Leskaj: Berisha na dha vetëm korrupsion dhe varfëri
Dy gjëra na ka dhënë me shumicë në këto katër vjet Kryeministri Berisha, korrupsionin dhe varfërinë. Kështu u është drejtuar dje banorëve të fshatit Mashaj gjatë turit të saj në qarkun e Elbasanit, Kryetarja e Grupit Kuvendor të PS, znj.Valentina Leskaj. Ajo ka përmendur se në Programin e ri të Partisë Socialiste është parashikuar të ngrihet Agjencia e Biznesit Agrar, e cila do të bëjë që të mos rikthehen më fenomene të produkteve bujqësore të skaduara e të patregtueshme. Ajo që ka ndodhur, është rritja e pjacës së korrupsionit, e cila do të thotë që korrupsioni është rritur lart dhe është përqendruar në më pak duar, në duart e familjes së kryeministrit dhe në duart e disa qeveritarëve.
Pra, korrupsioni nuk është luftuar është shtuar, gjithashtu dhe krimi nuk është luftuar por është shtuar ku dëshmia më e gjallë është Gërdeci, ka shtuar Leskja, sipas së cilës, krimi dhe korrupsioni janë ngjitur në shkallë të tillë që askush nuk mund ta përfytyronte 4 vjet më parë. Në akuzat e saj, Leskaj ka përfshirë familjen politike dhe biologjike të kryeministrit që u premtoi shqiptarëve se do të qeveriste me duar të pastra. Leskaj tha se Sali Berisha jo vetëm nuk e luftoi korrupsionin, por e përqendroi atë në duart e një grupi të ngushtë njerëzish, që janë të vetmit që janë pasuruar me këtë qeverisje. Ky është dallimi mes nesh dhe Sali Berishës, tha ndër të tjera Leskaj, duke shtuar se socialistët në qeverisje do të bëjnë gjithçka që do të premtojnë. Gjithashtu ajo u shpreh se programi i Partisë socialiste nuk është një libër premtimesh apo listë dëshirash që hartohen thjesht dhe vetëm për të marrë vota, siç bëri Berisha në zgjedhjet e kaluara, por një program konkret me ide dhe zgjidhje të reja. Një program konkret që, sipas saj, do ti vijë në ndihmë jo vetëm zonave rurale por do përqendrohet fort dhe në zonat urbane. Për ne, nuk mund të ketë dy Shqipëri, një në mizerie në fshat dhe një në qytet. Për socialistët, ka vetëm një Shqipëri, e cila duhet të ecë e gjitha paralelisht me të njëjtat ritme drejt BE, këtë e bën të mundur programi ynë konkret, shtoi drejtuesja e lartë e deputetëve socialistë. Në përfundim të takimit me banorët e fshatit Mashaj në Elbasan, Leskaj u shpreh se PS është forca politike që do ndryshojë Shqipërinë, është forca politike që do tiu ofrojë shqiptarëve atë jetë që meritojnë, atë dinjitet që meritojnë. Sipas Leksaj, PS është forca politike që shikon nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara.