E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria i kërkon qeverisë ngritjen e ERK

Institucioni në fjalë do të shërbej si vëzhgues dhe rregullator për çrregullimet subjektive të çmimeve në tregun strategjik të karburanteve përfshi edhe tregun e gazit të lëngshëm.

“Keqfunksionimi i vazhdueshëm i tregut të karburanteve në Shqipëri, në kushtet kur teorikisht kemi të bëjmë me treg të liberalizuar, mund të shpjegohet vetëm me ekzistencën në praktikë të marrëveshjeve të llojit ‘kartel’ ndërmjet operatorëve të fushës. Në kushte të tilla roli i institucioneve shtetërore duhet të jetë vendimtar për të zhdukur pasojat nga gjendja e mësipërme dhe për të parandaluar në afatgjatë rikrijimin e gjendjeve të tilla të pakënaqshme”, thekson Konfindustria.

Konfindustria kërkon ngritjen sa më shpejt të Entit Rregullator të Karburanteve, pasi sipas saj, shteti shqiptar nuk ka më asnjë mjet për të ndërhyrë drejtpërdrejt për të rregulluar çrregullimet e tregut strategjik të karburanteve.

“Shembuj të institucioneve të tilla i gjejmë jo vetëm në vendet e zhvilluara të BE dhe botës, por edhe në vende të rajonit tone”.

Tregu i karburanteve dhe përben tregun më të madh në vend me ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë sektorët e ekonomisë sidomos industrive si dhe në mirëqenien e qytetarëve shqiptare. Kostot shtesë të panevojshme të krijuara në vazhdimësi nga keqfunksionimi i tregut të karburanteve ndikojnë në uljen e fuqisë konkurruese të prodhimeve vendore krahasimisht prodhimeve të huaja duke shtuar kështu problematikën shqetësuese në ekonominë shqiptare, sidomos në kushtet e pasojave të krizës globale, që parashikohet të jenë të ndjeshme në vitin 2010 e në vazhdim për ekonominë shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›