E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria kërkon miratimin e Gjykatës Administrative, brenda këtij legjislacioni

Konfindustria nisur nga rritja e paarsyeshme e detyrimeve fiskale të biznesit, ka kërkuar në mënyrë të menjëhershme krijimin e Gjykatës Administrative. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, administratori i përgjitshëm i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku ka parashtruar këtë kërkesë duke e parë si rrugëzgjidhje të vetme të drejtave të biznesmenëve Gjykatën Administrative. Sërish edhe një herë Konfindustria i ka bërë thirrje opozitës për votimin e këtij projektligji përkatës për të ndërtuar Gjykatën Administrative, brenda legjislaturës në vazhdim, deri në datën 28 maj 2009. I kërkojmë përfaqësuesve të opozitës, që të mos mjaftohen duke dhënë si zgjidhje të problemit shqetësues të rritjes së paarsyetuar të detyrimeve të biznesit vetëm duke u bërë thirrje publike nëpunësve tatimorë në interpretimin e ligjit, por të tregojnë me vepra se janë për zgjidhje të qëndrueshme, institucionale dhe afatgjate, duke dhënë votat e tyre për miratimin e projektligjit të Gjykatës Administrative, brenda kësaj legjislature, thuhet në deklaratën për shtyp. Buxhuku arsyeton se zgjidhja e përplasjes ndërmjet biznesit dhe institucioneve fiskale nuk mund të lihet vetëm në ndërgjegjen dhe dëshirën e këtyre të fundit. Por duhet të ketë një palë të tretë të pavarur, të shpejtë dhe profesionale për të dhënë vendimin përfundimtar, sikurse është parashikuar të jetë Gjykata Administrative. Konfindustria deklarohet se në rast se opozita shmang këtë ligj të rëndësishëm për biznesin, do të dëshmojë mungesën e dëshirës dhe të vullnetit politik për të ndryshuar gjendjen aktuale të biznesit, që sipas Buxhukut, sot për sot është nën subjektivizmin e ekzekutivit. Gjykata Administrative profesionale, me procedura te përshpejtuara dhe e pavarur nga ekzekutivi, sikurse edhe është parashikuar në projektligjin që ndodhet në Kuvendin e Shqipërisë për miratim, ndërtuar sipas standardeve të vendeve të zhvilluara të botës demokratike, është zgjidhja e duhur në afatgjatë edhe e shqetësimit të drejtë të paraqitur së fundmi edhe nga përfaqësuesit e opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›