Rama: “Do të dyfishojmë buxhetin për fshatin”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin e radhës me Vullnetarët është ndalur në qytetin e Gramshit. Në këtë takim me të rinjtë gramshiotë, Rama është përqendruar te trajtimi i barabartë i shtetasve jo thjesht dhe vetëm para ligjit, por mbi të gjitha para mundësive për punësim dhe mirëqenie qofshin ata në Veri apo në Jug, qofshin në qytet apo në fshat. “Qeveria e fitores së 28 qershorit do të bëjë më shumë se të gjitha qeveritë e këtyre 18 viteve të marra së bashku për të garantuar ushqimin normal të familjeve shqiptare duke luftuar me ide të reja e vullnet të ri në radhë të parë për bujqit e fermerët shqiptarë. Ne s'do ta lëmë fshatin shqiptar jashtë horizontit të vëmendjes së parlamentit dhe jashtë listës së punëve të qeverisë, por do ta bëjmë kryefjalë të punës sonë", - tha Rama. Duke vënë theksin te rimëkëmbja e fshatit si një ndër mundësitë për të siguruar çmime të përballueshme në qytet dhe mirëqenie në fshat, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka bërë premtimin për dyfishim të buxhetit që shkon në mbështetje të fshatit. "Në katër vitet e ardhshme, ne do të dyfishojmë buxhetin e shumëfishojmë forcat për zhvillimin e fshatit për rimëkëmbjen e bujqësisë e blegtorisë, për rindërtimin e rrugëve që zhvillojnë ekonominë rurale, për përmirësimin rrënjësor të shërbimit arsimor e shëndetësor në zonat rurale”, - vijoi Rama. Gjatë këtij takimi në Gramsh, kryesocialisti u shpreh se njerëzve pa pushtet në Shqipëri që duan punë, rrugë, shpresë, nuk u intereson pushteti por rezultatet e qeverisjes. “Dhe qeverisja e re pas 28 qershorit do të bëjë të mundura shumë gjëra që sot duken të pamundura në këtë vend”, - tha ai.
20 Shkurt 2009