USAID, 10 milionë dollarë për rritjen e konkurrencës së prodhimeve
Produktet shqiptare do të bëhen më të konkurrueshme për tregjet evropiane. Për këtë, një program i financuar nga USAID do t’u vijë në ndihmë fermerëve vendas. Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim (USAID), nëpërmjet një programi të ri pesëvjeçar me vlerë prej 10 milionë dollarësh, po mbështet bujqësinë shqiptare për rritjen e konkurrencës së prodhimeve, përballë tregjeve evropiane. Në Panairin “Agrobiznes 2008”, që është organizuar këtë javë në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH), është prezantuar në një pavijon të veçantë dhe projekti i USAID-it për Aftësinë Konkurruese Shqiptare (AAC). Mësohet se ky program synon të ndihmojë fermerët në përmirësimin e prodhimtarisë në bizneset e tyre, për të prodhuar sipas standardeve dhe në Korçë është ngritur njëra prej zyrave rajonale të këtij programi. Programi parashikon për fermerët ofrimin e asistencës teknike dhe veçanërisht adaptimin e metodave që ruajnë mjedisin apo të teknologjive të reja që përdoren pas vjeljes, si dhe në forcimin e lidhjeve më të mira me tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm. Sipas burimeve nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, USAID-i është një nga kontribuuesit kryesor dhe nga më të rëndësishmit në sektorin e bujqësisë shqiptare.