E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSV 91 prezanton Kojën si kandidat në Durrës

Partia Socialiste e Vërtetë 91 hapi zyrtarisht fushatën elektorale në Qarkun e Durrësit. Kryetari i kësaj partie, Petro Koçi ka prezantuar kandidaturat për deputetë në këtë qark. Kandidatët e zgjedhur në këtë qark kanë qenë Gjergj Koja, Hasan Stafa, Liri Golemi etj. Në këtë takim me një pjesëmarrje të gjerë njerëzish, kandidatët kanë prezantuar programin e partisë dhe atë personal. Koja, i cili aktualisht është dhe kryetari i kësaj partie në qarkun e Durrësit, theksoi në fjalën e tij se PSV 91 është forca e vetme politike që ka trashëgiminë e vërtetë të Partisë Socialiste të themeluar në vitin 91. Kurse lideri i kësaj partie, Petro Koçi në fjalën e tij theksoi domosdoshmërinë e marrjes nën kontroll të qeverisjes së vendit për qytetarët. Gjithashtu Koçi theksoi se sistemi aktual kushtetues do të vazhdojë të prodhojë një qeverisje problematike dhe larg qytetarit. Në fund të fjalës së tij, kreu i kësaj partie u premtoi pjesëmarrësve të shumtë se PSV 91 do të jetë fuqia e kontrollit të qytetarit mbi politikën dhe qeverisjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›