E Shtunë, 31 Tetor 2026

“21 janari”, Turqia hetime për vrasjen e Aleks Nikajt

25/04/2011  Autoritet turke kanë nisur procedim penal, predha e kartela mjekësore në dosje

Pushimi i hetimeve, mundëson sjelljen e predhës në Shqipëri

TIRANE- Kur kanë kaluar tre muaj nga demonstrata e 21 janarit, prokuroria e Tiranës nën zë ka pohuar vështirësitë, që ka hasur, lidhur me sjelljen nga Turqia të predhës e cila vrau shtetasin nga Lezha, Aleks Nikaj. Një hetimi i nisur për rastin në fjalë nga autoritet turke, ka sjellë vonesa për marrjen në dorëzim të provës materiale, nga e cila pas ekspertimit balistik, pritet të hedhë dritë mbi emrin e personit që në 21 janar qëlloi me plumb në kokë demonstruesin. Burime pranë prokurorisë thonë se arsyeja e vonesës së dërgimit të predhës, ka qenë hetimi formal, që pala Turke ka nisur për çështjen Nikaj. Mësohet se në legjislacionin Turk, parashikohet që për çdo shtetas të huaj që është i plagosur apo i aksidentuar në një ngjarje kriminale dhe që transportohet për trajtim mjekësor në spitalet e këtij shtetit, duhet të fillohet një procedim penal. Kuptohet që hetimi nuk është i asaj rëndësie siç është ai i nisur në Tiranë, por duke ju referuar legjislacionit turk, mbi bazën e procedimit penal kryhen disa veprime formale dhe procedurale, duke filluar nga administrimi i predhës, kartelës mjekësore etj. Gjatë kësaj kohe prokuroria shqiptare ka kërkuar herë pas herë transferimin e predhës nga Turqia në Shqipëri, por tre muaj nga ngjarja kërkesa nuk është miratuar. Mënyra e vetme për të sjellë predhën që i mori jetën demonstruesit Aleks Nikaj, është nxjerrja e një vendimi pushimi të hetimeve në Turqi. Ekspertët thonë se ky vendim do i hapte rrugë procedurave të tjera, që do mundësonin dërgimin e predhës që u gjend në kokën e Nikajt. Momentalisht, ende nuk është marrë një vendim i tillë nga autoritet Turke, të cilat prej tre muajsh vazhdojnë të mos sjellin në Shqipëri predhën. Grupi hetimor i 21 janarit, sqaron se predha do t’i nënshtrohet ekzaminimeve në laboratorin kriminalistik të Policisë Shkencore, ku pas vëzhgimeve me mikroskop dhe procedurave të tjera, shpresohet të zbulohet emri i efektivit të Gardës së Republikës. Mbi këtë institucion prokuroria ka ngritur dyshime të arsyeshme se punonjësit e saj në përpjekje për të mbrojtur godinën e kryeministrisë kanë qëlluar me plumba luftarakë, duke vrarë 4 persona dhe plagosur 7 të tjerë. Kaq ka mjaftuar që prokuroria e rrethit të firmosë brenda natës 6 urdhër-ndalimi, të cilat për dy javë me radhë nuk u ekzekutuan nga policia me argumentin se kishin gabime ortografike. Ky vendimi futi në konflikt institucional Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit, ku gjatë kësaj periudhe nuk munguan as akuzat publike mes tyre. Polici dhe prokurori, u përballën publikisht lidhur me problemin e nxjerrjes së sekretit hetimor në media, ku të dyja akuzonin njëra-tjetrën se ishin ato që kishin nxjerrë detaje të hetimit në medien e shkruar. E. Qyno

Katër viktima

Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Aleks Nikaj dhe Hekuran Deda janë katër viktimat e demonstratës së 21 janarit. Viktimat ishin nga rrethet e Shqipërisë dhe se momentalisht vetëm për Gjirokastritin Veizi prokuroria pretendon se ka zbuluar autorin, që sipas saj është shefi i njësisë speciale në Gardën e Republikës, majori Agim Llupo.

Ekspertimi i armëve

Mbi 200 armë të gardës, pistoleta dhe automatikë të modelit MP-5 janë ekspertuar nga prokuroria, por momentalisht asnjëra prej tyre nuk ka dalë “fajtore”. Ekspertiza i ka nxjerrë armët e pastra, çka tregon se plumbat që kanë vrarë katër demonstruesit në 21 janar, nuk janë qëlluar prej tyre. Ka dyshime të arsyeshme se disa armë mund të jenë fshehur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›