Konferencë për shtyp e zëdhënëses së qeverisë, znj. Majlinda Bregu për rritjen e eksporteve të produkteve shqiptare
Zëdhënësja e qeverisë dhe Ministrja e Integrimit, znj. Majlinda Bregu prezantoi sot, gjatë takimit javor me mediat, rritjen e eksporteve të mallrave shqiptare dhe masat që ka ndërmarrë qeveria për mbështetjen, nxitjen dhe promovimin e prodhimeve vendase në tregjet europiane.
"Mallrat shqiptare "Made in Albania" po prezantohen në cilësi dhe shifra shume të kënaqshme në tregjet Evropiane.
Në krahasim me një vit më parë, në 2007 kemi një rritje prej 35% të ‘Eksportit te Parë', thënë ndryshe të mallrave me origjinë 100 për qind shqiptare dhe një rritje prej 25% të rieksporteve që i përkasin përpunimit aktiv, pra përpunimit të lëndës së parë industriale që importohet nga jashtë dhe eksportohet përsëri në vendet e BE-së.
Grupet e mallrave në këtë rritje i përkasin më së shumti industrisë së përpunimit të mineraleve, çimentos, hekurit, çelikut si dhe industrisë së hidrokarbureve.
Eksporti i çimentos është 11 herë më i lartë në krahasim me një vit më parë.
Eksporti i kromit dhe koncentrateve është tre herë më i lartë.
Eksporti i xeherorëve dhe koncentrateve të hekurit është 2 herë më i lartë,
Gjithashtu eksporti i naftës dhe vajrave nga mineralet bituminoze të përpunuara është rritur dy here ….
Eksportet e granitit, porfir,bazalt, shkëmb ranor e gur monumental ndërtimor dhe i koks nafte, bitum nafte e mbetje nga vaj nafte o vaj nga minerale bituminoze janë po ashtu dy herë më të lartë
E kështu me radhë deri dhe tek gurët dekorative për kalldrëme e bordure prej guri natyral, tek konfeksionet apo dhe tek frutat, eksporti i të cilave ka pësuar gjithashtu rritje nga 1 deri në 2 herë krahasuar me një vit më parë.
Konstatohet që rritja e eksporteve në vlerë monetare është më e madhe sesa rritja në peshë, e cila është rezultat i disa faktorëve:
-Forcimi i Lekut kundrejt monedhës europiane, pra euros.
-Ulja e kostos së prodhimit, kryesisht, si rezultat i uljes së normës së sigurimeve shoqërore, dhe çmimit të energjisë elektrike.
-Futjes e skemës së rimbursimit dhe kompensimit për lëndët djegëse të energjisë elektrike.
-Krijimi dhe vënia në zbatim i Fondit të Garantimit Eksporteve.
Tendenca e rënies të rieksporteve në favor të eksporteve shqiptare përbën një shenjë pozitive të fillimit të konsolidimit të ekonomisë shqiptare me produkte tërësisht shqiptare.
Këto rritje të eksporteve shqiptare në tregjet e vendeve europiane në BE shënohen vetëm pas 9 muaj zbatim të Marrëveshjes së Ndërmjetme e cila është një shprehje e qartë e përpjekjeve të Shqipërisë për të përmbushur standardet ekonomike dhe për t'u bërë anëtare me të drejta të plota në komunitetin evropian duke u përpjekur në përmbushjen e kriterit të dytë të Kopenhagen-it (ekzistenca e një ekonomie funksionale dhe kapaciteti për t'u përballur me presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE-së).
Dispozitat e Marrëveshjes së Përkohshme "Për lëvizjen e lirë të mallrave, lidhur me produktet industriale, bujqësore dhe peshkimi;" kanë kontribuar në rritjen e eksporteve.
Ndërmarrjet që importojnë ose eksportojnë mallra kanë tashmë mbrojtje ligjore pas hyrjen në fuqi të Marrëveshjes më 1 Dhjetor 2006.
Janë hequr tarifat doganore për importet dhe eksportet. Si rrjedhojë importuesit dhe eksportuesit janë ligjërisht të mbrojtur dhe janë të garantuar.
Jo më pak kanë ndikuar në këtë rritje dhe eksperienca shumëvjeçare e firmave shqiptare me firmat e huaja në marrjen e know-how.
-unifikimi i procedurave dhe rregullave të origjinës me ato të Komunitetit evropian
Tashmë Shqipëria importon nga vendet e BE-së lëndë të parë industriale, i përpunon në vend dhe i eksporton në vendet e BE-së duke përfituar tarifat zero në kuadër të kësaj marrëveshje. Ashtu si dhe të gjitha produktet industriale me origjinë shqiptare, mund të eksportohen në BE me tarifë zero.
Të gjitha këto kanë bërë që të rritet kredibiliteti i mjedisit ekonomik shqiptar si një mjedis i aftë për t'u integruar jo vetëm në tregjet e vogla rajonale, por edhe në strukturat konkurruese evropiane."
Pyetje: Sa është shifra e importit gjatë periudhës që ju krahasuat me periudhën e rritjes së përqindjes së eksportit, për të parë edhe një balancin, nëse ka, të deficitit tregtar?
Znj. Bregu: Vëllimi i importit për të njëjtën periudhë, krahasuar nga viti 2006 në vitin 2007, për të njëjtën periudhë të cilës iu referuam rritjes së eksporteve është 211.7 miliard lekë dhe rritja e 7 mujorit të parë të vitit 2007, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2006, është 24.9 për qind, ndërsa eksporti është rritur më shumë me rreth 28 për qind.
Pyetje: Do të thotë kjo që është rritur deficiti tregtar?
Znj. Bregu: Kjo do të thotë që eksportet kanë një rritje më të madhe sesa importet.
Pyetje: Gjithsesi ka një mosndryshim të raporteve mes importit dhe eksportit në raportin 8 me 1. Si e komentoni këtë mos ndryshim të këtij raporti? Së dyti, si e komentoni krizën energjetike që ndikon tek kostoja e prodhimit vendas. Sa do të ndikojë kjo tek biznesi?
Znj. Bregu: Raporti për të cilin ju flisni nuk është 8 me 1, por më i vogël, 1 me 3.8 dhe ky raport po ngushtohet vazhdimisht. Dmth. ka të dhëna të tjera nga ajo që ju referoni.
Kriza energjetike të cilën po e përballojmë të gjithë, nga qytetarët e thjeshtë edhe biznesi, nuk është një situatë e kënaqshme, por unë ju siguroj se qeveria po bën të gjitha përpjekjet që kjo krizë të rëndojë sa më pak në buxhetin dhe mirëfunksioninim e bizneseve shqiptare.