Ruli: Privatizimi I OSSH-së do të mbyllet brenda vitit
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, brenda këtij vit do të jetë tërësisht në pronësi të investitorit strategjik. Gjithë procedura e privativit të OSSH-së pritet të mbyllet brenda vitit 2008. Kjo është deklaruar dje nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli. Ministri Ruli e cilësoi privatizimin e 76% të aksioneve OSSH-së, si privatizimi strategjik më kompleks, më madhor, por edhe më i vështirë. "Ky privatizim u bë i domosdoshëm edhe për shkak të situatës së vështirë globale në tregun e energjisë elektrike, e cila kërkon edhe një “lojtar” global për të minimizuar kostot, ndarë risqet e biznesit me pjesëmarrje në tregje të tjera”, - nënvizoi ministri Ruli. Ndërsa ka garantuar se shitja e kësaj ndërmarrjeje do të ndryshojë panoramën e furnizimit me energji elektrike. “Pritet përmirësim dinamik e rrënjësor i situatës së furnizimit me energji elektrike në vend, përmirësim i shpejtë i shërbimit në fushën e furnizimit me energji elektrike, reduktim agresiv i humbjeve teknike dhe joteknike, duke mbajtur në kontroll kostot dhe çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët, si dhe rritje e sigurisë dhe cilësisë së operimit të rrjetit", - deklaroi ministri Ruli. Sipas tij, në të njëjtën kohë do të bëhet e mundur edhe tërheqja e kapitalit të huaj në investimet e nevojshme në rrjet, si dhe eliminim i efekteve negative të sektorit të energjisë elektrike në buxhetin e shtetit.
Në të njëjtën kohë ministri Ruli u ndal edhe në shpjegimin e modelit të tregut që është zgjedhur dhe se çfarë roli do të ketë sektori publik pas privatizimit. “Në vendimmarrjen për të zgjedhur modelin e tregut të energjisë elektrike, në bazë të të cilit do të bëhet privatizimi dhe do të operojë investitori privat, qeveria ka marrë në konsideratë faktorë që kanë të bëjnë me varësinë e sistemit tonë energjitik nga kushtet hidrologjike, humbjet e mëdha teknike dhe joteknike në shpërndarje, si dhe nevojën për të pasur një politikë çmimesh që i përgjigjet zhvillimeve ekonomike dhe sociale të vendit tonë”, - u shpreh Ruli.