Meta në Cërrik, premton subvencione për fermerët, punësim për të rinjtë
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka prezantuar mbrëmjen e së dielës në Cërrik planin për veprim në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të qershorit, duke shfrytëzuar në të njëjtën kohë edhe ditën përkujtimore të batalionit partizan të Dymresë. Meta është ndalur tek bujqësia si dhe ushqimi, duke e cilësuar si një ndër prioritetet e partisë që ai drejton.
LSI do të subvencionojë në masën 25-50 për qind të inputeve bujqësore si fara, fidanë, plehra kimike, medikamente, makineri, pajisje etj., gjithashtu do të mbështesë përmes një fondit të veçantë subjektet që do të investojnë në grumbullime, tregje dhe agropërpunim të prodhimeve bujqësore, ka deklaruar kreu i LSI. Ai është ndalur edhe tek punësimi, arsimi për punësim, mjedisi, shëndetësia, mbrojtja sociale, si edhe turizmi, por që më të shumtit e këtij qyteti kanë qenë për punësim. Përkundër kësaj, Meta ka deklaruar se LSI do ta shndërrojë turizmin në një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të fuqishëm të vendit, si edhe do të nxisë investimet për komplekset turistike. Sipas tij, plani për veprim është një përmbledhje e programit elektoral dhe qeverisës së LSI, për zgjedhjet e 28 qershorit, për katër vitet që vijnë. Është një plan konkret realist, i përbërë me mundësitë aktuale që ka vendi ynë dhe që LSI ju garanton atë që premton, ka përfunduar Meta. Në fund ai ka bërë homazhe në lapidarin përkujtimor të batalionit të Dumresë dhe ka vendosur një kurorë me lule te lapidari përkujtimor i kësaj lufte.