Kryeministri viziton zonën industriale në Shkodër

- Kryeministri: Për shkak të masave të qeverisë, në këtë 6 mujor eksportet janë rritur 27 për qind
Gjatë qëndrimit në Shkodër, Kryeministri Berisha vizitoi zonën industriale, ku u ndal në fabrikën e përpunimit të mishit "Meat Master" dhe të prodhimit të duraluminit "Progress Metal".
Fillimisht Kryeministri vizitoi fabrikën "Meat Master", kompania e vetme eksportuese e produkteve të mishit, e certifikuar sipas dy standardeve, të komunitetit evropian dhe atij ndërkombëtar, për sigurinë ushqimore.
Kryeministri vlerësoi se eksportet në ekonominë shqiptare janë sot zhvillimi më pozitiv. Në këtë 6 mujor eksportet janë rritur 27 për qind, në krahasim me vitin e kaluar. Kjo është rritja më e madhe që mund të regjistrohet, - theksoi Kryeministri Berisha, - dhe këto nuk janë eksporte të regjistruara nga ndonjë burim i papritur nafte apo nga eksporti i energjisë për shkak të shirave, por që të gjitha janë prodhime të bazuara në programe, projekte dhe investime.
Kryeministri përgëzoi drejtuesit dhe punonjësit e fabrikës për shndërrimin e saj në një ndër sipërmarrjet më të mira të vendit në industrinë ushqimore, duke e konsideruar këtë një zhvillim pozitiv për ekonominë shqiptare. Duke i konsideruar produktet e saj të një shijeje dhe cilësie shumë të lartë, Kryeministri vlerësoi veçanërisht faktin se mishi krudo, për të cilat "Meat Master" është lider në Shqipëri, i prodhon me produkte të mishit vendas. "Jam i bindur se krudot do të marrin vendin më të merituar në tregun evropian dhe atë botëror, pasi mishi aromatik i qarkut të Shkodrës, por dhe i pjesës dërrmuese të qarqeve të Shqipërisë, bëjnë që të gjitha prodhimet e këtij kombinati të jenë më të kërkuarat në llojin e tyre", tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha siguroi se qeveria do të bëjë gjithashtu përpjekje për certifikimin e produkteve vendase. Në këtë kontekst, tha Kryeministri, është krijuar fondi i veçantë në mënyrë që të lehtësojë procesin e certifikimit të prodhimeve vendase, është krijuar fondi i konkurrencës dhe këtë javë krijuam Agjencinë e Mbështetjes së Eksporteve.
Gjithashtu Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe kontributin që kjo ndërmarrje i jep shoqatës së personave me aftësi të kufizuar në Shkodër.
Më pas, Kryeministri u ndal në fabrikën e prodhimit të duraluminit "Progress Metal". Pasi vizitoi ambientet e fabrikës dhe u takua me drejtuesit e punonjësit e saj, Kryeministri vlerësoi punën e tyre për prodhimin dhe shpërndarjen në mbarë vendin të duroaluminit të përpunuar, të përshtatur dhe me ngjyrë për dyer, dritare dhe konstruksione të tjera, duke u shndërruar në furnizues i madh i materialeve të përpunuara të duroalumit.