EULEKS rihap çështjen kundër Albin Kurtit

Misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë EULEX-i ka riaktualizuar procesin gjyqësor që UNMIK-u kishte filluar kundër kreut të Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurtit në lidhje me demonstratën e 10 shkurtit 2007, duke e ftuar atë që të paraqitet në gjykatë më 15 shkurt. Në demonstratën e 10 shkurtit policia rumune e UNMIK-ut ndërhyri ndaj demonstruesve paqësor, duke vrarë dy aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje” Arben Xheladinin dhe Mon Balajn, si dhe plagosi mbi 80 të tjerë.
Në një komunikatë të Lëvizjes “Vetëvendosje” thuhet se me rihapjen e
rastit të Albin Kurtit, EULEX-i ka zgjedhur t’i vazhdojë plumbat e
UNMIK-ut. “EULEX-i ka marrë nga UNMIK-u 1200 dosje për raste të veçanta. Shumica
prej tyre janë dosje politikanësh të korruptuar, krim politik e
ekonomik. Por EULEX-i i ka lënë këto dosje me një anë dhe ka zgjedhur
riaktualizimin e procesit të turpit”, thuhet ndër të tjera në
komunikatë.
Albin Kurti është mbajtur në burg për gati një vit, shkurt 2007-janar
2008, ndonëse shumë organizata të mëdha ndërkombëtare për të drejtat e
njeriut, në mesin e tyre edhe ‘Amnesty International’, konkluduan se
demonstruesit ishin brenda kornizës paqësore të protestës.
Ndryshe, edhe sot e kësaj dite vrasësit e demonstruesve paqësor, policët
e kontingjentit rumunë të UNMIK-ut nuk janë ndëshkuar nga drejtësia,
por ata janë lejuar të kthehen në Rumani.