçë dhe mbarë Shqipërinë.  Një mobilizim total i qytetarëve , i qeveritarëve vendorë dhe qendror, para së gjithash për të shpëtuar jetë njerëzish.  Mendoj, se ky objektiv madhor deri më sot është realizuar me përgjegjësinë më të madhe”, u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu kryeministri tha se në Korçë, është punuar në mënyrë të shkëlqyer me çatitë, ndryshe nga rrethet e tjera ku ka patur një lloj ngadalësie. “Çatia mbi kokë, siç dihet në kohë dëbore, përbën rrezikun më të madh për jetën tënde dhe të familjarëve të tu nëse nuk  e pastron.  Këtu kjo traditë e domosdoshme ka qenë  e gjallë dhe në tërësi nuk ka pasur kërcënime”, tha Kryeministri.

Duke u ndalur tek gjendja e rrugëve, kryeministri u shpreh se pjesa më e madhe e rrugëve janë hapur dhe për këtë ka një meritë te madhe drejtoria e rrugëve, prefektura, qarku, si dhe firmat e kontraktuara, të cilat me përgjegjësi  kanë përmbushur detyrimet e tyre. 

Kryeministri iu ka bërë një thirrje kryetarëve të komunave të mbarë vendit, që  të shfrytëzojnë fondin dhe tw hapin rrugët e fshatrave.  “Ne nuk u kërkojmë kryetarëve të komunave që me këtë fond të hapin rrugën kryesore, rrugë që lidhin komunat me aksin kombëtarë. Jo, ato do ti hapë qeveria qendrore, por kryetarët e komunave duhet që me çdo kusht të hapim rrugët e fshatrave” u shpreh Kryeministri.

Në fjalën e tij të plotë kryeministri u shpreh:

“Faleminderit zoti Prefekt,

Zoti ministër,

Zotërinj deputetë

Zoti Shef i Shtabit të Përgjithshëm,

Të nderuar drejtues të Pushtetit  Vendorë,

Unë erdha sot në Korçë para së gjithash, për t’ju falënderuar ju përzemërsisht,  për të shprehur vlerësimin tim më të madh, për punën e shkëlqyer, model, që autoritetet e këtij qarku kanë bërë gjatë gjithë këtij dimri për përballimin me sukses, me pasoja sa më minimale të një situate jo pak të rënduar nga reshjet e mëdha të dëborës.

Korça, qarku juaj, mund të them se paraqitet model i përgjegjësisë për të përballuar me sukses këtë situatë. Ndaj dhe unë kam një falënderim shumë të përzemërt, për të gjithë qytetarët e këtij qarku, për të gjithë qeveritë vendore, kryetarët e Komunave, punonjësit e administratës qendrorë në Korçë, një falënderim të përzemërt kam edhe për të gjitha kompanitë private të mirëmbajtjes së rrugëve të këtij qarku, për punën me përgjegjësi të lartë që keni bërë dy muaj rresht, të përballur me reshje të mëdha dhe shumë të mëdha në disa zona, me të ftohtë polar jo me një, por me disa ditë me temperatura, minus 10,  minus 15 dhe më shumë.

Ky dimër ishte i veçantë në historikun e dimrave. I tillë nuk është regjistruar që nga ’85 dhe e vërteta është se ka qenë jashtëzakonisht agresiv,  duke ç’bërë,  punën e një viti më parë nga reshjet  që vazhdonin pa ndërprerë, këtu në Korçë dhe mbarë Shqipërinë.  Një mobilizim total i qytetarëve, i qeveritarëve vendorë dhe qendror, para së gjithash për të shpëtuar jetë njerëzish.  Mendoj, se ky objektiv madhor deri më sot është realizuar me përgjegjësinë më të madhe.  Ne jemi një vend i vogël, por me një sipërfaqe të madhe bore. Faktikisht, po të vështrosh hartën më shumë se gjysma e territorit është  me një  terren  jashtëzakonisht të vështirë, megjithatë, ekipet e Ministrisë së Shëndetësisë, ekipet e Forcave të Armatosura, kanë bërë të mundur evakuimin e dhjetëra e dhjetërave  qytetarëve në nevojë, nenave shtatzëna, kanë bërë të mundur në raste të veçanta shpërndarjen e ndihmave dhe në tërësi shpërndarjen e paketave me ilaçe.

