Konfindustria: Amnistia fiskale të përfshijë jo vetëm bizneset por dhe qytetarët

Parë
mënyrën e krijimit të të ardhurave dhe funksionimit të sistemit ekonomik
shqiptar në gjithë periudhën kohore 20 vjeçare, mënjanimi nga amnistia fiskale
e "qytetarëve" do të thotë praktikisht dështim të procesit ende pa
filluar
Tiranë, 14 Shkurt NOA Konfindustria kërkon
që shteti të ndërmarrë amnisti fiskale ndaj qytetarëve shqiptarë me qëllim që të
garantohen pronat e tyre. Kërkesa e Konfindustrisë vjen pak pasi në Shqipëri
hyri në fuqi ligji Antimafia që nëse zbatohet, rrezikon shumë pasurinë e vënë më
së shumti nga pasanikët e 20 viteve të fundit, përmes trafiqeve, korrupsionit
dhe pastrimit të parave.
Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i
Konfindustria ka shprehur sot kënaqësinë e pranimit në parim të hapjes së
debatit për amnistinë fiskale nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet shprehjes publike
nga Ministri i Financave z. Ridvan Bode, por njëkohësisht, shprehet
kundër kufizimit të amnistisë vetëm ndaj bizneseve dhe lënien jashtë të
qytetarëve shqiptare.
Konfindustria shpreson, se përqendrimi i
sqarimit publik të Ministrit të Financave ne parashikimin e amnistisë fiskale
vetëm për kategorinë "biznese" dhe duke mos përmendur përfshirjen
në procesin e sipërpërmendur edhe të "qytetarëve" shqiptarë,
ishte vetëm një harresë e ndodhur për shkaqe kohore dhe nuk paraqet
qëndrim të paracaktuar të ekzekutivit, - vlerësoi sot Buxhuku.
Buxhuku sqaroi se Konfindustria, me cilësinë
e nismëtarit të kryerjes së Amnistisë Fiskale, shpreh domosdoshmërinë e
përfshirjes në proces në mënyrë të njëkohshme të kategorisë së
"biznesit" dhe "qytetarëve" pa përjashtim.
Parë mënyrën e krijimit të të ardhurave dhe
funksionimit të sistemit ekonomik shqiptar në gjithë periudhën kohore 20 vjeçare,
mënjanimi nga amnistia fiskale e "qytetarëve" do të thotë praktikisht
dështim të procesit ende pa filluar, ka paralajmëruar Buxhuku.
Ai pohoi se qëllimi i ndërmarrjes së nismës
ishte hapja e një kanali të ri oksigjeni financiar në ekonominë shqiptare
pikërisht në kohën kur pasojat e krizës globale tashmë na ka prekur
ndjeshëm dhe qartë.
Janë pikërisht të ardhurat në zotërim në radhë
të parë nga qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit dhe që do të mund të
futeshin në sistemin tonë bankar dhe ekonomik, që ishin patur parasysh nga
Konfindustria në marrjen e vendimit për nismën e amnistisë fiskale,
detajoi Buxhuku.
Duhet të kuptojmë se qytetarët shqiptarë, janë
pikërisht kategoria, që për vite me radhë nuk iu është dhënë mundësia
e deklarimit ligjor të të ardhurave të tyre sikurse ndodh në të gjithë
vendet demokratike të rajonit dhe BE, ndërkohë që bizneset sidoqoftë e kanë
patur me kohë një mundësi të tillë, kujtoi z.Buxhuku, duke shtuar këtu dhe
faktin se qëllimi përfundimtar i kryerjes së amnistisë fiskale të vërtetë
është hyrja e sa më shumë të ardhurave në sistem do të ishte krejtësisht e
papranueshme përjashtimi i kategorisë së shtresës më të gjerë të
zotëruesve të kapitaleve "qytetarëve", që mund të
formalizohen.
Buxhuku lajmëroi se Konfindustria, në
bashkëpunim me partnerët e saj nga vendet e BE me përvojë në fushën e amnistisë
fiskale, po përgatit projektin e faljes fiskale, që shpejt do ti
paraqitet institucionalisht Qeverisë Shqiptare dhe publikut në
përgjithësi.
Projekti i Konfindustrisë ka si një nga
shtyllat kryesore përfshirjen në proces në mënyrë të njëkohshme të qytetarëve
dhe biznesit pa përjashtim. Vetëm në këtë mënyrë do të shpresojmë se mund të
kryejmë një proces të suksesshëm dhe me vlerë për mbështetjen e ekonomisë
kombëtare në tërësi në çastet e vështira që po kalojmë, - theksoi z. Buxhuku.
e.r/NOA