Meta garanton heqjen e TVSH për të gjitha llojet e librave
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi dje një vizitë në njërën prej librarive kryesore të Tiranës. Meta ishte i shoqëruar edhe nga kandidati i LSI për deputet në Tiranë, Ilir Dashi. Kreu i LSI bashkëbisedoi jo vetëm me tregtuesit e librit, por edhe me klientë dhe dashamirës të librit në përgjithësi. Meta shprehu mbështetjen e tij më të madhe për të gjithë krijuesit, për të gjithë botuesit dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të investojnë në këtë lloj aktiviteti kaq të rëndësishëm të shoqërisë sonë.
Meta deklaroi se me ardhjen e LSI në pushtet ai do ta heqë TVSH-në e librit dhe jo vetëm për librat shkollorë, por edhe për librin historik dhe artistik dhe kështu me radhë. Gjithashtu, Meta shtoi se LSI do të angazhohet për ta bërë zero tatimin mbi të ardhurat dhe mbi honorarët e shkrimtarëve, pasi dhe ata janë të kufizuar për të mbështetur librin përmes gjithë atyre politikave dhe projekteve të Ministrisë së Kulturës. Kreu i LSI, Meta siguroi se do të jenë transparentë dhe joklientelistë, sikurse kanë qenë për fat të keq një pjesë e mirë e tyre deri tani. Njëkohësisht angazhohemi për të ndihmuar në veçanti të gjitha familjet shqiptare në drejtim të pajisjeve të fëmijëve me librat shkollorë dhe për të rimbursuar të gjitha librat shkollorë të arsimit të detyrueshëm 9-vjeçar, ka bërë të ditur Meta duke kërkuar një vëmendje më të madhe ndaj librit, sepse sipas tij, nuk mundet që libri të trajtohet si një aktivitet i zakonshëm biznesi. Ne jemi një shoqëri që kemi nevojë për kulturën, për të investuar më shumë për historinë tonë dhe për të ndihmuar të gjithë krijuesit dhe talentet në këtë fushë, përfundoi Meta.