Në Korçë, është punuar në mënyrë të shkëlqyer me çatitë, çka nuk mund të themi se nuk pati një lloj ngadalësie në rrethet e tjera, por dhe atje po ecën me shpejtësi  pastrimi i çative. Çatia mbi kokë, siç dihet në kohë dëbore përbën rrezikun më të madh për jetën tënde dhe të familjarëve të tu nëse nuk  e pastron.  Këtu kjo traditë e domosdoshme ka qenë  e gjallë dhe në tërësi nuk ka pasur kërcënime. U hapën të gjitha rrugët dhe të zonave më të thella, të Komunës Çlirim, të Komunës Lekas  dhe u sigurua kalueshmëria  në rrugë kombëtare më mirë se në çdo qark tjetër. Kjo është  një meritë e madhe e drejtorisë së rrugëve, e prefekturës, e qarkut, meritë e atyre firmave të kontraktuara, të cilat me përgjegjësi  kanë përmbushur detyrimet e tyre. 

Nuk mund të them se ditë që vijnë nuk do të ketë prapë  reshje dhe probleme, ndaj dhe duhet të rrimë të angazhuar përsëri  totalisht dhe qëllimi i parë është të shpëtojmë dhe të evitojmë humbjet e jetëve njerëzore, qëllimi i dytë, të bëjmë gjithçka për të mbrojtur pasuritë e tjera dhe një kusht kryesor, ajo çka qytetarët presin më padurim dhe që ju e keni realizuar është hapja e rrugëve.

Por tani unë kam një thirrje për kryetarët e komunave të mbarë vendit, të shfrytëzojnë fondin dhe të hapim rrugët e fshatrave.  Ne nuk u kërkojmë kryetarëve të komunave që me këtë fond të hapin rrugën kryesore, rrugë që lidhin komunat me aksin kombëtarë. Jo, ato do ti hapë qeveria qendrore, por kryetarët e komunave duhet që me çdo kusht të hapin rrugët e fshatrave. Në dëborë ka një gjë, nuk ka situatë tjetër në të cilën kolektiviteti  dhe solidariteti të jenë më efikas, më  efiçentë,  më të domosdoshëm dhe në rast se drejtuesit e komunave së bashku me komunitetin angazhohen në tërësinë e tyre nuk mund të ketë fshatra  për kohë të gjatë të izoluar, përveçse raste shumë të veçanta, kur janë jashtëzakonisht larg qendrës së komunës  dhe në ato raste, sigurisht që duhen disa ndërhyrje më të veçanta dhe ne jemi të gatshëm të ndërhyjmë qoftë me ndihma, qoftë edhe me mundësinë e hapjes së rrugëve.  Në tërësi, fondi i dhënë për hapjen e rrugëve të fshatrave është një fond sipas kryetarëve të komunave që kemi takuar deri më sot, i mjaftueshëm, por përdorimi i tij sa më shpejt dhe sa më me efiçencë dhe duke mobilizuar, duke angazhuar edhe komunitetin, sepse kjo e bën më të përballueshme situatën.

Unë dhe njëherë dëshiroj t’ju përgëzoj, ju  z. Andrea  dhe të gjithë ekipin tuaj, punonjësit e qarkut,  të përgëzoj të gjithë kryetarët e komunave, këshillat, qytetarët, sepse keni përballuar një situatë të vështirë, por pa pasoja, keni arritur që kjo situatë deri më tani të kapërcehet pa pasoja të rënda.

Ju siguroj se qeveria, Komiteti i Emergjencës ndjek në mënyrë konstante nëpërmjet shtabit të qarkut të gjithë situatën.  Mendoj se organizimi i komunikimit ka funksionuar, para së gjithash si dëshmi e përgjegjësisë së kryetarëve të komunave, kryepleqve dhe pastaj organeve të tjera, të cilat e kanë për detyrë. 

Dua të përgëzoj policinë, të përgëzoj Forcat e Armatosura, ekipet shëndetësore, të cilat kanë bërë gjithçka që gjer sot në një mot të madh shumë të rëndë për mbarë Europën.  Ne kemi regjistruar të lidhur me motin vetëm një viktime, një djalë i ri, i cili shkoi për të rregulluar antenat, por hipotermia ishte e thellë  dhe megjithëse mbi 100 burra kanë udhëtuar orë e orë të tëra për të arritur atje, i kanë gjetur në një bunker, i kanë marrë  dhe i kanë transportuar, por ndryshimet ishin aq te thella tek njeri saqë nuk u shpëtua dot.

Dhe njëherë ju falenderoj dhe ju garantoj se qeveria do t’ju mbështesë  ju në të gjitha përpjekjet tuaja. Shpresoj që ditët që vijnë të mos jenë të ngarkuara si ato që ishin, por nuk mund të them se sipas parashikimeve nuk do të ketë reshje të tjera”. 


18/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›