E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria: Të shtyhet privatizimi i OSSH-së



Kompanitë shqiptare të marrin pjesë në tender

S’duhet pranuar çdo kusht nga kompanitë pjesëmarrëse

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) duhet të privatizohet për t’i ardhur në ndihmë me një shërbim më cilësor konsumatorit, ndaj shitja e tij s’duhet të konsiderohet qëllim në vetvete nga qeveria, me qëllim që të ardhurat të parashikohen në buxhetin 2009. Bashkimi i industrialistëve të vendit, duke e vlerësuar si një proces delikat privatizimin e kësaj shoqërie, kërkon që të shtyhet shitja e OSSH-së dhe në një të ardhme të afërt në tenderin për blerjen e saj të marrin pjesë edhe kompanitë shqiptare. Konfindustria, duke mbështetur parimisht shitjen e rrjetit të shpërndarjes së operatorit të energjisë elektrike (OSSH), si dhe duke vlerësuar procesin e deritanishëm përgatitor, ku është arritur me profesionalizëm tërheqja në garë e kompanive të rëndësishme ndërkombëtare, shprehet kundër konsiderimit të privatizimit të OSSH-së si qëllim në vetvete, që duhet përmbushur me çdo kusht dhe sa më shpejt.

Duke pasur parasysh vlerën e jashtëzakonshme strategjike të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Konfindustria vlerëson se shitja duke pranuar çdo kusht të vënë nga kompanitë pjesëmarrëse në tender, qoftë edhe në kundërshtim me interesat publike dhe vetëm për arsye të përfitimit të të ardhurave nga shitja në buxhetin në vazhdim, do të ishte gabim me pasoja afatgjate në zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. Konfindustria duke qenë mjaft afër procesit të privatizimit të OSSH-së, që në fillimet e saj dhe duke dhënë ndihmën e saj në afrimin e kompanive të fuqishme nga vendet e BE-së, pjesëmarrëse në tenderin në fjalë, mendon se është një prag kufi, që nuk duhet shkelur vetëm për hir të privatizimit me çdo kusht. Është mjaft e arsyeshme, që procesi i shitjes së OSSH-së, si operatori monopol në tregun e shpërndarjes së energjisë elektrike në vend, të ndërpritet dhe të shtyhet në një afat të dytë kohor, nëse kompanitë pjesëmarrëse në tenderin në vazhdim të vënë kushte, që mund të jenë në kundërshtim me interesat publike. Konfindustria mendon se në rast të ndërprerjes së tenderit të shitjes së OSSH-së dhe shtyrjes së procesit në një fazë të dytë, jepet edhe mundësia më e mirë për të riparë termat e referencës drejt mundësisë së përfshirjes edhe të investitorëve shqiptarë në proces, si një rrugë e mirë e përdorimit me efektivitet të burimeve të brendshme të financimit dhe si një mjet për të ndalur daljen e parave shqiptare jashtë vendit, plagë e thellë e ekonomisë shqiptare me pasoja të gjithanshme negative. Pranë Konfindustrisë në vazhdimësi është shprehur paraqitja e vullnetit dhe mundësive financiare të rëndësishme të anëtarëve të saj, për të qenë pjesëmarrës në privatizimin e sektorit strategjik të shpërndarjes së energjisë elektrike së bashku me kompani partnere të specializuara ndërkombëtare.

Përfundimi i procesit të privatizimin të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes ishte parashikuar të hapej në datën 15 shtator 2008. Por zyrtarët e METE-s në konsultim dhe me IFC-në, vendosën shtyrjen e saj më datë 29 shtator, për të garantuar një pjesëmarrje sa më të gjerë të kompanive të parakualifikuara në ditën e hapjes së tenderit. Pala shqiptare në konsultim me IFC-në dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë që kanë qenë të përfshirë në këtë proces, ka bërë disa ndryshime në dokumentet e tenderit për ta bërë këtë proces me tërheqës për investitorët e parakualifikuar, si dhe për të mundësuar optimizmin e ofertave të pritshme. Drejtuesit e METE-s theksojnë se kjo shtyrje u bë në mënyre që t’u jepet më shumë kohë kompanive të parakualifikuara për të modifikuar ofertat e tyre në përputhje me ndryshimet e bëra së fundmi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›