E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshen-Kalimash, aksi me shumë ura



Në rrugën Durrës-Kukës-Morinë, aksi Rrëshen-Kalimash është ai që ka numrin më të madh të urave. Në shumë prej tyre punimet kanë mbaruar, ndërsa vazhdojnë punimet me intensitet për urat e tjera. Burime nga MPPTT bëjnë me dije se kompania Bechtel-Enka po punon në të gjithë gjatësinë e rrugës, 60 km. Puna vazhdon në të 27 urat. Deri tani nga 2 impiante prodhimi janë prodhuar 385 trarë. 190 prej tyre janë tashmë instaluar. 7 ura kanë përfunduar dhe ato tashmë përdoren nga mjetet e kompanisë për të lehtësuar trafikun. Janë ndërtuar bazamentet dhe këmbët mbajtëse edhe për 15 ura të tjera. Në 23 shtator ka filluar vendosja e trarëve në urën më të lartë në këtë aks (80 metra). Deri tani janë gërmuar 25 milionë metër kub material, duke përdorur 9 milionë metër kub material mbushës si dhe janë vendosur 151.000 metra kub struktura betoni. Në 24 shtator ka përfunduar asfaltimi në një seksion provë, në afërsi të portalit verior të tunelit. Mbas testeve të nevojshme të kryera, BEJV do të vazhdojë asfaltimin në seksionin 3 (nga portali verior i tunelit deri në Kalimash) të projektit. Në të njëjtën kohë, BEJV po punon njëkohësisht në të dy tunelet, në të dy hyrjet veri dhe jug paralelisht. Progresi total i kombinuar në të dy galeritë e tunelit është 6.8 km deri më datë 22 shtator 2008.

Për të arritur një progres të tillë punimesh, po përdoren rreth 1300 makineri të tipeve të ndryshme. Në pajisjet e mëdha përfshihen dy nyje asfalti (një në Klos dhe një në Kukës), 5 sonda për të hapur tunelet, dy lancera për trarët e urave, 2 impiante të prodhimit të trarëve të paranderur të urave, 6 nyje betoni, dy gurore, 6 vinça të lartësive dhe peshave të mëdha, 380 kamionë, 92 ekskavatorë. Aktualisht , janë 3.700 punëtorë që punojnë në projekt. Në fund të muajit gusht, projekti arriti në total 13.4 milionë orë punë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›