E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi IPR, shpall fitues PS për muajin maj

Kompania lider e sondazheve IPR Marketing, ka nxjerrë fituese Partinë Socialiste me 43 % të votave, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin ditën e sotme. Përkrah saj me një përqindje më pak qëndron Partia Demokratike, me 42%, ndërsa forcë e tretë në këtë rezultat shfaqet LSI me 6%. Nëse këto rezultate do të krahasoheshin me një muaj më parë, bie në sy se Partia Socialiste ka mbetur e pandryshuar, njësoj si një muaj më parë, pa pasur rritje, ndërsa Partia Demokratike ka pësuar rritje me 3% në krahasim me muajin e kaluar. Ndërsa koalicioni i drejtuar nga LSI është i qëndrueshëm, por ka tendencë të vogël në zbritje. Sipas sondazhit të zhvilluar nga IPR Marketing dhe Ora Neës, në bazë të koalicioneve rezultojnë këto përfundime për muajin maj, koalicioni Bashkimi për ndryshim, 47.3% të votave, ku PS radhitet me 43%, G 99, 3.2%, PDS dhe PBDNJ 1.1% të votave. Ndërsa koalicioni Aleanca e Ndryshimit, kryesuar nga Partia Demokratike, ka arritur të marrë 44.7% të votave, udhëhequr nga PD me 42%, Partia Republikane 1%, ndërsa partitë e tjera kanë marrë 1.7% të votave. Përsa i përket koalicionit Aleanca Socialiste për Integrim, drejtuar nga LSI ka arritur të marrë 7% të votave, ku më konkretisht kryeson LSI me 6% dhe aleatët e saj me 1%. Ndërsa koalicioni i katërt Poli i Lirisë, është renditur i fundit në listë me 1.5% të votave. Partitë e tjera, të cilat nuk janë përfshirë në koalicion kanë arritur të marrin 0.5% të votave. Një tjetër pikë e rëndësishme e këtij sondazhi ka qenë edhe niveli i besimit që kanë krijuar tek votuesit dy liderit politikë të vendit. Votuesit janë pyetur sesa besim kanë tek Rama dhe sa besim kanë tek Berisha. Në bazë të rezultatit, është vënë re se për Berishën niveli i besimit është rritur nga 39% në 45%. Ndërsa për Ramën, niveli i besimit është rritur nga 52% në 54%, + 2. Ndërmjet të dyve, Rama mbetet lideri politik me besueshmërinë më të madhe, por nuk mund të lihet pa vënë re edhe rritja e besueshmërisë së Berishës, e cila gjatë fushatës elektorale mund të rritet edhe më tepër. Sipas drejtuesit të sondazhit, veçohet fakti se në bazë të eksperiencave është vënë re se opozita rritet para fushatës elektorale dhe e ka të vështirë të rritet gjatë fushatës elektorale, kjo tendencë është regjistruar edhe në vendin tonë. Në lidhje me gjykimin tek të dy liderit, Edi Rama vazhdon të ketë një përqindje më të lartë për punën e tij, 62 % në krahasim me Berishën. Ndërsa për Berishën është rritur me +4 nga muaji prill në muajin maj. Do të thotë se diçka po ndryshon. Gjithashtu, sondazhi IPR Marketing ka nxjerrë liderin demokrat Sali Berishën më të sinqertë dhe më autoritar se kundërshtari i tij Rama, i cili superon Berishën për komunikimin. Një tjetër rezultat ku Rama ka marrë 60% të votave, duke u përcaktuar më novativ se Berisha, ku ka marrë 49% të votave për faktin se është më pranë njerëzve se kundërshtari i tij. Diferenca prej 11 nuk është pak.
Zgjedhjet e ardhshme
Në bazë të këtij sondazhe, 93% e zgjedhësve i konsiderojnë tepër të rëndësishme zgjedhjet e 28 qershorit, përfundim i cili ka mbetur i pandryshuar në krahasim me muajin prill. Kjo sjell përfundimin se zgjedhjet në Shqipëri ndjehen shumë dhe shqiptarët besojnë se vota e tyre është tepër e rëndësishme, aq sa do të ndikojë në rezultatin final. Shqiptarët janë tepër të motivuar. Përsa i përket problematikave kryesore, ato janë ndjerë më tepër nga zgjedhësit e opozitës, të cilët kanë kritikuar më tepër problematikën. Problemi i papunësisë është problem tepër i mprehtë, i cili sinjalizohet nga 81% e zgjedhësve të PS dhe nga 73% të PD. Kështu edhe me varfërinë, edhe pse është problem është sinjalizuar nga 32% zgjedhës së PD. Ndërsa korrupsioni ka tepër diferencë mes opozitës dhe partisë së qeverisë. 43% e PS e cilësojnë korrupsionin problem, ndërsa zbret në 31% për zgjedhësit e PD. Në këtë sondazh janë pyetur 1742 persona nga 12 qarqet e vendit dhe 844 persona janë pyetur vetëm për Tiranën. Sondazhi është realizuar në periudhën nga 7-12 maj 2009, ku të intervistuarit ia janë përgjigjur pyetjes se nëse sot do të ishte 28 qershori për kë do votonit, ku nga të intervistuarit 49.5 për qind kanë qenë meshkuj dhe 50.5 për qind kanë qenë femra.
Sondazhi për Tiranën
Është gjetur një tjetër kampion prej afërsisht 844 zgjedhësish, të ndarë për moshë dhe gjini. Nga këto 46% kanë votuar për PS, ndërsa koalicioni i drejtuar prej saj ka arritur të marrë 49.3%. Ndërsa PD ka marrë 41% të votave, ndërsa koalicioni i drejtuar prej saj ka arritur të marrë 43.1%. Përsa i përket LSI-së, ajo ka marrë 4.5% të mbështetjes, ndërsa koalicioni i drejtuar prej saj 6.1%, kurse Poli i Lirisë ka marrë 1.3% mbështetje, partitë e tjera 0.5%. Në lidhje me mandatet, PS ka marrë 15-16 mandate, PD 14-15 mandate, ndërsa LSI 2-3 mandate.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›